Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Cyrih
Nuk është e lehtë të përballosh sfidat dhe ngarkesat e përditshme, sidomos kur je i angazhuar në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditave kombëtare. Megjithatë, ka njerëz që e bëjnë këtë me pasion, përkushtim dhe dashuri të jashtëzakonshme. Një prej tyre është z. Zeqë Gashi, një emër i njohur në botën e artit dhe kulturës shqiptare në mërgatë, i cili për vite me radhë ka kontribuar me shpirt e zemër në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.
I njohur për modestinë e tij, për punën e palodhur dhe për qasjen e tij të përzemërt ndaj të gjithëve, ai ka qenë gjithmonë një figurë kyçe në mbajtjen gjallë të folklorit shqiptar në Zvicër dhe më gjerë. Me një buzëqeshje të përhershme dhe një qëndrim të hapur e mikpritës, ai ka frymëzuar breza të tërë artistësh, duke ndihmuar në ruajtjen e këngëve dhe valleve tona tradicionale.

Një nga arritjet më të mëdha të z. Gashi është themelimi dhe drejtimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Trojet”, një institucion kulturor që për më shumë se një dekadë ka qenë një urë lidhëse mes shqiptarëve të diasporës dhe rrënjëve të tyre kulturore. Përmes këtij ansambli, ai ka arritur të mbledhë rreth vetes dhjetëra artistë të rinj, duke krijuar një familje të madhe të pasionuar për artin dhe traditën shqiptare.
Në këtë intervistë ekskluzive, z. Zeqë Gashi ndan me ne rrugëtimin e tij, sfidat dhe sukseset e Ansamblit “Trojet”, si dhe vizionin e tij për të ardhmen e kulturës shqiptare në diasporë.

Përshëndetje z. Gashi, së pari, ju falënderoj për kohën që po ndani për këtë intervistë. Ansambli “Trojet” është një ndër emrat më të njohur të kulturës shqiptare në diasporë dhe po afrohet një përvjetor i rëndësishëm për ju. A mund të na tregoni pak më shumë për këtë moment të veçantë?
Përvjetorët janë gjithmonë një moment reflektimi dhe krenarie për rrugëtimin kulturor të një ansambli si “Trojet”. Ky është një rrugëtim mbi një dekadë, i mbushur me përkushtim, pasion dhe përpjekje për të ruajtur dhe promovuar kulturën shqiptare në mërgatë.
Ansambli “Trojet” ka filluar udhëtimin e tij më 17 prill 2013, me audicionin e parë të mbajtur në AV “Vatra”, dega Winterthur. Pas një viti veprimtari të suksesshme, në tetor të vitit 2014, ky grup u pavarësua dhe mori emrin “Ansambli Trojet” në Winterthur. Që nga ajo kohë, kemi ndërtuar një histori të pasur me koncerte, festivale dhe bashkëpunime kulturore, duke krijuar një traditë që synojmë ta përcjellim brez pas brezi.
Sa anëtarë ka aktualisht ansambli dhe si është struktura e tij?

Aktualisht, Ansambli “Trojet” numëron 93 anëtarë aktivë, të organizuar në tri grupmosha:
• Grupi i fëmijëve (6-12 vjeç)
• Grupi i të rinjve (13-16 vjeç)
• Grupi i të rriturve (17+)
Përveç organizimit artistik, ansambli ka një strukturë drejtuese të mirëpërcaktuar, e cila përfshin:
• Kryesinë, e cila përbëhet nga 9 anëtarë, me përgjegjësi për vendimmarrjen dhe organizimin strategjik të aktiviteteve.
• Drejtuesit artistikë, të cilët kujdesen për mbarëvajtjen e stërvitjeve dhe zhvillimin artistik të secilës grupmoshë.

