Nga: Shefqet Cakollit – President i SH.K.A “Dardania” në Zvicër
Ka diçka tek vendlindja ime që të mbërthen fort, ashtu siç është: herë e hidhur, herë e lumtur; herë me skamje të thellë, e herë me pasuri të papritura. Rrugë të mbushura me mbeturina, lumenj e magjistrale plot shishe e qese plastike, dhe gjithnjë me erëra të përziera, herë industriale, herë kundërmuese, pa harruar pluhurin dhe gazrat nga kolonat e gjata të veturave – e deri te tymi i Obiliqit, që edhe sot shfaqet si një kujtesë e hidhur.
Vendlindja ime, Dardania e lashtë, nuk të hidherohet kur i mungon, por qan kur largohesh. Sheshet zbrazën, oxhaqet heshtin, dhomat e gjumit humbasin gjallërinë. Dhe kur kthehem, gjej rrjetat e merimangave në vend të frymës njerëzore.

E megjithatë, ajo nuk është e varfër – të paktën jo në dukje. Dardania pasurohet çdo ditë me vetura të reja, me telefonë modernë, me restorante dhe bujtina të mbushura, edhe kur ne nuk jemi aty. I shohim bashkëvendësit tanë nëpër plazhet e Shqipërisë, në Ulqin, në Sarandë, në Turqi e Greqi. Prandaj nuk mund të them me bindje se Kosova – Dardania ime – është më e varfra në Evropë. Jo. Nuk e shoh varfërinë, përveçse ndonjë herë – si një ish-ushtar i vërtetë i UÇK-së që mbledh kanaçe nëpër kontejnerë.
Po, po, ata luftëtarët e vërtetë – jo ata të tjerët me kravata dhe me xhipa më të zinj se të qeverisë! Ata që edhe fëmijët e tyre të hedhin tutje e nuk të lënë as në përparësi në rrugë, e lëre më të provosh të kërkosh drejtësi.
Dhe unë, nga mërgimi, sërish i dua njerëzit e vendit tim – edhe kur më tejkalojnë në kolona, edhe kur futen në radhë pa pyetur, edhe kur më zënë parkingun para syve. Nuk zemërohem. Kam mall për vendin tim dhe për gjithçka që është pjesë e tij – edhe për kaosin e përditshëm.

A është ky vend i pasur apo i varfër? Nuk e di më. Mendësia është e varfër – tej mase. Mendjemadhësia, luksi i tepruar, janë ato që shfaqen më shumë se modesti e përulësi.
Dhe pyes: kah po shkon vendi im i dashur? Rrugëve me veshje e mendësi që babai im, i arsimuar në vitet e pas Luftës Nacionalçlirimtare, punoi me mund dhe përkushtim për t’i tejkaluar. Ai e hoqi pluhurin e ideologjive të huaja që i sollën hoxhallarë rusë e serbë. Dhe sot – po rikthehen!
Sa dhemb kur shoh motrat tona me veshje që nuk i takojnë kësaj toke. Ne nuk jemi Sahara! Ne nuk kemi erëra që na detyrojnë të mbulojmë fytyrat! E sa më rëndon shpirti kur shoh fëmijët të shkojnë në xhami në mbrëmje.

Ku po shkojmë kështu?
Rinia jonë – e veshur me të zeza, me mjekra të huaja – më kujton ngjyra të zymta, errësirën, dhe fatkeqësisht, vdekjen e kulturës sonë kombëtare.
Nuk më shqetësojnë dasmat, as sirenat e veturave natën vonë. Nuk më shqetësojnë as thirrjet e erzanit nga shumë xhami përnjëherë – kur janë të qeta, të ëmbla, si dikur, kur përcillnin një shpirt të butë, jo tronditës. Sot, zëri është i ashpër, pa ndjenjë, pa dije, pa art. Sa xhami kemi sot? Shumë më tepër se ç’kemi shkolla, qendra kulturore, biblioteka, institucione të trashëgimisë! Po humbasim vetveten, përditë e më shumë.

Dhe unë sërish – e dua Dardaninë e lashtë të të parëve të mi. E dua edhe kur është e ndarë, e sakatosur, e përbuzur nga Evropa – dhe më shumë akoma nga vetë ne, pasardhësit e Ilirisë dhe të Mbretërisë Dardane.
Prishtinë, 07 gusht 2025