Nga: Dashnim HEBIBI
Edhe në prag të pushimeve verore, diplomacia konsullore e Kosovës forcon lidhjet lokale në Zvicër.
Winterthur, 07 korrik 2025 – Shefi i misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, e nisi javën me një takim të veçantë me një personalitet të dashur për qytetarët e Winterthurit dhe të respektuar nga komuniteti shqiptar atje – kryetarin e qytetit, z. Michael Künzle.
Ky takim u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të fuqizuar bashkëpunimin me institucionet lokale zvicerane dhe për të rritur përfshirjen aktive të mërgatës shqiptare në jetën shoqërore dhe institucionale të qytetit.
Z. Berisha theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi duke u ndalur veçanërisht tek afërsia që kryetari Künzle ka treguar me komunitetin shqiptar, në veçanti me Shoqërinë Kulturore-Artistike “Dardania” në Winterthur dhe “Trojet” – një simbol i trashëgimisë dhe përkushtimit të mërgatës sonë në Zvicër.
“Takimi me Kryetarin e qytetit të Winterthurit, z. Michael Künzle, ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar mbi përfshirjen e mërgatës sonë dhe për të hapur rrugë të reja bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët,” – u shpreh z. Berisha.
Në përmbyllje të takimit, z. Berisha falënderoi z. Künzle për mikpritjen dhe gatishmërinë e tij për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes qytetit të Winterthurit dhe Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih.
SAM24.info