/ Intervistë ekskluzive me Burhan Morinën, kryetar i Shoqatës “Topanica” në Zvicër
/ IntervistoI: Dashnim HEBIBI
“Nuk kemi ngjyrë politike – ne jemi gjithmonë në krah të atyre që punojnë për të mirën e fshatit tonë. E kemi borxh të trashëgojmë këtë frymë te të rinjtë dhe të ruajmë gjuhën, zakonet dhe rrënjët tona. Sepse Topanica është më shumë se një fshat – është një ndjenjë që nuk shuhet kurrë”, na tha ndër të tjera z.Morina.
Në një epokë kur mërgimtarët shpesh përballen me sfida të integrimit dhe rrezikun e harrimit të origjinës, një fshat edhe jo i vogël por i vjetër me histori të gjatë dhe i vendosur në zemër të Kamenicës, pra Topanica me njerëz bujar e të fjalës ka krijuar një model të rrallë organizimi në diasporë.
E udhëhequr nga Burhan Morina, Shoqata “Topanica” me seli në Cyrih nuk është thjesht një shoqatë – është një zemër që rreh fuqishëm për fshatin, për gjuhën, për traditën, për brezat që vijnë.

I heshtur në publik, por i palodhshëm në veprim, Burhan Morina rrëfen me përulësi dhe emocione për punën e shoqatës, për bashkëpunimin e diasporës, dhe për projektet që po ndryshojnë realitetin e Topanicës. Kjo intervistë është më shumë se një rrëfim – është një dëshmi e gjallë se dashuria për vendlindjen nuk njeh kufij.
Topanica – një fshat i madh me zemër të madhe
Gjatë intervistës, z. Burhan Morina na dha edhe disa të dhëna konkrete për fshatin Topanicë, që tregojnë përmasat dhe peshën që ka kjo vatër në komunën e Kamenicës:
“Topanica është njëri ndër fshatrat më të mëdhenjë në komunën e Kamenicës. Sot ka rreth 500 shtëpi dhe afro 2.000 banorë. Në diasporë, jeton rreth 40% e popullsisë së fshatit, dhe prej tyre 70% jetojnë në Zvicër, kryesisht të përqendruar në kantonin e Cyrihut. Kjo përbën një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor dhe emocional, që ne si shoqatë përpiqemi ta shtrijmë në projekte konkrete për të mirën e përbashkët.”
Kjo statistikë jo vetëm që dëshmon për përmasën e fshatit, por edhe për potencialin që diaspora topanicase ka në ruajtjen dhe zhvillimin e rrënjëve të saj – ku bashkimi rreth një ideali është vlerë që frymëzon brezat.
Z. Morina, a mund të na tregoni si lindi Shoqata “Topanica” dhe cilat janë themelet e saj?
Ju falënderoj shumë për përkrahjen i nderuar. Shoqata është themeluar zyrtarisht në vitin 2014 në Cyrih.

Në fakt, fryma e saj ka ekzistuar qysh para luftës. Atëherë kanë vepruar në mënyrë tjetër të asaj kohe duke ndihmuar në arsim dhe në çështje emergjente që kërkonin reagim të menjëhershëm dhe ne u jemi falënderues për jetë. Pas luftës, për një kohë aktivitetet pushuan, por ne e rifilluam me rregulla të tjera të kohës dhe me një vizion të qëndrueshëm për të ardhmen. Motoja jonë është “Të takohemi që të mos harrohemi”, sepse besojmë fuqishëm që lidhja me fshatin nuk guxon të shuhet.
Sa anëtarë numëron sot shoqata dhe si organizoheni në aspekt praktik?

Shoqata jonë ka mbi 150 anëtarë aktivë. Anëtarësia vjetore në Zvicër është 120 franga, ndërsa në vendet e tjera të Evropës 100 euro, ndërsa vendasit që jetojnë në atdhe e kanë një çmim simbolik prej 30 eurove. Nuk kemi degë të tjera, sepse besojmë që bashkëfshatarët tanë janë gjithmonë afër, rreth “sofres sonë”. Kryesia ndryshon çdo dy vjet për të mbajtur gjallë energjinë dhe përfshirjen me qëllim që anëtarët të jenë të lidhur me shoqatën e jo pas individëve. Unë jam në mandatin e dytë si kryetar, dhe më parë kanë qenë Milaim Musa Morina, Nehat Adil Morina.
„Oda e Fshatit është një projekt unik që na bën krenarë“ dhe quhet Oda e Topanicës.

