1.3 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

Shoqëri nga rinia e në pleqëri, 40 vjet në të njejtin lokal për çdo të premte. Kush është kjo shoqëri pejane?

Duhet ti lexosh

/ Nga Dashnim HEBIBI, Zvicër

Fotoreportazh pak më ndryshe nga Peja e Kosovës, në një mbrëmje të veçantë, në mesin e disa miqve të vërtetë që i japin jetë njëri tjetrit

Sigurisht se do t`ju duket shkrim i gjatë. Edhe më shumë do të shkruaja. Edhe një libër të shkruhet, përsëri është pak. Mjafton të përmenden vitet e shoqërisë dhe rasti se si këta shokë, për çdo javë, dalin në të njëjtin lokal, në të njëjtën tavolinë, pijnë, argëtohen, çmallen njëri me tjetrin, kthehen në vitet e rinisë, mbyllin një faqe të javës dhe mezi se presin që të vijë java tjetër e të mbyllin faqen tjetër të javës. Kaluar shumë faqe të jetës së tyre dhe që të gjitha kanë lumturi. Është për t‘u vlerësuar. Kam nderin që për herë të parë të shkruaj në helveticALforum për këtë shoqëri që e njeh, thuajse çdokush në Pejë. Ky qytet i traditës, qytet i mikëpritjes e bujarisë të bën për vete, të jep shpirt që të mendosh se si ti takoj përsëri miqtë.

Të kesh shok një pejan, nuk mundesh të largohesh nga ai. E vërtetë. Edhe shoqëria ime, Esati, Astriti, Petritit, Berati e shumë të tjerë, mezi pres ti takoj dhe kur i takon të japin jetë. Kështu qenkan pejanët. Po ndalemi te një shoqëri, kësaj here më se e veçantë. Është shoqëri e gjeneratës edhe atë nga të gjitha trevat shqiptare. Edhe ata që janë larg Pejës, si në Tërnoc të Luginës së Preshevës, apo në ShBA e Gjermani. Me të ardhur në Kosovë, e dijnë se ku është energjia pozitive, e drejt Pejës. E premte, nga ora 21.00, aty në të njejtin lokal, në qendër të Pejës, e takon shoqërinë e zemrës. Ajo tavolinë është e lirë për çdo të premte, sepse dihet se kush vjen.

Kjo është shoqëria e vërtetë—ajo që nuk kërkon ftesa, nuk numëron fjalët dhe nuk ka nevojë për justifikime. Është ajo që rri bashkë, jo nga detyrimi, por nga dëshira. Një vend ku njeriu lë pas barrën e javës, rolet që luan në jetë, dhe thjesht është vetvetja. Kujtimet, këngët, gotat e ngritura—të gjitha bëhen pjesë e një vazhdimësie që nuk ka fillim as fund, por veç një ritëm të vetin, të pandryshuar nga vitet.

Këto janë takimet që mbajnë shpirtin e ri, ku secili tregon sinqeritet, pa pasur nevojë të dëshmojë asgjë, ku fjalët e thëna në një mbrëmje nuk peshohen në mëngjes, sepse janë fjalë shpirti. Një miqësi e tillë nuk kërkon shpjegime—secili e di pse është aty dhe çfarë vlen. Kur vjen e premtja, gjithçka rifillon aty ku ishte lënë.

Një shoqëri e vjetër, por e shëndoshë. Një thesar që pak veta kanë fatin ta kenë. Kjo është më shumë se një shoqëri—është një rit, një pjesë e jetës që nuk matet me orë apo vite, por me këngë, dolli dhe kujtime. Një tavolinë që nuk është thjesht dru e gozhda, por dëshmitare e miqësisë së vjetër, e qeshjeve, e bisedave që s’kanë fund.

Koha ka shkuar shpejt, por në këto mbrëmje ajo sikur ndalet. Nuk ka rëndësi sa mirë këndon dikush, mjafton ta ndjejë këngën në shpirt. Një gotë ngrihet, një tjetër përgjigjet, e fjala “o vëlla” vjen nga zemra, jo nga zakoni.

