/ Përgaditi: Dashnim HEBIBI /
Cyrih, 30 maj 2025 – Në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih u zhvillua një takim i veçantë, ku Shefi i Misionit Konsullor, z. Vigan Berisha, mirëpriti veteranin e luftës çlirimtare, z. Vllaznim Zenuni.
Z. Zenuni, i cili iu përgjigj thirrjes së atdheut menjëherë pas përfundimit të gjimnazit, është ndër ata të rinj që në kohët më të vështira për vendin, vendosën të kontribuojnë për lirinë e Kosovës. Në këtë takim, u theksua rëndësia e kujtesës historike dhe nderimi për sakrificën e brezit që i dha Kosovës themelet e shtetësisë.
“Takime si ky na kujtojnë rrugëtimin e vështirë, por të lavdishëm të popullit tonë drejt lirisë. Mirënjohja për ata që kanë kontribuar për atdheun është e përjetshme”, u shpreh z. Berisha.
Ai theksoi se Konsullata e Kosovës në Cyrih mbetet e përkushtuar për të qenë pranë mërgimtarëve në çdo situatë, duke vlerësuar lart kontributin e tyre për vendin dhe për çështjen kombëtare. Z. Berisha njihet për afërsinë e tij me komunitetin dhe gatishmërinë për të mirëpritur çdo qytetar që ka dhënë kontribut për Kosovën, duke e bërë këtë institucion një adresë të hapur për të gjithë. / SAM24.info