• Grupin Koordinues Organizativ të Grave, i cili funksionon në kuadër të kryesisë dhe luan një rol të rëndësishëm në organizimin dhe promovimin e aktiviteteve të ansamblit.
• Grupin Punues, gjithashtu në kuadër të kryesisë, i cili angazhohet në organizimin operativ dhe logjistik të koncerteve dhe aktiviteteve të tjera të ansamblit.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të çmuar në kulturën shqiptare, Ansambli “Trojet” ka nderuar me statusin e anëtarit të nderit këta personalitete të shquara:
• Dr. Salih Sefa Diplomat, intelektual dhe veprimtar i shquar”
• Gani Bytyqi: Publicist dhe Krijues Letrar Shqiptar
• Ismet Krasniqi – Lala, artist i shpirtit shqiptar dhe mjeshtër i skenës

Një element i veçantë që e bën ansamblin unik është se ai përbëhet nga anëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, duke përfaqësuar një unitet të rrallë kulturor dhe kombëtar.
Ju personalisht, a jeni pjesë e ansamblit që nga fillimi?
Po, jam jo vetëm pjesë e ansamblit që nga fillimi, por edhe iniciatori dhe themeluesi i këtij institucioni kulturor. Që nga dita e parë, vizioni im ka qenë të krijojmë një ansambël të fortë, të organizuar dhe të dedikuar për ruajtjen e kulturës sonë në mërgatë.

Si e vlerësoni suksesin e Ansamblit deri më tani? Cilat janë sfidat më të mëdha në menaxhimin e një ansambli me rreth 100 anëtarë?
Suksesi i Ansamblit “Trojet” është i dukshëm dhe për t’u vlerësuar, por gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Jemi krenarë për çdo aktivitet dhe përfaqësim që kemi pasur, duke promovuar me përkushtim vlerat tona kombëtare dhe artistike. Çdo koncert, paraqitje apo aktivitet është një dëshmi e pasionit dhe punës së palodhshme të anëtarëve tanë.

Menaxhimi i një ansambli me rreth 100 anëtarë është një sfidë më vete, por falë një kryesie të përkushtuar dhe konstruktive, si dhe një angazhimi të jashtëzakonshëm të të gjithë anëtarëve, arrijmë të ruajmë organizimin dhe funksionimin e duhur të grupit. Një nga sfidat më të mëdha mbetet sigurimi i burimeve financiare, pasi i gjithë aktiviteti mbulohet në bazë të punës vullnetare dhe kontributit të anëtarëve.
Në këtë drejtim, përkushtimi me pasion i valltarëve, pagesa simbolike e anëtarësisë vjetore dhe angazhimi vullnetar i prindërve kanë qenë faktorë kyç për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe mbulimin e shpenzimeve të ansamblit gjatë koncerteve. Pavarësisht sfidave, puna dhe përkushtimi i të gjithëve na mundëson të vazhdojmë rrugëtimin tonë me dinjitet dhe të jemi të kënaqur me arritjet tona.

Nga të gjitha programet dhe aktivitetet që keni realizuar, cili mendoni se ka qenë më i suksesshmi?
Është e vështirë të veçohet një aktivitet si më i suksesshmi, pasi secili program ka pasur rëndësinë dhe vlerën e vet. Megjithatë, do të përmendja me krenari pjesëmarrjen e ansamblit “Trojet” në Festivalin Shqiptaro-Amerikan në Detroit, si dhe koncertin e fundit ikoncert madhështor të organizuar për festën e 28 Nëntorit.
A bashkëpunoni me shoqata të tjera kulturore në Zvicër apo jashtë saj?
Po, bashkëpunimi me shoqata të tjera është një element i rëndësishëm i veprimtarisë sonë. Kemi ndërtuar ura të forta bashkëpunimi jo vetëm me shoqëri kulturore në Zvicër, por edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto lidhje na kanë mundësuar shkëmbim përvojash dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore.

A keni pasur ndonjëherë mbështetje nga institucionet e Kosovës?
Po, kemi pasur mbështetje morale dhe bashkëpunime të ndryshme me institucionet e Kosovës. Kemi realizuar 2-3 koncerte në bashkëorganizim me ta, gjë që tregon vëmendjen e shtetit ndaj ruajtjes dhe promovimit të kulturës në diasporë.
Nëse do të kishit mundësinë të kërkonit diçka nga shteti i Kosovës për mbështetjen e kulturës në diasporë, çfarë do të ishte ajo?
Do të kërkoja mbështetje profesionale për trajnimet e grupit artistik, në mënyrë që të kemi mundësi të përmirësojmë nivelin e interpretimit dhe të mirëmbajmë traditat tona folklorike.

