Numri i të papunëve afrohet në 140 mijë – më pak vende të lira pune dhe më shumë punonjës në skemën e orëve të reduktuara
Tregu i punës në Zvicër po përballet me sfida serioze. Numri i personave të papunë dhe atyre që kërkojnë punë është rritur ndjeshëm në muajin shtator, ndërsa numri i vendeve të lira ka rënë. Në të njëjtën kohë, po vërehet një shtim i personave që përfitojnë nga skema e punës me orar të shkurtuar (Kurzarbeit), çka tregon presion në sektorë të ndryshëm ekonomikë.
Papunësia në rritje të ndjeshme
Sipas të dhënave të publikuara nga Sekretariati Shtetëror për Ekonomi (Seco), në fund të shtatorit ishin të regjistruar 139.564 persona të papunë në Qendrat Rajonale të Punësimit (RAV). Kjo përbën një rritje prej 17,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – që do të thotë 19.988 persona më shumë pa punë.
Papunësia kishte nisur të rritej ndjeshëm që gjatë vitit të kaluar. Vetëm në shtator 2024, ishte shënuar një rritje prej 24,7% krahasuar me 2023. Shkalla e papunësisë aktualisht qëndron në 2,8%, ndërsa një vit më parë ishte 2,5%.
Gjysma e të papunëve janë shtetas zviceranë
Analiza sipas kombësisë tregon se papunësia prek si vendasit ashtu edhe të huajt. Nga numri total i të papunëve, 66.245 janë shtetas zviceranë, ndërsa 66.988 janë të huaj – një diferencë e vogël prej vetëm 743 personash. Nga punëkërkuesit e huaj, 82% janë me origjinë nga vendet evropiane.
Shumë persona tashmë e kanë shfrytëzuar të drejtën për kompensim nga papunësia. Vetëm gjatë muajit korrik, 3.495 persona janë larguar nga sistemi i përfitimeve, duke e bërë situatën e tyre ekonomike edhe më të ndjeshme.
Rritje edhe më e madhe e numrit të personave që kërkojnë punë
Përveç të papunëve të regjistruar, numri i përgjithshëm i personave në kërkim të një vendi pune arriti në 213.750 – një rritje prej 15,9% ose 29.377 persona më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo e çon shkallën e kërkuesve të punës në 4,5%, nga 4% që ishte në shtator 2024.
Më pak vende pune të lira, më shumë orarë të shkurtuar (Kurzarbeit )
Në shtator, numri i vendeve të lira të publikuara në RAV ishte 37.372, që është 948 vende më pak se një vit më parë (rënia 2,5%). Sektori me më shumë mundësi punësimi mbetet ai i kujdesit shëndetësor, ndërsa sektorë të tjerë po ndjejnë presionin e uljes së kërkesës dhe taksave të reja.
Një tjetër tregues shqetësues është rritja e numrit të personave në punë të shkurtuar (Kurzarbeit). Në shtator 2025, në këtë skemë ishin 10.785 persona, në krahasim me vetëm 2.566 në shtatorin e kaluar. Kjo rritje lidhet kryesisht me taksat ndëshkuese të vendosura nga SHBA ndaj produkteve zvicerane, që kanë prekur drejtpërdrejt shumë kompani eksportuese.
Për t’u përballur me këtë situatë, Këshilli Kombëtar zviceran ka vendosur që periudha maksimale për marrjen e kompensimit për punë të shkurtuar të zgjatet nga 18 në 24 muaj, duke i dhënë më shumë kohë ndërmarrjeve për t’u përshtatur.
Rritja e shpejtë e papunësisë, rënia e vendeve të lira të punës dhe shtimi i Kurzarbeit-it janë shenja të një ftohjeje të tregut të punës zviceran, të ndikuar si nga faktorë të jashtëm (si taksat amerikane), ashtu edhe nga zhvillime të brendshme. Ndërkohë që përqindja totale mbetet relativisht e ulët në krahasim me shumë vende të BE-së, ritmi i rritjes është shqetësues dhe mund të ndikojë në ekonominë e përgjithshme në muajt në vijim, shkruan 20min.ch, transmeton sam24.info. (Foto ilustrim)
(Përgaditi D.H)