(Tradita Vazhdon)

Nga: Hamzë Morina, Zvicër
Edhe në këtë Jubile të 35 vjetorit të shkollës shqipe në Kantonin e Aargaut, LAPSH “Naim Frashëri”, me rastin e përfundimit të mësimit shqip në këtë kanton, organizoi për prindër, nxënës e mysafirë një Program të larmishëm, i cili tashmë vazhdon traditën pandërprerë që nga themelimi me një përvojë të mirë, ku shkëlqyen si çdoherë nxënësit me njohuritë e tyre dhe ngjallën emocione festive me zërin kumbues të këngëve dhe valleve shqipe!

Jehona e Këngës së Flamurit dhe defilimi shumgjyrësh, ku mbizotëronin nyansat kuq e zi në rrobat kombëtare të vogëlushëve, ngrohën zemrat e prindërve që u kishin besuar kolegeve të mija fëmijët e tyre dhe mahniti mysafirët e pranishëm.

Ky është vullneti i çeliktë që përballuan me dekada, me suksese modeste pa u ndalur. Dhe kjo jehonë po vazhdon edhe sot. Ky sukses së pari u takon mësimdhënësve që pa kushtëzime vazhdojnë, përkundër ndihmës së vogël nga institucionet tona, por bazuar në vullnetin dhe kontributin e prindërve arsimdashës po tejkalohen sfidat e kohës me dekada.

Pas Hymnit kombëtar dhe këngës “Mora fjalë” të kënduar mrekullisht bukur nga Fjolla Berisha, të pranishmit i përshëndeti Kryetari i LAPSH “N. Frashëri” Riza Demaj i cili falenderoj prindërit, nxënësit dhe arsimtarët për punën e palodhshme që bënë këtë vit dhe uroj për suksese të reja.

Në veçanti falenderoj mysafirët e nderuar, Ministren e arsimit të Kosovës Arbërije Nagavci, Akademikun Frashër Demaj nga ASHAK dhe Profesorin e Fakultetit të Histori Filologji të Universitetit të Tiranës Dr. Teki Kurtin, Kryetaren e Komunës së Suhrit Carmen Suter, e cila në emër të institucioneve kantonale u dëshiroj shqiptarëve suksese në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës së tyre dhe për integrimin e sukseshëm në shoqërinë zvicerane.

Me këtë rast përshëndeti edhe përfaqsuesit e Ambasadave të Kosovës dhe Shqipërisë. Nagavci në emër të MASHT të Kosovës i përgëzoi arsimtarët, prindërit dhe nxënësit për sukseset e arritura në kultivimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e vlerave dhe traditës kombëtare, derisa Prof. Dr. Teki Kurti ishte i mahnitur me vullnetin e gjeneratave që po mbajnë gjallë gjuhën me dekada të tëra në kushte të tilla dhe përgëzoi të gjitha ata që po i dalin krah Atdheut dhe po ja rrisin krenarinë kombit të shpërndarë pa fajin e tyre nëpër botë.

Programin e përcollën edhe mediat, ndër të cilat shquhej prezenca e RTV të Kosovës e cila me kujdes, si gjithmonë po u jep përkrahje mediatike dhe po afirmon punën dhe sukseset e tyre. Programin me nxënësit e saj nga pikat shkollore të Frickut, Möhlinit dhe Mumf – it e filloi mësuesja Zyrafete Muqolli e cila ka një përvojë të mirë dhe është mishëruar me nxënësit që shkëlqyen edhe kësaj radhe me recitimet, këngët dhe vallet në skenën para shumë prindërve e mysafirëve që me emocione dhe duartrokitje përcollën jehonën e tyre me vrullin fëminor.
Pas tyre u radhitën nxënësit e mësimdhënëseve tjerë:

– Sadete Musliut nga pika shkollore në Wettingen që me ngjyrat e Kosovës argëtuan të pranishmit me vallet tradicionale dhe sollën risi e freski në skenën programore,
– Eshtrefe Nuhiji nga pika shkollore në Windish shkelqeu si gjithmonë me pikat programore,
– Elfete Gashi nga pikat shkollore Wohlen e Dintikon me përvojen e gjatë në mësimin plotsues i dha frymë të re programit me recitime pjesë teatrale që shtoi kureshtjen e prindërve dhe mysafirëve të pranishëm në sallë, dhe programi pa ndërprerje vazhdoi me mësimdhënëset e reja:
– Nura Ilijasi me pikat shkollore në Birr, Hunzenschwill, Othmasingen, Ruperswil e Seon,
– Vjollca Kapsolli nga paralelja e Gränichenit e
– Safete Budeci Dushi nga Zurzachu.
– Halime Vishi nga pika shkollore e Oftringenit, me nxënësit të saj i dha frymë solemne me këngët dhe vallet e pregaditura për mrekulli, dhe bashkëshortët
– Vaxhid Sejdiu me nxënësit e Spreitenbachut dhe bashkëshortja e tij
– Qefsere Sejdiu nga Neuenhofi me përvojën e tyre disa dekada i dhanë një përfundim të mirë këtij programi.
Në fund nxënësit që përfunduan mësimin plotsues në Kantonin e Argaut u pajisen me Certifikat për kryrjen me sukses të këtij mësimi, të cilat u dorzuan nga mësimdhënësit e tyre, të cilët ju dëshiruan suksese të reja në jetë dhe shkollim të
mëtejmë. Me këta fëmijë të mrekullueshëm që po ruajnë gjuhën e traditat e ardhmja e këtij kombi do të jetë e ndritur. Shpresojmë se numri prej mbi treqind fëmijëve në Kantonin e Aargaut do të shtohet.
Ky është shembull i mirë dhe premtues.
Ata sot me vargje e këngë na përkujtuan historinë tonë të lavdishme që nga Iliria deri te lufta e fundit çlirimtare e Kosovës. Dardania, Skënderbeu, Rilindja kombëtare, Lidhja e Prizrenit, Ismail Qemali dhe Pavarësia shqiptare deri te Liria dhe Pavarësia e Kosovës ishin kryefjala e poezive dhe këngëve heroike, pa munguar edhe imazhi i valleve të bukura nga krahinat e ndryshme të trojeve shqiptare, një mozaik i ndritshëm i kulturës dhe traditave të lashta arbërore.
Dhe krejt në fund ushqimet tona tradicionale nga duart e arta të nënave dhe motrave tona nuk munguan në tryezën e shtruar enkas për këta fëmijë të guximshëm, të ditur dhe premtues. Shqiptarët janë të pamposhtur, le të jehojë zëri i tyre kumbues në Europë, e cila kësaj radhe ishte krah nesh dhe me ne në përpjekjet për liri e demokraci. Vazhdon të jetë krah nesh edhe në ndihmën e përpjekjeve tona për ruajtjen e gjuhës sonë të dashur, kujtimin më të shtrenjtë që do ta mbrojmë edhe këtu!