/ Nga: Dashnim HEBIBI /
Në kuadër të takimeve të rregullta me përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare në Zvicër, Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, realizoi një takim me Nënkryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, z. Fehim Abazi.
Gjatë takimit u diskutua për çështje me rëndësi për komunitetin shqiptar në Zvicër, si dhe për mënyrat konkrete për të forcuar bashkëpunimin dhe lidhjet ndërmjet mërgatës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Biseda u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe miqësore, në prag të festës së Kurban Bajramit.
Z. Berisha vlerësoi lart kontributin e teologëve shqiptarë në ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe fetar, si dhe theksoi rolin e tyre në promovimin e vlerave të harmonisë dhe bashkëjetesës. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes që shteti zviceran ofron për ushtrimin e lirë të besimit dhe veprimtarisë fetare. Në mënyrë të veçantë, Shefi i Misionit vlerësoi lart edhe kontributin e tyre për të mirën e atdheut në periudha të ndryshme, duke theksuar rolin e diasporës si një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës në botë.
Z. Fehim Abazi është një personalitet i njohur jo vetëm në Zvicër, por edhe në Kosovë. Në Zvicër, ai gëzon respekt të gjerë, duke pasur kontakte të shumta me miq zviceranë dhe një angazhim të vazhdueshëm në jetën fetare dhe shoqërore. Përveç zbatimit të rregullave fetare në xhami dhe udhëheqjes së besimtarëve, ai ligjëron rregullisht tema të ndryshme me karakter edukativ dhe shoqëror, në funksion të mirëqenies së komunitetit. Gjithashtu, ai ka organizuar tryeza të shumta diskutimi me studiues të ndryshëm, si dhe promovime librash, duke dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin e jetës kulturore e intelektuale të mërgatës shqiptare në Zvicër.