Edhe ata që nuk janë më fizikisht, rrinë aty në heshtje mes jush, në ndonjë dolli, në ndonjë varg kënge, në ndonjë kujtim që sjell buzëqeshje.

Edhe pronari e di që kjo shoqëri nuk është thjesht klientelë—është pjesë e historisë së lokalit të tij. Ai s’e mëson këtë nga librat, por nga netët e së premtes, kur zhurma e gotave dhe tingujt e këngës flasin gjuhën e një miqësie të sinqertë.

Dhe kur mbaron mbrëmja, askush s’thotë “mirupafshim”—sepse dihet, të premten tjetër gjithçka rifillon aty ku ishte lënë.

Kjo është miqësia e pastër—ajo që nuk ka nevojë për kod të shkruar, por ndjek një rregull të pashkruar që vjen nga zemra. Askush nuk numëron fjalët, askush nuk i jep peshë të tepërt ndonjë fjale të hedhur me shaka. Në atë tavolinë, të gjithë janë të barabartë, secili ka vendin e vet dhe secili ka zërin e vet.

Kur dikush flet, të tjerët dëgjojnë. Jo nga mirësjellja e zakonshme, por nga respekti i vërtetë—sepse secili e di që pas çdo fjale ka një jetë, një javë të mbushur me lodhje, me mendime, me kujtime. Kur vjen e premtja, çdo barrë lirohet, çdo mendim gjenë vendin e vet.

Nuk ka nevojë për psikologë, sepse shoqëria është terapia më e mirë. Kur dikush ka pasur një javë të vështirë, nuk ka nevojë për shumë fjalë—mjafton që është aty, i rrethuar nga njerëz që e kuptojnë edhe pa e thënë. Dhe kur gotat ngrihen, nuk ngrihen vetëm për shëndet, por për një jetë që, me gjithë të mirat e të këqijat, ka qenë e bukur, sepse është ndarë me njerëzit e duhur. Të gjithë pozitat i kanë lënë në shtëpi, pasurinë e namin dhe kthehen aty ku ishin dikur. Madhështore.

Kanë filluar nga fundi i viteve tetëdhjeta me ndërprerje 1.5 vjeçare në gjysmën e dytë të vitit `98-të dhe vitin `99-të – lufta! Kur u rihap restorani, për të cilin anglezët thonin i ngjanë pabeve tona. E takuam të premtën njërin nga miqtë e kësaj shoqërie që ishte me Rafet Ademin që jeton e vepron në Zvicër e që ishte në Pejë për një punë tjetër, por ja që fati ishte e premte dhe ai shkoi për ti vizituar. U ndal te miku i tij, Arben Gjikolli për ta takuar, por pejani nuk të lëshon pa një kafe dhe menjëherë në darkë. Miqësi se jo fjalë. Ne qëlluam për fat me Jetonin dhe kur pamë përqafimet mes Rafetit dhe Arbenit ishin si të vëllait me vëlla.

E pranuam kohën që do ia falim që të çmallet shoqëria mes veti, sepse të njejtën gjë e kemi edhe ne me Jetonin sa herë që takohemi. Pas një ore bashkëbisedimi dhe që na ftoi edhe në shtëpi, Arbeni ai na tha: „Ka ardhur koha që më duhet të shkoj te shoqëria që çdo të premte jemi atje, por ju bashkë me Rafetin jeni shoqëri e jona sonte. Nuk besoj se do na lini, mos e ndalni Rafetin, sepse e di se e le një copë jete, nëse na plotësoni këtë dëshirë, ju premtoj se do të kënaqeni.

