Situata në tregun e banesave në Zvicër mbetet e tensionuar dhe rrezikon të përkeqësohet më tej. Sipas Martin Tschirren, drejtor i Zyrës Federale për Banesat, në vitet e ardhshme pritet që qiratë e ofruara të rriten ndjeshëm.
“Për sa kohë që nuk do të ketë një krizë ekonomike, duhet të presim rritje të qirave mes 3 dhe 5 për qind çdo vit,” deklaroi ai për NZZ am Sonntag. Në të njëjtën kohë, ndërtimet e reja po bien ndjeshëm, duke e thelluar mungesën e banesave, e cila tashmë ka prekur jo vetëm qytetet e mëdha, por edhe ato më të vogla.
Familjet me të ardhura mesatare në vështirësi
Veçanërisht problematike janë qiratë për apartamentet e reja. Për familjet me të ardhura modeste dhe edhe ato mesatare, këto shifra janë bërë të papërballueshme. Ndërkohë që qiratë ekzistuese rriten më ngadalë, çmimet për banesat e lira në treg janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Në qytetin e Cyrihut, për shembull, shkalla e banesave të lira është vetëm 0.1 për qind. Kjo mungesë po prek gjithnjë e më shumë edhe rrethinat dhe qytetet më të vogla, duke detyruar njerëzit të kërkojnë banesë në zona më të gjera.
Shtëpi gjithnjë e më të vogla, kërkesë gjithnjë e më e madhe
Një tjetër faktor që shton presionin është rënia e madhësisë së familjeve. Sot, rreth 70 për qind e amvisërive në Zvicër përbëhen nga një ose dy persona, gjë që rrit kërkesën për më shumë njësi banimi. Shoqëria po plaket, dhe fazat e gjata të jetesës vetëm ose në çifte të vogla po e shtojnë edhe më shumë nevojën për banesa.
Në zonat turistike, situata është po aq e vështirë. Në Alpe, hapësira e lirë për banim është përgjysmuar që nga viti 2020 për shkak të kërkesës së lartë për shtëpi pushimi dhe kufizimeve të ligjit mbi banesat dytësore. Kjo gjendje po krijon probleme për industrinë e turizmit, pasi gjithnjë e më vështirë po bëhet gjetja e stafit.
Ndërtimet në rënie, pengesa nga ankesat
Sipas Tschirren, një nga arsyet kryesore për ngadalësimin e ndërtimit janë ankesat dhe procedurat ligjore. Që nga viti 2016, lejet e ndërtimit kanë rënë me gati një të tretën. Një studim i Zyrës Federale për Banesat sugjeron që e drejta për të bërë ankesë të kufizohet vetëm tek personat që preken drejtpërdrejt nga projektet, si dhe të vendosen gjoba apo detyrime financiare për abuzime me ankesat.
Roli i migracionit
Një tjetër faktor i rëndësishëm është migracioni. Rreth 60 për qind e familjeve të reja të krijuara në dhjetë vitet e fundit kanë ardhur si rezultat i imigracionit. Shumë prej të ardhurve janë profesionistë të kualifikuar që vendosen kryesisht në qytete, duke shtuar edhe më shumë presionin mbi tregun e banesave.
“Zvicra ka nevojë për këta punëtorë, por migracioni ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës për banesa,” theksoi Tschirren, shkruan 20min.ch, transmeton sam24.info.