Trump mesazh Zelenskyt: `Ukraina s’hyn në NATO, Krimea nuk kthehet`

0
SHARES
6
VIEWS

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në kryeqytetin amerikan ku pritet të takohet me disa liderë evropianë në një takim kritik në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit të tij.

Pak orë më parë, Trump reagoi në rrjetin e tij Truth Social, duke vendosur më shumë presion mbi Zelenskyn. Ai shkroi se “Presidenti Zelensky i Ukrainës mund ta përfundojë luftën me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse do, ose mund të vazhdojë të luftojë. Kujtoni si filloi. Nuk ka kthim mbrapa për Krimenë e dhënë nga Obama (12 vite më parë, pa u qëlluar asnjë plumb!), dhe ASNJË HYRJE NË NATO NGA UKRINA. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë!!!”.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë vjen vetëm pak ditë pas takimit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska, në një aktivitet të shënuar me sfondin “pursuing peace”. Trump tha se ndihej i nderuar që do të priste kaq shumë liderë evropianë njëherësh, duke e quajtur ditën e sotme një “ditë të madhe”.

Ndërkohë, Zelensky dhe liderët evropianë shpresojnë që Trump të angazhohet për garanci të forta sigurie për Ukrainën, në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Një i dërguar i lartë amerikan deklaroi të dielën se Putin kishte pranuar mundësinë e një pakti sigurie “të ngjashëm me NATO-n” për Ukrainën, transmeton rtk.