/ Përgaditi: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Mbi 100 anëtarë të pranishëm në ngjarjen më të madhe motoristike në Europë
ZÜRICH, 4 Maj 2025 – Një pjesëmarrje mbresëlënëse prej mbi 100 anëtarësh të klubit motoristik “Shqiponjat” shënoi praninë e shqiptarëve në ngjarjen më të madhe motoristike në Europë – Love Ride 2025, që u mbajt këtë fundjavë në Zürich të Zvicrës.

“Është një kënaqësi dhe krenari që ‘Shqiponjat’ përfaqësuan denjësisht komunitetin tonë në këtë eveniment madhështor,” u shpreh veprimtari i mirënjohur z. Qemajl Sermaxhaj pjesë e këtij klubi. Ai dhe bashkëveprimtarët e tij vazhdojnë pandalë, duke dëshmuar jo vetëm dashurinë për motorët, por edhe aftësinë e shqiptarëve për organizim shembullor në diasporë.
Evenimenti solli së bashku mijëra dashamirës të motorëve nga e gjithë bota, por prania e “Shqiponjave” u veçua jo vetëm për numrin, por për energjinë dhe unitetin që përçuan.

Historia e klubit “Shqiponjat” rrjedh nga një dëshirë e thellë për bashkim dhe identitet. I themeluar në vitin 2003, ky klub ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë për të arritur formën dhe përmasat që ka sot. Frymëzimi për krijimin e tij erdhi nga realiteti i përditshëm i të rinjve shqiptarë në Zvicër, të cilët shëtisnin me motorë pa një vend takimi apo një platformë të përbashkët – sikur shqiponjat pa fole.

Qëllimi kryesor i klubit ka qenë dhe mbetet afrimi i rinisë përmes aktiviteteve të përbashkëta, takimeve të rregullta dhe defileve me motorë. Në këto tubime lindin diskutime të frytshme dhe lidhje të forta shoqërore, të cilat shpesh marrin vëmendjen dhe admirimin edhe të bashkëmoshatarëve nga komunitetet vendase.

Së shpejti, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një reportazh special në SAM24.info kushtuar kësaj shoqërie të veçantë – “Shqiponjat e autostradës”, që me pasion dhe përkushtim e mbajnë flamurin shqiptar lart në çdo rrugëtim.
( Foto nga Qemajl Sermaxhaj)