Nga: Dashnim HEBIBI
Dübendorf, 21 gusht 2025 – Pas përfundimit të pushimeve verore, shefi i misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, ka filluar me energji të reja dhe përkushtim të lartë ushtrimin e detyrës së tij, së bashku me stafin konsullor. Aktivitetet e para kanë përfshirë si takime me mërgatën tonë, ashtu edhe me përfaqësues të institucioneve lokale zvicerane, me qëllim forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në këtë kuadër, sot z. Berisha u prit në një takim të ngrohtë dhe miqësor nga Kryetari i qytetit të Dübendorfit, z. André Ingold. Dübendorfi është një qytet ku jetojnë e veprojnë një numër i madh i mërgimtarëve dhe shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët me punën dhe angazhimin e tyre kontribuojnë në zhvillimin e këtij qyteti dhe të shoqërisë zvicerane në përgjithësi.
Gjatë takimit u diskutua për rolin e rëndësishëm që mërgata jonë ka në jetën shoqërore, kulturore dhe institucionale të qytetit të Dübendorfit, si dhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe Konsullatës së Kosovës në Cyrih. Të dy palët theksuan rëndësinë e krijimit të urave të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë integrimin, edukimin, kulturën dhe promovimin e vlerave të përbashkëta.
Shefi i Konsullatës, z. Vigan Berisha, shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe gatishmërinë e Kryetarit të Dübendorfit për të forcuar lidhjet institucionale dhe për të ofruar hapësira më të mëdha bashkëpunimi, të cilat do të jenë në të mirë të qytetarëve, veçanërisht të mërgatës kosovare.
“Ky takim dëshmon se bashkëpunimi mes institucioneve është çelësi për krijimin e një ambienti edhe më të mirë për bashkëkombësit tanë që jetojnë e kontribuojnë në Zvicër. Ne mbetemi të përkushtuar për të thelluar këtë partneritet dhe për të qenë pranë mërgatës sonë,” u shpreh z. Berisha.
Takimi me z. Ingold shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes institucioneve lokale zvicerane dhe Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, duke i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit të ndërsjellë./ Sam24.info