Duke shkuar te lokali ku rri shoqëria e vjetër, Arbeni, një burrë i qetë, shumë i dashur, modest, intelektual e trim, afrohet te tavolina dhe neve na bëri surprizë. Me të parë Rafetin, të gjithë në këmbë dhe filuan të përqafohen dhe neve, gjithashtu, na bënë vendin e na sollën pijet e ushqimit pa na pyetur. Mysafiri është si në shtëpinë e tij. Ne do të kënaqemi së bashku. Ju faleminderit që na keni sjellur shokun tonë. E Rafeti me mall nuk dinte si të vepronte, shkurt e shqip, kënaqet me shoqërinë e tij duke bashkëbiseduar. Na u duk edhe neve se edhe ne jemi shoqëri të vjetër, sepse na pranuan me zemër.

Të gjithë ishin familjarë, të gjithë intelektualë, para pensionimit e dikush edhe e kishte fituar. Por, kur i shihje me plot gëzim, të dukej vetja se je në fakultet me një klasë me temat që diskutonin. Arbeni, përveç që ishte mësimdhënës, ka punuar edhe si përkthyes anglisht -shqip në Policinë e UNMIK-ut, rrjedhimisht ishin policë anglezë. Restauranti „Family“ në qendër të Pejës, me pronar Musa Kastratin nga Peja, i cili e ka mbajtur restoranin para dhe pas lufte për një kohë të gjatë, së bashku me familjarët, diku rreth 20 vite, ndërsa së pari e ka hapur Nexhdet Kondirolli, së bashku me vëllain e Qufin, tanimë të dy të ndjerë, të cilët dyqanin e shndërruan në kafe.

Lokali e kishte një përparësi, sespe i kishte dy hyrje-dalje në dy anët e rrugës, ndërkohë që tani përdoret vetëm njëra. Dhe kjo, për kohën ishte me rëndësi për arsye sigurie! Lokali, disa herë është bastisur nga policia, duke legjitimuar njerëzit për shkak të dyshimeve të policisë serbe për veprimtari ‚armiqësore‘ asokohe. Nga vitet ‚90-ta fillonin më herët dhe përfundonin më herët të premteve 19.00-22.00 maksimum, për shkak të rrethanave.

Takimet u shërbenin që të këmbejnë informatat personale, situatën ekonomike të shokëve, kërkesat e kohës, etj. Asokohe, informimi ishte i cunguar, gazetat, shtypi i dirigjuar, si dhe televizioni, ndërsa telefonat statik të përgjuar.

Aty gjenin lirinë e komunikimit dhe mirëbesimit e disponimit. E kontributi ishte i padiskutueshëm. Fatmirësisht u deportuan pa pasoja në njerëz në marsin e vitit ‘99 dhe që të gjithë u rikthyen në të njëjtin vit, në gush – shtator, kurse në nëntor vazhduan të takoheshin në të njëjtin lokal. Tanimë dimrit fillonin nga ora 20.00-21.00 deri në fund. Tani temat ishin, përpos politike shoqërore, por edhe ato ekonomike – shumica shtëpitë e djeguara, rindërtimi shkollimi, punësimi, etj. Më vonë e deri tani, rrjedhat shoqërore dhe ato individuale, si dhe shkëmbimi informatave gjatë bashkëbisedimit. Përndryshe. kanë pasur parime – rregulla të pashkruara e të cilat ishin: 1) Respekti reciprok; 2) Tendenca për mirëkuptim nga ndonjë keqinterpretim-keqkuptim; 3) Asistenca në rast nevoje për njeri tjetrin; 4) Fëmijtë dhe familjarët njiheshin me njëri tjetrin 5) Mosndërhyrje në çështje familjare, përveç me ndonjë kërkesë individuale; 6) Pjesëmarrje në ngjarje të rëndësishme familjare, etj.

Më e rëndësishmja ishte që debatet që bëheshin e bëhen të mos merren personale, por janë shoqërore. Nuk kanë ego. Ata janë një. Kanë mendimet e tyre secili, por në fund të bashkëbisedimit të darkës përqafohen dhe mirëkuptohen. Setrat personale i varin në shtëpi dhe në lokal janë një, prandaj edhe shoqëria ka vazhduar deri më sot.

