Qeveria shqiptare ka paraqitur një projektligj me ndryshime të rëndësishme në Kodin Doganor, në funksion të përgatitjes për aderimin në Konventën e Tranzitit të Përbashkët dhe përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Qëllimi është lehtësimi i procedurave për operatorët ekonomikë, rritja e qartësisë ligjore dhe zbatimi i praktikave moderne të kontrollit doganor.
Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e procedurës së “magazinimit të përkohshëm” si pjesë e formaliteteve doganore, rregulla më të qarta për ankimet dhe kufizimin e kamatëvonesave për borxhet e papaguara.
Një tjetër element është njësimi i termave dhe afateve të vlefshmërisë për informacionin tarifor dhe atë të origjinës, sipas praktikës së BE-së.
Projektligji parashikon përjashtim nga detyrimet e importit për mallrat e riparuara apo të modifikuara jashtë territorit doganor të Shqipërisë, kur këto përpunime ndodhin në vende me të cilat Shqipëria ka marrëveshje të posaçme.
Po ashtu, përmirësohet transparenca për vendimet doganore që ndikojnë negativisht te subjektet, duke garantuar të drejtën për informim dhe ankimim.
Ndryshimet synojnë gjithashtu krijimin e bazës ligjore për funksionimin e “dritares së vetme” kombëtare, si dhe zhvillimin e sistemeve të reja informatike në përputhje me Sistemin e Kompjuterizuar të Tranzitit të BE-së.
Projektligji është hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me asistencën e ekspertëve të BE-së dhe Bankës Botërore./Omer Saraçi/rtsh