/ Intervistë ekskluzive /
/ Intervistoi: PhD.Dashnim HEBIBI /
„Ndjenja për atdhe nuk shuhet kurrë, ndjenja dhe dëshira për tu kthyer nuk shuhet. Kjo varet nga ne të gjithë, por kjo është e mundshme vetëm nëse secili punon që ta kemi një atdhe më të mirë. Kjo varet edhe nga ata të cilët sot e qeverisin atdheun, na tha ndër të tjera z.Klaiqi.
Skenderbeg Klaiqi, i lindur më 11.04.1968 në Fshatin Poliçkë komuna e Dardanës – Kamenicës së Kosovës, fshat që njihet si fshati i lindjes së atdhetarit Kadri Zeka, viti 1968 kur lindi Skenderbegu ishte vit i 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe. Duke e parë rëndësinë e heroit kombëtar, ju dha edhe emri Skenderbeg që ti ngjaj sado pak Skenderbeut të madh. Rrjedh nga një familje mesatarisht e pasur, e një Babai veteran i arsimit i njohur në rrethin ku jetonte dhe nëna nga familja Beshtica e Desivojcës, ku lindi dhe rriti 8 fëmijë.
Dy familjet Klaiqi dhe Beshtica kan prejardhjen nga viset e Toplicës, e që në vitin 1878 ishin të shpërngulur me dhunë të gjithë shqiptarët e atyre trevave diku rreth 730 fshatra shqiptare. Tani janë etnikisht të banuara vetëm me serb.
Skenderbegu shkollimin fillor dhe të mesëm vijoj në Kamenicë ndërsa vazhdoj studimet në Fakultetin ndërtimtari dhe arkitekturë të Universitetit të Prishtinës. Edhe gjatë qëndrimit të tij në atdhe, ishte aktiv në aktivitete të ndryshme atdhetare, politike dhe kulturore.Ishte shpeshherë edhe cak i regjimit të pushtetit të kohës së Jugosllavisë, sidomos gjatë periudhës së shërbimit ushtarak. Jeton dhe vepron në Gjermani, i mërguar në vitin 1993. Në punën profesionale tani punon si ekspert shkencorë në një Kompani Amerikano-Gjermane, ku ka bërë edhe zbulime në fushën e energjisë alternative e që janë patentuar. Udhëheqë shoqatën kulturore lokale në Freiburg- Gjermani , “Scanderbeg” e. V, Ishte Nënkryetar i Shoqatës “Lebenshilfe fur Kosovo”. Kryetar i Bashkësisë Shqiptare të degës së Baden Wur embergut! Themelues i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar dhe President aktual i Lobit Shqiptar, organizatë mbarëkombëtare e bashkimit shpirtërorë të shqiptarëve. (E shkruar nga S. Klaiqi)
Na flisni pak për motivin dhe arsyet që ju shtynë të linit vendlindjen për të ardhur këtu!
Ishin fillimet e viteve 90-ta, kur pushteti okupator i Serbisë, mbylli jetën institucionale në Kosovë, ku nuk mbeti më ndonjë perspektiv që të vazhdohej të jetohej në atë vende. Arsyeja tjetër ishte rreziku nga pushteti i instaluar i Serbisë që nuk i la hapësirë shqiptarëve të jetojnë të qetë dhe të lirë. Arsyeja personale ishte nga rreziku i këtij pushteti, më është dashur të gjej një vende tjetër ku do të isha i lirë për të vepruar dhe jetuar.
Me çfarë vështirësish jeni përballur në vitin e parë si mërgimtar?
Ishin vite të vështira si për çdo njërin që e len vendin e vet dhe shkon diku të gjejë një jetë më të mirë. Vlen të përmenden, barriera e gjuhës, shkollimi që ishte bërë nuk u pranua dhe duhej që të merrej ndonjë punë sa për mbijetesë, mandej barrë e rëndë ishte edhe krijimi i familjes në vendin ku jetoja, si dhe ndarja me familjarët që ishin në Kosovë duke na përcjellë gjatë tërë kohës mallëngjimi për familjarët sidomos për Babanë dhe nënën që ishin në atdhe.
Cila ka qenë puna e parë që keni arritur t‘a gjenit në mërgim?
