/ Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Teksa festat e Pashkëve po afrojnë dhe me to edhe pushimet e shkollave, aeroporti i Cyrihut është stërmbushur me jetë, emocione dhe zëra shqip. Mërgata shqiptare, si çdo vit, mezi pret këtë kohë për t’u kthyer në atdhe. Vetëm sot pasdite, katër aeroplanë janë nisur për në vendlindje – dy për Prishtinë dhe dy për Shkup – të mbushur përplot me zemra që rrahin me mall, me dhurata, me kujtime. Gjithashtu në mëngjes.
Mes atyre që u panë rreth orës 16.30 duke u nisur për në Prishtinë, ishte edhe një figurë që nuk kalon pa u vërejtur: Prof. Dr. Xhavit Lipaj, personalitet i rrallë, i vlerësuar jo vetëm në Zvicër, por në të gjithë botën shqiptare, për kontributin e tij akademik, njerëzor dhe kombëtar.

Këtë herë, udhëtimi i tij kishte një peshë të veçantë – një plagë që nuk shërohet, por vetëm thellohet me kohën. Profesori po kthehej në Kosovë për përvjetorin e ndarjes nga jeta të nënës së tij, zonjës Salë Lipaj, nënës që e rriti me duar të lodhura por zemër të madhe, dhe që u vra nga dora gjakatare serbe, bashkë me disa familjarë të tjerë gjatë luftës.

Xhavit Lipaj nuk fliste shumë. Ai është nga ata njerëz që nuk bëjnë zhurmë, por lënë gjurmë. Dhimbjen nuk e thotë me fjalë – e ka thurur në libër me shpirt të shpuar nga dhimbja. Një libër të shkruar me lotë, që i flet shpirtit të çdo shqiptari, se prindërit janë të shenjtë. Ai libër, kushtuar nënës Salë, është një himn për dashurinë, sakrificën dhe nënën shqiptare. Një libër që nuk lexohet – por ndjehet.
Bashkë me bashkëshorten dhe vjehrrën, ai po nisej për të çuar lule të freskëta te varri i nënës. Por më shumë se kaq – për të dëgjuar në heshtje hapat e saj, për të kujtuar duart e saj të buta që e rritën, që gatuan, përqafimet e saj të ëmbla dhe buzëqeshjen që e ka ruajtur si dritë në shpirt.
“Flas me shpirtin e nënës, shpesh,” na tha me zë të ulët. “Nuk e harroj për jetë.”
Zvicra ia hapi dyert, por zemra e tij kurrë nuk u nda nga Kosova. Ai është bir i Kosovës dhe i Dardanisë. Një personalitet me mendje të ndritur, por me shpirt të thellë si rrënjët e lisave të Dukagjinit.
Ai u nis për në atdhe. Siç u nisën edhe shumë të tjerë – që i shihnim në aeroport, disa pleq me rrudha që bartnin dhimbje, të rinj që qeshnin me entuziazëm, gra me fëmijë që shpresonin të preknin pragun e shtëpisë së prindërve. Mërgata jonë, me çanta andej e çanta këndej, siç tha një i moshuar që e takuam – jeton mes dy botëve, por gjithmonë kthehet aty ku zemra gjen paqe.
Prof. Dr. Xhavit Lipaj është shembull i gjallë i një shqiptari që nuk e harroi asnjëherë kush është, nga vjen, e kë përfaqëson. E në këtë udhëtim, ai nuk shkoi vetëm – me të ishte e gjithë historia jonë, dhimbja jonë, dashuria jonë për nënën, për tokën dhe për lirinë. Nuk ka si atdheu, vlerën më shumë ia dijmë, kur jemi larg saj fizikisht.
( Së shpejti një përshkrim me fjalë që peshojnë mall e kullojnë kujtime nga një udhëtim me aeroplan në drejtimin Zürich-Prishtinë)
SAM24.info