Zürich, 03 Korrik 2025 – Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” me seli në Zvicër përcjell përgëzimet dhe urimet më të përzemërta për zgjedhjen e kryesisë së re të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (OVL-UÇPMB), të mandatuar më 30 qershor 2025 në Kuvendin e IV-të Zgjedhor të mbajtur në Preshevë.
Z. Vllaznim Behluli, i zgjedhur si kryetar i ri i OVL-së, gëzon respektin tonë të plotë për të kaluarën e tij si ish-ushtar i UÇPMB-së dhe për përkushtimin ndaj kauzës kombëtare. Urojmë që mandati i tij të jetë i suksesshëm, në frymën e unitetit, përgjegjësisë dhe angazhimit për të ruajtur dhe çuar përpara idealet për të cilat u flijuan dëshmorët tanë.

Njëherit, shprehim mirënjohje të thellë për ish-kryetarin z. Nazmi Hajredini, veprimtar i dëshmuar dhe bashkëpunëtor i afërt i mërgatës, për kontributin e tij të çmuar dhe të faktuar me punë e rezultate konkrete. I dëshirojmë shëndet, jetë të gjatë dhe jemi të bindur se përvoja dhe këshillat e tij do të jenë gjithmonë burim frymëzimi për brezat që vijnë dhe për udhëheqësinë e re.
Shoqata jonë do të qëndrojë gjithmonë në mbështetje të çdo nisme që mbron dinjitetin, historinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara drejt qëllimeve të përbashkëta kombëtare.
Me respekt,
Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” – Zvicër
Kryetar: PhD. Dashnim HEBIBI
Zürich, 03 korrik 2025 /
Fjala e z. Nazmi Hajredini gjatë Kuvendit;

Të nderuar anëtarë të Kuvendit,
Të nderuar bashkëluftëtarë, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues institucionalë dhe të pranishëm të nderuar,
Sot jemi mbledhur këtu jo vetëm për të mbajtur një Kuvend Zgjedhor, por për të ripërtërirë angazhimin tonë ndaj një kauze që nuk shuhet me kohën, ndaj një ideali që mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë – lirinë, dinjitetin dhe të drejtën tonë për të jetuar si shqiptarë të barabartë në trojet tona etnike.
Që nga themelimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së në vitin 2004, rrugëtimi ynë ka qenë i mbushur me sfida të shumta – që nga përballja me strukturat represive të shtetit serb, ndjekjet dhe burgosjet politike, deri te mungesa e përkrahjes institucionale dhe përpjekjet për ta përdorur emrin dhe misionin tonë për interesa të ngushta politike.
Përkundër këtyre sfidave, përkushtimi i përfaqësuesve tanë dhe mbështetja modeste nga njerëzit me vullnet të mirë, si dhe nga Shoqata e Humanitare⁷ “Lugina e Preshevës”, kanë bërë të mundur që organizata jonë të mbijetojë dhe të veprojë me dinjitet. Aktivitetet tona – nga organizimi i homazheve e akademive përkujtimore, tek ndihma për familjet e dëshmorëve dhe kujdesi për trashëgiminë e luftës sonë – janë realizuar me mjete modeste, por me shpirt të madh dhe përkushtim të sinqertë.
Duhet ta pranojmë me realitetin e hidhur: shumë prej përpjekjeve tona janë zhvilluar pa asnjë mbështetje nga pushteti vendor dhe institucionet tjera s⁷imotra në rajon. Zyrat tona, shpenzimet tona, udhëtimet dhe përfaqësimet janë mbuluar nga vetë angazhimi dhe sakrifica e anëtarëve të organizatës. Kjo tregon më shumë se çdo fjalë: se ne nuk jemi përfitues, por bartës të një ideali të shenjtë.
Të nderuar të pranishëm,
Lufta jonë nuk ka përfunduar me ndalimin e armëve. Ajo vazhdon përmes betejës për të drejta, për kujtesë historike, për drejtësi dhe për bashkim kombëtar. Vetëm gjatë viteve të fundit, kemi organizuar disa protesta për të ngritur zërin përballë diskriminimit dhe padrejtësive që vazhdojnë të ushtrohen ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Edhe atëherë, shpesh kemi qenë të vetmuar në këtë qëndresë, përballë një heshtjeje politike të pajustifikueshme. Ne muk kemi heshtur. Zëri jonë nuk ka munguar. Përkundrazi, me dinjitet dhe moral kombëtar jemi bërë zëdhënësit më besnik të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore.
