Në këtë takim, ku morën pjesë kryetarët e dy shoqatave, z. Shefqet Cakolli “DARDANIA” dhe z. Nagip Memedi “ILIRIA”, së bashku me anëtarët e kryesive përkatëse, u diskutua gjerësisht mbi përgatitjet paraprake për Festivalin e Diasporës, i cili do të mbahet më 31 janar – 01 shkurt 2026 në qytetin Engelburg të St. Gallenit.

Tema qendrore e diskutimit ishte ndarja e detyrave, koordinimi i aktiviteteve dhe përcaktimi i një plani të përbashkët veprimi, i cili do të garantojë një organizim sa më të suksesshëm dhe të nivelit të lartë. Të dy kryesitë u dakorduan që ky festival të mos jetë thjesht një ngjarje kulturore, por një urë lidhëse për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar në mesin e komunitetit shqiptar në diasporë.
Ky bashkëpunim i rrallë mes dy shoqatave është vlerësuar si një hap i madh përpara, duke treguar se përmes unitetit, përkushtimit dhe punës së përbashkët mund të arrihen rezultate të jashtëzakonshme. Organizimi i Festivalit të Diasporës pritet të sjellë një program të pasur me aktivitete artistike, muzikore dhe kulturore, duke ofruar emocione të paharrueshme për pjesëmarrësit.
Me synimin për të bashkuar shqiptarët e diasporës dhe për të forcuar lidhjet kulturore e shoqërore, ky festival pritet të mirëpritet ngrohtësisht nga komuniteti, ndërsa është një ngjarje që meriton përkrahjen e të gjithëve.
Pa dyshim, ky organizim i jashtëzakonshëm do të shënojë një faqe të re në jetën kulturore të shqiptarëve në Zvicër dhe më gjerë, duke e kthyer Engelburgun për dy ditë në një qendër të gjallë të kulturës, traditës dhe krenarisë shqiptare.