Nga Dashnim HEBIBI
Takim i frytshëm me Kryetaren e Qytetit të Usterit
Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, po vazhdon me përkushtim takimet me përfaqësues të institucioneve zvicerane, duke forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin me Zvicrën – një shtet që shqiptarët e quajnë me krenari atdheu i tyre i dytë.
Në këtë kuadër, z. Berisha u prit nga Kryetarja e Qytetit të Usterit, znj. Barbara Thalmann Stammbach.
“Ky ishte një takim i ngrohtë dhe miqësor, ku biseduam për hapësirat e shumta të bashkëpunimit mes qytetit të Usterit dhe komunitetit tonë shqiptar. Më gëzon fakti që mërgata jonë këtu është e integruar, aktive dhe kontribuon fuqishëm në jetën shoqërore e institucionale të qytetit,” – u shpreh z. Berisha.
Ai shtoi më tej:
“Zvicra është shembull i demokracisë funksionale, mirëkuptimit dhe respektit për diversitetin. Shqiptarët që jetojnë këtu ndihen pjesë e pandashme e këtij vendi dhe me punën e tyre të përditshme po i japin një kontribut të madh zhvillimit të tij. Si Konsullatë, ne e kemi për detyrë të ndërtojmë edhe më shumë ura bashkëpunimi e mirëkuptimi, duke forcuar lidhjet mes institucioneve zvicerane dhe Kosovës.”
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih e vlerëson lart mikpritjen e znj. Thalmann Stammbach dhe gatishmërinë e saj për të thelluar bashkëpunimin, duke hapur horizonte të reja për përfaqësimin e mërgatës shqiptare në Uster.
SAM24.info