Më 30 gusht 2025, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, Sekretari i Parë, z. Valon Gashi, priti në takim Kryesinë e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër (LSHPMBZ).
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore e bashkëpunuese, ku në qendër të diskutimeve ishte puna tre-mujore e Kryesisë së re të Lidhjes, si dhe projektet e saj për vitet 2025–2026. Një moment i veçantë i këtij takimi ishte bashkimi zyrtar i Shoqatës “Bushtrani” nga komuna e Preshevës me Lidhjen, duke forcuar kështu edhe më tej rrjetin e shoqatave shqiptare të Luginës së Preshevës në Zvicër. Marrëveshja u firmos nga përfaqësuesit e Shoqatës, z. Alit Aziri dhe z. Abdullah Esati, si dhe nga Kryetari i LSHPMBZ, z. Tefik Selmani.
Në takim morën pjesë gjithashtu anëtarët e Kryesisë së Lidhjes: z. Ardian Asllani, z. Fadil Selmani, z. Adnan Imeri dhe z. Besnik Avdiji. Pas aktit të firmosjes, takimit iu bashkuan edhe përfaqësuesit e Asociacionit Qytetarë Bujanoci në Zvicër, z. Memet Qazimi dhe z. Lulzim Abazi, të cilët shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për një kontribut më të gjerë e për një angazhim edhe më të intensifikuar në kuadër të Lidhjes.
Si pritës i këtij takimi, z. Gashi shprehu mirënjohjen e tij të veçantë për punën e palodhur të shoqatave, duke theksuar se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë mbetet e angazhuar të mbështesë çdo nismë që synon forcimin e unitetit, bashkëpunimit dhe përfaqësimit dinjitoz të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ai nënvizoi se një bashkëpunim i tillë është i domosdoshëm për ruajtjen e identitetit kombëtar, për mbështetjen e diasporës dhe përfaqësimin e denjë të saj para institucioneve zvicerane dhe ndërkombëtare. /ASH