Përgaditi: D.H /Sam24.info, Zürich
Preshevë, 28 korrik – Presheva ka pasur nderin të mirëpresë Kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka, në kuadër të Turneut të Luginës për grupmoshat U7 deri U13. Kjo vizitë është një burim frymëzimi dhe shprese për rininë e Luginës së Preshevës. Kjo trevë ka pasur dhe ka ende talentë, por për shkak të mundësive të kufizuara, duke e ditur se ku dhe si po jetohet në këto treva, shumë prej tyre nuk kanë mundur të shkojnë më tej me karrierën e tyre.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, theksoi rëndësinë e këtij turneu për zhvillimin e sporteve tek të rinjtë dhe krijimin e mundësive për të rinjtë sportdashës të shprehin talentin e tyre. Ajo shprehu falënderimet për angazhimin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve për të siguruar infrastrukturën e nevojshme dhe mundësitë që do të lejojnë që shumë talente të reja të kenë mundësi të arrijnë majat e futbollit.
Për më tepër, gjatë vizitës u realizua një takim shumë konstruktiv, ku u diskutuan mënyrat e avancimit të futbollit në komunën e Preshevës, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetje për grupmoshat e reja. Ky takim, siç u tha në fjalën e Kryetares Sinani, është një hap i rëndësishëm për të rinjtë tanë, që mund të hapë mundësi të reja dhe t’i nxjerrë ata në dritën e suksesit.

Faleminderit për mbështetje dhe vëmendje ndaj potencialit të fëmijëve dhe të rinjve sportdashës që po kontribuojnë për një të ardhme më të ndritur!
Fjala e plotë e znj.Sinani:
“Në kuadër të vizitës në Preshevë me rastin e Turneut të Luginës në futboll për grupmoshat U7 deri U13, sot patëm kënaqësinë të presim në kabinet, së bashku me delegacionin nga Komuna e Preshevës, Kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka, Ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, z. Bardhyl Canaj, si dhe gazetaren e njohur sportive znj. Anila Basha.

Gjatë takimit biseduam për rëndësinë e këtij turneu si nismë për forcimin e sportit tek të rinjtë, për bashkëpunimin institucional dhe për mënyrat konkrete se si mund të avancojmë infrastrukturën dhe zhvillimin e futbollit në Komunën e Preshevës.

Faleminderit për vizitën, përkrahjen dhe vëmendjen ndaj potencialit të fëmijëve dhe të rinjve tanë sportdashës!”

SAM24.info