Një duhet të jetë e qartë! Ne asnjëherë, në asnjë rast nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë kompromis me idealet e luftës çlirimtare. Kauza jonë është më e madhe se çdo lloj pozite apo interesi afatshkurtër. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë respektimin e vullnetit politik të shqiptarëve të Luginës për dhe bashkëngjitje me Kosovën – siç u shpreh me referendumin e vitit 1992 dhe me gjakun e dëshmorëve tanë.
Sot, me këtë Kuvend, ne nuk zgjedhim thjesht një kryesi të re. Sot rinisim një kapitull të ri të angazhimit dhe bashkërendimit. Uroj nga zemra që kryesia e re të mos përballet me të njëjtat sfida si ne, por për këtë nevojitet mobilizim i të gjithëve: për më shumë mbështetje materiale, njerëzore, intelektuale e kulturore. Vetëm të bashkuar mund të vazhdojmë të ruajmë dhe të kultivojmë amanetin e dëshmorëve dhe të ushtarëve të gjallë të UÇPMB-së.
Të dashur vëllezër e motra,
Kujtesa jonë historike është armë. Ajo është udhërrëfyes. Ajo është amanet. E kemi për detyrë morale, njerëzore dhe kombëtare që të mos lejojmë të shuhet kujtimi për ata që dhanë gjithçka për liri. Idealistët e kësaj toke na lanë një trashëgimi të shenjtë – bashkimin kombëtar. Është obligimi ynë të punojmë për të.
Prandaj, le ta shndërrojmë këtë kuvend në një moment kthese, një moment bashkimi e zotimi të ri. Të vazhdojmë së bashku me besim në drejtësinë e kauzës sonë, me përkushtim ndaj brezave që vijnë dhe me nderim për ata që ranë.
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Rroftë lufta jonë çlirimtare!
Rroftë UÇPMB-ja!
Zoti qoftë me shqiptarët.
Ju faleminderit për besimin dhe përkushtimin tuaj!
30. 06. 2025, Preshevë – z. Nazmi Hajredini
Kryetar i OVL UÇPMB – së
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Preshevë, 30 qershor 2025
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (OVL e UÇPMB-së)
Vllaznim Behluli zgjidhet kryetar I OVL-ës së UÇPMB – së në Preshevë
Sot, më 30 qershor 2025, në Preshevë, u mbajt Kuvendi i IV-të Zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së. Ky kuvend, me pjesëmarrje të anëtarëve dhe përfaqësuesve nga të gjitha vendbanimet u zhvillua në frymën e unitetit dhe përgjegjësisë për vazhdimin e rrugës së filluar nga brezat që sakrifikuan për liri dhe dinjitet kombëtar.
Me shumicë votash, kryetar i ri i OVL-së u zgjodh z. Vllaznim Behluli, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ndërkohë, për nënkryetar u zgjodh z. Qenan Abazi. Kuvendi zgjodhi gjithashtu përbërjen e re të Kryesisë së OVL-së.
Në fjalimin e tij pas votimit, kryetari i sapozgjedhur Behluli falënderoi për besimin dhe theksoi se këtë detyrë do ta kryejë me përkushtim dhe ndershmëri, në përputhje me statutin dhe parimet e organizatës. Ai shprehu angazhimin për të forcuar rolin e OVL-së në ruajtjen e vlerave të luftës dhe përkrahjen e brezave të rinj në përballje me sfidat aktuale.
Me këtë rast, Kuvendi e nderoi me mirënjohje ish-kryetarin z. Nazmi Hajredini, për kontributin dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të tij. Në fjalën e tij, z. Hajredini theksoi se:
“Lufta jonë nuk përfundon me ndalimin e armëve. Ajo vazhdon përmes betejës për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për kujtesën historike dhe për bashkimin kombëtar. Kauza jonë është më e madhe se çdo pozitë apo interes afatshkurtër.”
Në përmbyllje, ai u bëri thirrje të gjithëve për unitet, përkushtim ndaj brezave të rinj dhe nderim të përhershëm për dëshmorët e rënë për liri.
Me respekt,
Kryesia e OVL-së së UÇPMB-së – Preshevë