Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, theksoi në emisionin “Zëri i Diasporës” në RTSH 1 se me një pjesëmarrje më aktive të diasporës shqiptare në politikën e brendshme mund të bëheshin ndryshime të madha.
Duke folur për kontributin e emigrantëve në ekonominë e vendit tonë, Xhepa shprehu nevojën për politika konkrete, që të kanalizojnë flukset e parasë prej emigrantëve.
“Diaspora shqiptare ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit përgjatë tre dekadave të fundit. Për shumë kohë emigracioni është parë si zgjidhje e vetme për problemin e papunësisë, teksa dërgesat drejt familjeve në vend kanë zënë një peshën kryesore. Kontributi i Diasporës në ekonominë e vendit ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm në tërheqjen e gjithë karrocës së ekonomisë së vendit.”
I pyetur rreth politikave të duhura të përthithjes së kontributeve financiare nga diaspora, sidomos në sektorin e ndërtimit, Xhepa u shpreh se “ky model lidhet me mangësinë e madhe të trashëguar, ku shtrëngesa për banesa ka qenë një nga synimet kryesore për çdo familje për të rritur cilësinë e jetesës”.
“Ka pasur më shumë se një kurorë në një banesë, të cilët kanë jetuar në kushte të vështira. Nevoja që kemi pasur ka shërbyer si model sjelljeje dhe është reflektuar nga sistemi i kaluar.
Vlerësohet që 1.5 milion shqiptarë janë jashtë Shqipërisë, çka e bën një nga komunitetet më të mëdha të rajonit që është në emigrim dhe me politika më të mençura do të kishim një ekonomi më të fortë”.
Për sa i përket kthimit të diasporës shqiptare, Xhepa tha që është një proces afatgjatë.
“Është shumë e kollajtë që t’i dëbosh njerëzit nga vendi, pra për shkak të politikave jo të mira të ndjekura dhe në një botë kur liria e lëvizjes është e madhe, njerëzit do të largohen me njëherë. Por që të pretendosh që ata të rikthehen në radhë të parë duhet të vendosim rregull në shtëpinë tonë, pra të rregullojmë ato faktorë për të cilët ata ikën. Në momentin kur ne do të rregullojmë këta faktorë, ata do të kthehen në mënyrë krejt të natyrshme. Ne nuk jemi vendi i parë ku ndodh kjo. Si modeli më i suksesshëm i rikthimit janë irlandezët, italianët etj.”
Por në thelb, u shpreh xhepa, eksperienca e fituar nga emigrantët jashtë vendit duhet të implementohet në vendin tonë.
“Ajo që ne duhet të bëjmë është që t’u japim garanci këtyre individëve se kur të vijnë nuk do të kenë burokracira, nuk do të kenë sorollatje. Do të kenë lehtësira për të hapur një biznes.”
Duke vlerësuar numrin e madh të Diasporës për zgjedhjet e 11 majit, Xhepa mendon se këtë interesimi i madh nga emigrantët tanë që jetojnë jashtë e ka bërë jo vetëm se është hera e parë por ata janë ndjerë të vlerësuar nga vendi i tyre.
“Shpresoj që mos të zhgënjehen dhe të ketë ulje interesi në zgjedhjet e tjera. Nëse do të ketë një pjesëmarrje me aktive realisht mundësia e Shqipërisë për të bërë ndryshime të rëndësishme për të bërë ndryshime në politikat tona të brendshme do të jetë më e fortë dhe më pozitive, njofton rtsh.