Presidentët e SHBA-së dhe Ukrainës mund të takohen javën e ardhshme në Nju Jork gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Trump ka tentuar të nisë bisedime të drejtpërdrejta mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë, të cilat Kremlini i ka refuzuar në mënyrë të përsëritur.
Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky mund të zhvillojnë një takim në Nju Jork gjatë javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që nis më 22 shtator, deklaroi të martën Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Rubio tha se presidenti amerikan “po përpiqet të bëjë gjithçka të mundur për t’i dhënë fund luftës,” ndërsa agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës po hyn në vitin e katërt.
Trump dhe Zelensky u takuan për herë të fundit në Uashington më 18 gusht, në prani të liderëve europianë.
Pas atyre negociatave, presidenti amerikan tha se faza tjetër e përpjekjes diplomatike të nisur nga Shtëpia e Bardhë duhet të jenë bisedimet e drejtpërdrejta mes Zelensky-t dhe Putinit, qoftë në format bilateral apo në prani të vetë Trump-it.
Por Kremlini nuk ka treguar gatishmëri për të takuar presidentin e Ukrainës, duke e ftuar Zelensky-n në Moskë dhe duke refuzuar vendet e tjera.
Kievi e refuzoi propozimin për bisedime në Moskë, ndërsa Putin më pas deklaroi se një marrëveshje për territoret e pushtuara të Ukrainës ishte “e pamundur”.
I pyetur nëse një takim mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë mbetet në lojë, Trump tha të dielën se bisedimet e drejtpërdrejta janë “të pamundura”.
Zelenskyy ka përsëritur gatishmërinë e tij për të takuar Putinin. Kievi tha se disa vende janë marrë në konsideratë si opsione të mundshme, përfshirë Austrinë, Vatikanin, Zvicrën, Turqinë dhe tre shtete të Gjirit.
Mandati i arrestit i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Putinin për rrëmbimin e dyshuar të fëmijëve ukrainas e kufizon zgjedhjen e vendndodhjes, pasi ai rrezikon arrestimin në çdo nga 125 shtetet anëtare të gjykatës nëse shkel në territorin e tyre.
Disa prej tyre, përfshirë Zvicrën dhe Austrinë, janë shprehur të gatshme të bëjnë përjashtim dhe të mos e arrestojnë Putinin nëse ai shkon për një takim që mund të sjellë fundin e luftës kundër Ukrainës, transmeton euronewsal.