Diagnostikimi në kohë i kancerit të gjirit rrit shanset për mbijetesë. Në një kohë kur rastet në rang global janë në rritje, “Koha për gjirin” është projekti më i ri i prezantuar gjatë një konference mes aktorëve kryesorë të shëndetësisë, me synim parandalimin e kancerit të gjirit.
Projekti pilot i shtrirë në 15 farmaci në rang kombëtar, 3 prej të cilave në Tiranë, vjen në formën e një pyetësori nga farmacistë të trajnuar dhe do të shërbehet falas.
“Është përgatitur një pyetësor i strukturuar, ku çdo grua që do të paraqitet në farmaci do të japë disa të dhëna. Për ato gra, të cilat do të kenë një incidencë më të lartë, do të vijojë me konsultat dhe trajtimet e mëtejshme”, u shpreh Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Dëfrim Goma.
Sipas të dhënave, në Shqipëri rastet e kancerit të gjirit kanë ardhur gjithnjë e në rritje, por sipas Alban Yllit, lajm i mirë është rritja e numrit të të mbijetuarve.
“Ne kemi arritur në përfundimet se projeksionet e këtij lloj kanceri në të ardhmen e afërt do të jenë në rritje. Ky është një kancer i cili në Shqipëri do të vijojë të rritet, çfarëdo të bëjmë ne. Edhe programet e depistimit ndikojnë në shtimin e numrit të rasteve të reja që hasim, në mënyrë pak artificiale. Mesatarisht, gjatë 10 viteve të fundit, kemi 2% më shumë raste të reja të diagnostikuara. Më shumë se 70% e grave që diagnostikohen me kancer gjiri mbijetojnë, pra mbijetesa ka arritur në 73%”, u shpreh ekspert i Shëndetit Publik, Alban Ylli.
Ky projekt, i cili zbatohet për herë të parë në vend, synon të shtrihet edhe në Itali.
“Kjo është një tjetër përballje, për të arritur të parët në komunikimin e diagnozës, duke i dhënë pacientit mundësinë e shërimit përfundimtar nga kjo sëmundje. Kjo situatë është e pranishme në të gjithë botën, dhe jam i kënaqur që ky program nis zbatimin në Shqipëri, ku falë rezultateve të arritura mund ta shtrijmë edhe në Itali”, mjeku italian Oreste Buonomo.
Ky shërbim, në prag të fushatave për tetorin rozë, është një hap përpara në ndërtimin e një kulture të re të parandalimit në komunitet. / Elda Lamja/rtsh