Mysafiri -miku i njërit, është i tē gjithëve. Fillimisht ishin 7-9 persona. Pas luftës keanë shkuar duke u zgjeruar, sepse shoqëria nga diaspora vijnë më shpesh, kurse ata të pensionuarit, disa prej tyre po kthehen përgjithmonë.

Karakteristikë tjetër tani është se nuk ftohen, por të gjithë e dinë kohën dhe vendin, për ndryshim nga koha e paraluftës. Nuk po e ekzagjeroj, por shkëmbimi i informatave para lufte (Esat Mala ka punuar si përkthyes i një organizate humanitare ndërkombëtare evropiane MSF (Medicins Sans Frontiere) – Mjekët pa Kufinj, Xhevdet Gjuka në Postë Telekom, Valdet Bala, Sabidin Gjanaj dhe Arben Gjikolli në arsim, Nagip Belegu, Bujar Belegu, Ferid Dupa ndërmarrës privatë, argjendarë, Agim Shala ka qenë mësimdhënës,Valdet Bala, Sabajdin Gjanaj, etj). Pra, ishin të mirë informuar.

Lokali ka foton e kësaj shoqërie nga paslufta dhe pa marrë parasysh kush është duke mbajtur atë restoran, shoqëria është aty. Edhe nëse ndërrohen pronarët, i tregojnë njëri tjetrit se të premtën tavolina atje në skaj të restauroit është e shoqërisë.

Gjithnjë na njofton Arben Gjikolli, lokalin e mbanë që nga viti 2020, Gëzim Kelmendi edhe atë me familje.

Në atë mbrëmje ishin prezentë: Arben Gjikolli, Esat Mala, Xhevdet Gjuka, Valdet Bala, Nagip Belegu, Ferid Dupa, Nexhat Velia, Ibrahim Mehmeti, Nevryz Grapci, Bujar Gusinja, Agim Shala, Isa Shala, Musa Shabi, Gazmend Pavata, Bujar Belegu. E kujtojnë me shumë mall edhe Bujar Gusinjën, i cili ka ndërruar jetë para disa ditëve, si dhe Rafet Ademi që ishte shoqërues i joni nga Zvicra. Gjatë gjithë mbrëmjes u këndua. Secili e merrte mikrofonin dhe këndonte një pjesë të këngës. Padyshim edhe kujtonin miqtë e tyre që kanë ndërruar jetë, si Fatos Lika dhe Xhevdet Kondirolli. Përshkrimi i mbrëmjes nuk bëhet përmes fjalëve, e as përmes syrit të kamerës, por kur je në mesin e kësaj shoqërie që kishte sinqeritet, modesti e shoqëri pa interes ashtu edhe siç e përmendëm edhe më lart. Sado që shkruhet është pak. Edhe kur pronari i restoranit është në pushim, kjo shoqëri e mbanë çelësin dhe marrin pije e ushqim dhe kur të vijë pronari, e sheh se gjithçka ka shkuar si duhet, bile edhe më shumë kanë shtuar të holla. Secili jep sa të dojë në darkën e të premtës.

Dikush më shumë e dikush më pak, por me rëndësi është kenaqësia dhe përjetimi, mbushja me energji pozitive. Nuk thuhet kot se shoqëria e rinisë është më e shëndosha. Edhe pse pinin, të gjithë dinin të kenë kontroll për veten, nëpër shtëpi shkonin në këmbë dhe njërin shok, bie fjala, që e shihnin më të lodhur, e përcillinin deri te shtëpia. Nga e shtuna e deri të premtën, edhe nëse takohen në rrugë rastësisht, ata vetëm përshëndeten dhe nuk e zgjasin shumë, sepse e dijnë se do të vijë e premtja nga ora 21.00. Edhe nëse vjen ndonjë mysafir në shtëpitë e tyre, ata që se dijnë, ja si rasti ynë, ata e marrin me vete në tavolinën e miqësisë. E pazakontë për të mirë. Kënga e bukur qytetare, humori i hollë të merr malli të rrish me atë shoqëri.

