Shqipëria është vlerësuar si një nga vendet që ka përmbushur kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025, sipas një raporti të fundit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Raporti, i publikuar më 19 shtator, ka analizuar 140 qeveri dhe entitete në mbarë botën.
Në raport theksohet se vetëm 71 qeveri arritën të përmbushnin standardet minimale të transparencës fiskale, ndërsa 69 dështuan. Megjithatë, nga këto të fundit, 26 bënë përparim të ndjeshëm drejt përmbushjes së kërkesave.
Departamenti i Shtetit vlerësoi se Shqipëria ka garantuar transparencë në dokumentet buxhetore, kontratat dhe licencat publike. Kjo tregon se vendi ka përmbushur kriteret e publikimit, duke ofruar informacion të plotë, të besueshëm dhe në kohë.
Raporti e cilëson transparencën fiskale si një element thelbësor për menaxhimin efektiv të financave publike, duke rritur besimin e tregut dhe duke forcuar llogaridhënien e qeverive para qytetarëve të tyre. Ky vlerësim pozitiv është një hap i rëndësishëm për imazhin dhe stabilitetin ekonomik të Shqipërisë, transmeton rtsh.