Një nga projektet më të rëndësishme është Oda e Fshatit. Si u realizua dhe çfarë simbolizon ajo për ju?
Oda e Fshatit është një projekt unik që na bën krenarë. Është një objekt dykatëshe, me 22 metra gjatësi dhe 14 metra gjerësi. Kati i parë përdoret për ngushëllime, është i mobiluar mirë, ndërsa kati i dytë për aktivitete të ndryshme – me kuzhinë, karrige e tavolina. Ka kushtuar rreth 120-130 mijë euro, ku mbi 70% e ka mbuluar shoqata me ndihmën e banorëve. Disa firma nga Topanica kanë kontribuar falas. Nuk kemi kërkuar shuma fikse – secili ka dhënë sipas mundësive. Ishte një projekt i zemrës.
Cilat janë objektivat kryesore që përndiqni si shoqatë?
Përveç takimit të përvitshëm, që është gur themeli i lidhjes sonë shpirtërore, ndihmojmë arsimin në shkollën tonë „Rexhep Mala“. Mbështesim familjet në nevojë dhe personat me nevoja të veçanta. Aktiviteti i shoqatës është për topanicasit në atdhe dhe në mërgatë.
Cili është roli i diasporës në këtë organizim?
Jashtë Kosovës jetojnë rreth 40% e popullsisë së fshatit Topanicë. 70% e diasporës jetojnë në Zvicër, ku prej tyre shumica jetojnë në kantonin e Cyrihut. Ata janë shtylla kryesore e çdo projekti. Janë bashkë, të lidhur shpirtërisht, dhe asnjëherë nuk e kanë harruar fshatin. Mërgata jonë është aktive dhe beson në vizionin tonë. Edhe institucionet lokale, si komuna e Kamenicës, kanë qenë mbështetëse, veçanërisht për kanalin dhe asfaltimin e oborrit të Odës.
Na tregoni për takimin tradicional të këtij viti. Çfarë pritshmërie keni?
Takimi mbahet më 1 qershor, nga ora 10:00 deri në 17:00. Marrin pjesë vetëm topanicasit dhe mbesat e nipat e tyre. Do të jetë hera e dytë që kemi mysafir special z. Mumin Zubaku, i njohur si Bejt Topanica, i cili ka udhëhequr komplet projektin e Odës e ai është kryetar i Këshillit Lokal të Topanicës. Takimi është një mundësi për të bashkëbiseduar, për t’u njohur, për të forcuar lidhjet. Kemi aktivitete të ndryshme, sport, argëtim për të gjitha moshat.
Ju keni ruajtur një traditë të veçantë – topanicasit nuk martohen mes veti. A mund të na shpjegoni më shumë?

Po, është një traditë shumë e vjetër që vazhdojmë ta ruajmë. Në Topanicë jetojnë mbi 13 fise të ndryshme, me origjinë të largët dhe të panjohur në detaje. Për më tepër, kemi edhe një lagje të ardhur nga Malësia e Kamenicës, që quhet “Lagjja e Epërme”. Kjo rregull ka krijuar respekt dhe harmoni mes familjeve, një lloj balance që duam ta trashëgojmë.
Një simbol i rëndësishëm i shoqatës është një lis. Çfarë përfaqëson ai?

Lisi i cili qëndron në llogon e shoqatës quhet “Lisi i Kungullarit”. Është një lis i vetmuar, mbi 100 vjet i vjetër. E veçanta është që ka qëndruar gjithmonë me të njëjtën formë – nuk rritet. Biologët thonë se pemët ndihmojnë njëra-tjetrën në rritje, por ky nuk ka pasur asnjë pemë tjetër pranë.
Mesazhi juaj për fund?
Falënderoj nga zemra të gjithë bashkëfshatarët, kryesinë, anëtarët dhe çdo kontribuues që e mban të gjallë këtë shoqatë. Nuk ndalemi këtu. Do të mbështesim edhe projekte të tjera në fshat, si mirëmbajtja e ambientit, etj. Nuk kemi ngjyrë politike – ne jemi gjithmonë në krah të atyre që punojnë për të mirën e fshatit tonë. E kemi borxh të trashëgojmë këtë frymë te të rinjtë dhe të ruajmë gjuhën, zakonet dhe rrënjët tona. Sepse Topanica është më shumë se një fshat – është një ndjenjë që nuk shuhet kurrë.
Gjatë bisedës me z. Burhan Morina, një nga momentet më prekëse ishte kur foli me mirënjohje të thellë për sponsorët dhe bizneset që qëndrojnë gjithmonë pranë Shoqatës “Topanica”. Ai theksoi se pa ta, shumë nga projektet nuk do të ishin realizuar me suksesin që kanë sot. Në këtë frymë, ai veçoi disa kompani e afaristë që kanë dhënë mbështetje të çmuar si financiarisht, ashtu edhe përmes shërbimeve e përkushtimit profesional.
Këta janë disa nga sponsorët që Shoqata i falënderon publikisht:
- Multinet Communication
- KTV Swiss
- Fiber Factory
- Aquila Services
- Zubaku GmbH
- Amiri PVC
„ Çdo ndihmë, qoftë e madhe apo e vogël, është e shenjtë për ne,” – u shpreh z. Morina. “Janë pikërisht këta afaristë, të lidhur shpirtërisht me vendlindjen, që na bëjnë të ndjehemi më të fortë e më të bashkuar.
Falënderim i veçantë për shtetin helvetik
Në fund të bisedës sonë, Burhan Morina nuk la pa përmendur një falënderim të veçantë për shtetin mikpritës, Zvicrën – të cilin ai e cilëson si një model i organizimit, respektit dhe mundësive për mërgimtarët shqiptarë.
“Jemi shumë mirënjohës ndaj shtetit helvetik, që na ka pranuar, na ka dhënë mundësi të punojmë, të jetojmë me dinjitet dhe madje edhe të organizohemi si komunitet. Shumica prej nesh janë tashmë edhe shtetas zviceranë, por nuk e kemi harruar kurrë nga vijmë – përkundrazi, kjo na forcon më shumë.
Zvicra është vendi ku kemi ndërtuar jetën, por Topanica është vendi ku kemi rrënjët,” – thekson z. Morina me emocion.

Shoqata “Topanica” është mishërim i lidhjes shpirtërore me vendlindjen dhe dëshmi e vlerave të ruajtura brez pas brezi.
SAM24.info