Shoqëria e shëndoshë nuk matet vetëm me të qeshura e gëzim, por edhe me mirëkuptim, tolerancë dhe aftësinë për të kërkuar falje kur është e nevojshme. Kur një shoqëri funksionon kështu, ajo bëhet e qëndrueshme dhe e vërtetë, sepse nuk ka vend për inate apo keqkuptime të mbartura. Në fund të ditës, më e rëndësishmja është respekti dhe dashamirësia që njerëzit ndajnë mes vete.

Një shok i mirë është ai që jo vetëm të dëgjon me zemër të hapur, por edhe e mban fjalën dhe nuk e tradhëton besimin tënd. Miqësia e vërtetë ndërtohet mbi sinqeritetin, besnikërinë dhe mirëkuptimin. Një mik i tillë është një pasuri e rrallë, sepse në kohët e vështira, ai nuk të gjykon, por të qëndron pranë dhe e ruan atë që i ke besuar si diçka të shenjtë.

Kjo tregon një shoqëri të mirë dhe të shëndoshë, ku respekti dhe kujdesi për njëri-tjetrin janë të rëndësishme. Kur njerëzit ndahen me urime për shëndet dhe me dëshirën për t’u takuar sërish, kjo do të thotë se lidhja e tyre nuk është e rastësishme, por e vërtetë dhe e qëndrueshme. Një shoqëri e tillë nuk bazohet vetëm në biseda të këndshme, por edhe në dashamirësi dhe dëshirën që secili të jetë mirë.

Shoqëria e vërtetë nuk matet me kohën, por me besimin dhe kujtimet që krijon. Një mik i mirë është një thesar që nuk e blen dot me asgjë. Shoqëria e sinqertë nuk kërkon asgjë në këmbim, veçse mirësi dhe besnikëri. Një shok i vërtetë është ai që rri pranë edhe kur të tjerët largohen. Koha mund të kalojë, por një shoqëri e fortë mbetet e pandryshuar. Kjo shoqëri e shëndoshë do të mbetet e përjetshme dhe do të trashëgohet edhe te brezat e rinj. Ora kishte hyrë në ditën e re dhe ne kuptuam se është koha që të kërkonim leje që të niseshim për Prishtinë, se na pret një udhëtim i gjatë për në Zvicër.

Rafet Ademi u përqafua me miqtë e tij i kënaqur dhe Arben Gjikolli, të gjithë nuk donin të na linin që të shkonim në atë orë në Prishtinë, por të rrinim në Pejë te secili, ose po e bëjnë një short, sepse secili donte të na nderonte, por ne nuk e kishim mundësinë që të rrinim. Krejt në fund u pajtuan se do të nisemi, por nuk do të flejnë gjersa të mbërrijmë në Prishtinë, sepse ashtu edhe e do rregulli, që mysafiri kur është mirë ne jemi mirë.

U ndamë me përshëndetje e urime me njëri tjetrin, sa që u kënaqëm dhe nuk do ta harrojmë për jetë ate mbrëmje në Pejë në mesin e shoqërisë besnike që nga studimet e deri më sot. Ne e kemi një shembull dhe këtë shembull do ta përcjellim edhe te gjeneratat e reja, por e vështirë të ruhet kjo traditë e bukur dhe e jashtëzakonshme. Shoqëria! Aty ku e nisa këtë shkrim për platformën tonë helveticALforum.ch, po më duket se jam, por po e mbylli kësaj here me kaq me urimet më të sinqerta e duke i falënderuar për mikëpritje. Sigurisht se fjalët e bukura që i dëgjuam do të na shërbejnë për krijimtari. Rroftë Peja, rroftë shoqëria! Zoti e bekoftë Pejën, zoti e bekoftë shoqërinë!

 

 

 

 

 

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit