BallinaAktualitetiXhan Aliu, talenti nga Kamenica që po ngjitet drejt majës së futbollit...

Xhan Aliu, talenti nga Kamenica që po ngjitet drejt majës së futbollit zviceran

-

Nga: Dashnim HEBIBI

Zürich, 20 gusht 2025 – Futbollistët shqiptarë po shkruan faqe të reja krenarie në Zvicër. Emri më i ri që po troket fuqishëm në arenën e futbollit helvetik është Xhan Aliu, sulmuesi i ri me prejardhje nga Komuna e Kamenicës, i cili ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me klubin e njohur FC Wil. Ky hap është dëshmi se puna, përkushtimi dhe talenti nuk mbeten pa u shpërblyer.

Rrugëtimi i Aliut nuk ka qenë i lehtë, por gjithmonë i mbushur me pasion. Ai spikati në moshë të re te Grasshopper U18, duke treguar instinkt golashënues dhe lojë me shumë energji. Më pas, përvoja me St. Gallen II i dha forcë e siguri, duke hapur kështu dyert për një klub me traditë si FC Wil. Sot, ai është gati të tregojë se shqiptarët kanë vend meritor në futbollin zviceran.

Ky kapitull i ri na kujton se Zvicra ka qenë dhe mbetet tokë e mundësive për futbollistët shqiptarë. Emra si Milaim Rama, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Pajtim Kasami, Ardon Jashari e shumë të tjerë kanë treguar me vite se me punë, modesti e sakrificë, shqiptarët jo vetëm që adaptohen, por shkëlqejnë në fushat zvicerane dhe ndërkombëtare. Tani, ky rrugëtim po vazhdon edhe me gjeneratën e re, ku Xhan Aliu është një prej yjeve në ngjitje.

Një meritë të veçantë ka edhe menaxheri i tij, Besim Ramadani, i cili përveçse afarist dhe bamirës, është i njohur për përkushtimin që tregon ndaj talentëve shqiptarë. Ramadani është menaxher i agjencisë BB Sportsmanagement, e cila ka dhënë një kontribut të madh në këtë proces. Ai nuk la pa falënderuar stafin e agjencisë dhe familjen e futbollistit për dakordimin dhe miqësinë e sinqertë që kanë treguar deri në këtë sukses.

Në një prononcim për sam24.info, Ramadani foli me sinqeritet dhe emocion:

“Nuk dua të bëj pompozitet për veten, por për talentet e rinj. Jam munduar dhe do të mundohem të hap rrugë për sportistët tanë, që të krenohemi me sukseset e tyre. Ky është një lajm senzacional – Xhan Aliu do të tregojë shumë, por duhet të punojë fort dhe të mbetet modest. Kemi edhe plane të tjera, por ato do t’i zbulojmë vetëm pasi të shohim suksesin e tij. Nga Zvicra kemi mësuar se suksesi nuk vjen me hatër, por me meritë. Dhe kjo është një mësim i madh për të gjithë ne.”

Ramadani theksoi se me mbështetjen e miqve dhe partnerëve në Zvicër, është duke punuar që edhe shumë futbollistë shqiptarë të tjerë të kenë mundësinë të depërtojnë në futbollin profesionist. “Ditë të mira na presin – duhet të punojmë shumë dhe të flasim më pak,” u shpreh ai.

Ky lajm ka gëzuar jo vetëm komunitetin sportiv të Kamenicës, por të gjithë dashamirët e futbollit shqiptar, sepse historia po përsëritet: edhe një djalosh i ri shqiptar po i hap rrugë suksesit në Zvicër. Dhe nëse e ardhmja e tij do të lidhet me kombëtaren zvicerane, atë shqiptare apo me Kosovën, kjo do të shihet më vonë. Por një gjë është e qartë – Xhan Aliu është një yll në ardhje dhe një shembull krenarie për të gjithë ne.

Enkas për SAM24.info

Loading posts…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Në Konsullatën e Kosovës në Cyrih promovohet libri autobiografik “Për Kosovën...

0
Dëshmi për sakrificën, qëndresën dhe rrugëtimin historik drejt lirisë së Kosovës Më 15 nëntor 2026, në kuadër të aktiviteteve kushtuar Nëntorit të Flamurit, në ambientet...