Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Dr. Martin Berishaj, priti sot në ambientet e Ambasadës udhëheqësit e komunitetit shqiptar në Kroaci, të kryesuar nga Kryetari i Unionit të Shqiptarëve, z. Esad Çollaku, si dhe përfaqësues të shoqatave, bashkësive dhe këshillave shqiptare.
Gjatë takimit, Ambasadori Berishaj i informoi të pranishmit mbi vizitën zyrtare të Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, në Kroaci, e cila do të zhvillohet më 13 dhjetor 2024. Ai theksoi rëndësinë e takimeve të planifikuara të Kryeministrit Kurti me Kryeministrin kroat, z. Andrej Plenkoviq, Kryetarin e Parlamentit, z. Gordan Jandrokoviq, dhe Presidentin e Kroacisë, z. Zoran Milanoviq.
Gjatë vizitës, do të nënshkruhen katër marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi midis Kosovës dhe Kroacisë. Po ashtu, do të organizohet Forumi i Dytë Ekonomik Kroaci-Kosovë, që synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Berishaj njoftoi gjithashtu se Kryeministri Kurti do të takohet me komunitetin shqiptar në Kroaci në një takim që do të mbahet në hotelin “Westin” në Zagreb, më 13 dhjetor, në orën 19:00. Ky takim do të ofrojë një mundësi të veçantë për të diskutuar për çështje të rëndësishme që lidhen me bashkëpunimin e diasporës shqiptare me institucionet e Kosovës. Ambasada e Kosovës fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb.
helveticALforum.ch