Puna e parë që kam kapur ishte puna në ndërtimtari, punë e rëndë për mua, por më siguronte të ardhura, sa për veti dhe për të udhëtuar në vendlindje për ti parë familjarët. Paralelisht përvetësoja gjuhën gjermane dhe shkollohesha më tutje për të siguruar një punë më të mirë, gjë që rezultoj menjëherë pas dy vitesh, që llova të isha përkthyes në institucionale gjermane.
Për çka ju merr malli më së shumti nga të gjitha ato që keni lënë në atdhe?
Për gjithçka, për rinin time që e mora me veti në mërgim, për natyrën, për jetën kulturore që zhvillohej atje, por edhe sot zhvillohet.
Diaspora shqiptare ka dëshmuar që di dhe mundet të organizohet në mbështetje të interesave kombëtare. Sipas jush, cili është niveli i organizimit të saj sot dhe çfarë potenciali kontribues përfaqëson diaspora jonë në ditët e sotme?
Unë vet bëj pjesë në organizimin e mërgatës që nga dita e parë: Ishin vitet e 90-ta kur organizohej në 3%-shin dhe në aksione si ajo vendlindja thërret, por edhe aktivitete tjera, në mobilizimin për luftë si dhe ndihmat që kemi mbledhur herë pas herësh. Mërgata edhe sot e ruan gjuhën kulturën duke organizuar mësime plotësuese, vallëzime këndime dhe bashkim të shqiptarëve rreth organizatave të ndryshme. Tani konkretisht jemi duke dhënë energjinë kryesisht rreth Lobit dhe lobimit në fushat: Ekonomi, kulturë, humanizëm dhe politikë. Po ja dalim mbanë që ta ndihmojmë atdheu ne edhe me remitencat e tona, si dhe me hapjen e vendeve të reja të punës, duke dërguar investor apo duke investuar vet.
Si e kaloni kohën e lirë kur nuk jeni në punë?
Kohën e lirë kur unë nuk jam në punë, ja kushtoj kryesisht atdheut, familjes dhe komunitetit shqiptar, këtu ku jetoj dhe në tërë botën, kudo që gjenden shqiptarët.
Sa mendoni që ka arritur të integrohet gjenerata e re e diasporës shqiptare në shtetin ku ju jetoni e veproni?
Gjeneratat e reja, janë integruara mirë, kemi shqiptar që punojnë çdo kund, kan kompanit e tyre shumë të fuqishme, por edhe marrin pjesë në jetën institucionale, shoqërore dhe politike. Ne angazhohemi që të lobojmë dhe ti strukurojmë ata në ndihmë komunitetit dhe atdheut.
Sipas mendimit tuaj, për çfarë mbështetje konkrete të shteteve shqiptare ka nevojë urgjente diaspora shqiptare?
Organizimin e shkollave shqipe dhe sforcimin e aktiviteteve kulturore, në ruajtjen e gjuhës kulturës shqipe, si dhe mundësimin e investimeve në atdhe pa barriera dhe pa korrupsion. Po ashtu në aspektin politik, mundësimin e votimit si qytetarë të barabartë me vendorët, por duke i dhënë mundësinë e vendeve të rezervuara në parlamentin e shtetit si mërgimtar. Kjo do ti ndihmonte ekonomin e atdheut, por edhe mundësinë e kthimit të shqiptarëve në vendet e origjinës.
Cili është kapitali juaj shpirtëror, të cilin keni arritur ta krijoni dhe me të cilin ndjeheni krenar?
Kam krijuar një familje shqiptare, mu në mesin e europës, e cila familje edhe pse të gjithë janë të lindur dhe të rritur në Gjermani, flasin shqip, e duan atdheun e Babait dhe mendojnë të investojnë në atdhe. Kam ndikuar që në vendin ku jetoj por edhe më gjerë, që fëmijve të mërgimtarëve ti ngjallë ndjenjën atdhetare, duke u munduar të ndikoj në ruajtjen e gjuhës kulturës në një vendë të huaj. Jam i lumtur që këta nxënës, por edhe pjesëtar të shoqatës ku veproj unë më takojnë, më duan dhe më rrespektojnë, poashtu edhe si lobist dhe si President i një organizate mbarkombëtare, jam shumë krenar që po i mbajmë shqiptarët të bashkuar edhe pse shpesh qarqe të ndryshme mundohen që ta prishin harmoninë e shqiptarëve që gjenden në Diasporë. Kjo është pasuria shpirtërore që nuk matet me miliona.
A keni bërë plane se ku ti kaloni vitet pas pensionimit?
Në mes të atdheut dhe në Mërgatës!
Cila është porosia juaj për gjeneratën e re të komunitetit shqiptar që po rritet në diasporë?
Të mbeteni shqiptar, ta duan atdheun e të parëve, mos ta harrojnë rrënjën, mendoni të investoni dhe të ktheheni aty ku prindërit e juaj kan ëndërruar gjatë tërë jetës. Nëse i keni dashur prindërit e juaj, nëse prindërit e juaj kan domethënje për ju duke sakrifikuar të ju rrisin të ju shkollojnë në vende të huajin, ta doni atdheun e tyre që është edhe i juaj, shikojeni mundësinë ta ndihmoni atdheun që e keni edhe të juajin dhe kthehuni dhe shijone atdheun e prindërve si amanet të lënë për ju.
I ke thënë vetes, pse kam ardhur në gurbet?
Po, do të doja ta gjeja një mundësi që mos të migroja në kohën kur ika nga atdheu, por kan qenë kohëra shumë të vështira dhe gjej qetësinë shpirtërore kur mendoj se edhe pse larg, kam kontribuar dhe jam duke kontribuar shumë për atdhe.
Mendoni, se të kanë shkuar shumë vite, duke menduar, se një ditë do të kthehesh në atdhe?
Ndjenja për atdhe nuk shuhet kurrë, ndjenja dhe dëshira për tu kthyer nuk shuhet. Kjo varet nga ne të gjithë, por kjo është e mundshme vetëm nëse secili punon që ta kemi një atdhe më të mirë. Kjo varet edhe nga ata të cilët sot e qeverisin atdheun.
Çka ke kujton më së shumti nga atdheu?
Zemërgjerësinë, mikpritjen, shpirtin e pastër të njerëzve atje.
Si ishte jeta e mërgimit më herët dhe si është sot, apo cila periudhë për Ju është më e mirë, ajo më e hershmja, apo kjo?
Natyrisht se tani e kemi më lehtë, sepse e bënë edhe teknologjia por edhe komunikacioni më të lehtë jetën e mërgimtarit. Deri sa më herët është deshtë me javë ta persësh një letër nga atdheu edhe pse nuk i takoj asaj gjenerate, tani je i kyçur në çdo moment me atdheun, kjo e bënë një mërgim më të lehtë.
Çka nuk ja fal vetes?
Përveç se nuk kam luftuar me pushkë në dorë, për atdhe jam munduar në çdo moment të jem afër atdheut, pra ndoshta jam penduar shumë që nuk jam futur në luftë, por pasi që shkova në vend shokët më than se ti do ta ndihmosh atdheun më shumë i gjallë se sa ndonjë hero i mundshëm.
Gjatë gjithë kësaj kohe sa jeni në gurbet, keni tuar më shumë apo keni humbur?
Më shumë ka humbur atdheu ndoshta, personalisht jam më mirë, por këto të arritura do të kisha pas dëshirë ti kisha në atdhe dhe të përfitonte edhe vendi im nga të arriturat e mia sidomos në fushën e shkencës.
Mendoni, se edhe në të ardhmen, gjeneratat e reja, që jetojnë e veprojnë në Zvicër, nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe?
Krejt varet nga ne, si ja trasojmë rrugën ne. Prandaj pa humbur kohë duhet të mobilizohemi dhe çdoherë të provojmë të kemi strategji, se si ta ruajmë lidhjen me atdheun, edhe pse fëmijët tanë shumicën e rasteve po asin gjuhë të huaja.
Sikurse të ishte e mundur, që të vish edhe njëherë prej llimit në gurbet, çka kishe bërë ditën e parë?
Gjuhën, gjuhën dhe shkollimin e mëtutjeshëm. Integrim në jetën institucionale, pa e harruar atdheun dhe pa u asimiluar.
Për fund të kësaj interviste, ku kishe dashur, të pish pikën e fundit të ujit të kësaj bote?
Kjo është një pyetje që asnjëherë nuk e kisha menduar por pa hezituar do të përgjigjem. Do të doja që pikën e fundin të ujit ta pi në Klaiq të Toplicës në vendlindjen e babagjyshit tim, por ndoshta kjo mundësi është më e vogël, të ishte edhe Kika e Poliçkës, vendlindja e babait do të isha i lumtur. (Intervista është pjesë e librit „Atdheu Portativ“ me autor, D.Hebibi)
helveticALforum.ch