Shkruan: Esat Husaj, editor i TV DIASPORA me qendër në Berlin të Gjermanisë
“Kthimi në fenë e të parëve” në këtë formë, ndihmon planin serb për krijimin e zonave eksteritoriale në Kosovë
Fillimisht, idenë e një grupi qytetarësh nga Deçani për t’u konvertuar nga feja myslimane në atë të krishterë e kam mirëpritur, sepse liria fetare është një e drejtë themelore në çdo shoqëri demokratike. Çdo individ ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet shpirtërore.
Megjithatë, kjo çështje nuk mund të shihet vetëm si një vendim personal apo fetar. Në territorin e Kosovës ndodhen qindra monumente të trashëgimisë ortodokse që aktualisht administrohen nga Kisha Ortodokse Serbe. Disa historianë shqiptarë argumentojnë se shumë prej këtyre objekteve janë ndërtuar nga shqiptarët dhe më pas janë përvetësuar nga pushtuesit serb gjatë mesjetës.

Nëse kjo tezë qëndron, atëherë iniciativa për “kthimin në fenë e të parëve” duhet të ishte një rikthim në ritin ortodoks – jo në katolicizëm. Konvertimi në katolicizëm, në këtë kontekst historik, është jo vetëm i paqëndrueshëm logjikisht, por mund të keqinterpretohet dhe të përdoret si argument politik nga qarqe serbe, për të mohuar ekzistencën e shqiptarëve ortodoksë në të kaluarën.
Pse është kjo problematike?
Edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, Serbia vazhdon përpjekjet për të ruajtur ndikimin në Kosovë – qoftë përmes strukturave politike ilegale, qoftë përmes kishave dhe manastireve që gëzojnë status të veçantë juridik. Ka përpjekje të vazhdueshme që këto zona të shpallen si “zona me interes të veçantë” apo edhe si zona eksteritoriale, nën ndikimin direkt të Kishës Ortodokse Serbe.
Konvertimi në katolicizëm i disa shqiptarëve në zonën e Deçanit e nē disa pjesē tjera tē Kosovēs, mund të përdoret nga propaganda serbe për të mbështetur narrativën se shqiptarët ortodoksë nuk kanë ekzistuar kurrë në Kosovë – por janë thjesht “myslimanë të sjellë nga osmanët”.
Përvoja nga Zvicra dhe një propozim ndryshe
Gjatë një vizite në Zvicër, pata rastin të diskutoj këtë temë me disa bashkatdhetarë nga zona e Deçanit. U propozua që në vend të konvertimeve individuale pa lidhje me kontekstin historik, të kërkohej një meshë në gjuhën shqipe në Manastirin e Deçanit, me pjesëmarrjen e shqiptarëve ortodoksë. Edhe pse ishte e pritshme që një kërkesë e tillë të refuzohej nga prijësit e manastirit apo nga KFOR-i që e mbikëqyr objektin, si alternativë u diskutua mundësia e ndërtimit të një kishe provizore në afërsi të manastirit, për nevojat e këtij komuniteti.
Kjo do të ndihmonte në masovizimin dhe organizimin e Bashkësisë Fetare Ortodokse Shqiptare, tashmë e regjistruar zyrtarisht në Kosovë, dhe do të ishte një dëshmi e gjallë e ekzistencës së komunitetit shqiptar ortodoks në vend.
Përfundim
Është absurde që familje shqiptare, të cilat historikisht kanë ruajtur kishat ortodokse – përfshirë edhe Patriarkanën e Pejës – dhe të cilëve kisha serbe u ka dhënë tituj si “vojvodë”, sot të konvertohen në katolicizëm, duke injoruar ritin ortodoks të paraardhësve të tyre.
Prandaj, ky veprim i grupit të Deçanit, me vetëdije ose jo, ndihmon në përforcimin e narrativës serbe dhe minon përpjekjet për të vërtetuar trashëgiminë e shqiptarëve ortodoksë në Kosovë. / SAM24.info