Si e shihni gjeneratën e re të shqiptarëve në mërgim? A ka interes për ruajtjen e traditave dhe kulturës?
Gjenerata e re e shqiptarëve në mërgim është shumë premtuese. Shumë prej tyre janë të arsimuar dhe të përkushtuar për të ruajtur traditat dhe kulturën tonë. Vërehet një interesim i madh, veçanërisht në mesin e të rinjve që angazhohen në aktivitete kulturore dhe artistike.
Shumë aktivitete kulturore organizohen pa përfitime financiare. Mendoni se edhe gjeneratat e ardhshme do të angazhohen në këtë mënyrë?
Po, besoj se fryma vullnetare do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne në “Trojet” nuk jemi një ansambël komercial dhe çdo koncert që organizojmë për festat kombëtare si 28 Nëntori dhe 17 Shkurti është pa pagesë. Kjo është një mënyrë për të nderuar historinë tonë dhe për të ruajtur identitetin tonë kombëtar.

Sipas jush, ku duhet të investohet më shumë për rininë shqiptare në mërgim?
Investimi më i madh duhet të bëhet në edukimin kulturor dhe artistik të të rinjve. Duhet të krijohen më shumë hapësira për aktivitete kulturore, si dhe mbështetje për mësimin e gjuhës shqipe dhe historisë kombëtare.
A keni planifikuar ndonjë koncert së shpejti, qoftë në Zvicër apo në ndonjë vend tjetër?
Deri në nëntor nuk kemi planifikuar ndonjë koncert, por kemi aktivitete të ndryshme kulturore. Në muajin prill, me rastin e përvjetorit të themelimit, do të hapim dyert për vizitorë dhe miq që dëshirojnë të njihen më nga afër me punën tonë.

A mendoni se ka ardhur koha për organizimin e koncerteve apo garave mes ansambleve shqiptare në diasporë?
Po, një iniciativë e tillë do të ishte shumë e dobishme për ngritjen e cilësisë artistike dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. Megjithatë, duke qenë se jemi ansambël me një bagash artistik mjaft të pas, sfida mbetet mungesa e kohës për stërvitje intensive.
Në përmbyllje të kësaj interviste, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në ngritjen dhe zhvillimin e Ansamblit „TROJET“.

Një falënderim i veçantë shkon për anëtarët e rregullt dhe ish-anëtarët tanë, të cilët me përkushtimin dhe dashurinë e tyre për artin kanë qenë shtylla kryesore e ansamblit.
Mirënjohje të veçantë për artistët, këngëtarët dhe aktorët që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të japin shpirt e emocion skenës sonë.
Jemi thellësisht mirënjohës miqve tanë besnikë, të cilët na kanë përkrahur pandërprerë në rrugëtimin tonë artistik. Një falënderim i përzemërt shkon edhe për artëdashësit tanë, të cilët na kanë nderuar me prezencën dhe mbështetjen e tyre në çdo koncert.
Falënderojmë veprimtarët kulturorë dhe atdhetarët për përkrahjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm. Një falënderim i veçantë për institucionet shtetërore të Kosovës, të cilat kanë qenë gjithmonë pranë nesh, si dhe për institucionet mediatike që i japin zë dhe promovojnë aktivitetet tona kulturore.
Gjithashtu, një mirënjohje e veçantë shkon për sponsorët tanë, të cilët me mbështetjen e tyre financiare na ndihmojnë që aktivitetet tona të zhvillohen me më shumë lehtësi dhe sukses.
Së fundmi, por jo më pak të rëndësishëm, falënderojmë me zemër të gjithë fëmijët që janë pjesë e ansamblit tonë – të mrekullueshmit tanë, ajka e së ardhmes shqiptare në mërgatë! Po ashtu, një falënderim i veçantë për prindërit e tyre, të cilët me përkrahjen e tyre të pakursyer janë shtylla kryesore e vazhdimësisë sonë.
Një falënderim i veçantë për mikun tonë të nderuar, PhD. Dashnim Habibi, për këtë intervistë vlerësuese për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “TROJET”. Le të punojmë me përkushtim që të na vlerësojë e ardhmja! Me respekt dhe minjohje Zeqë Gashi, Ansambli i këngeve dhe valleve „TROJET“ Winterthur.
Nga SAM24.info