Velika Gorica, 11 korrik 2025 – Ansambli i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija” mori pjesë me krenari në edicionin e 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, organizuar nga Ansambli Folklorik i Turopoljes. Ky festival prestigjioz mblodhi grupe folklorike nga vende të ndryshme dhe krijoi një atmosferë të ngrohtë, të mbushur me këngë, valle dhe ritme të gëzueshme.

Me përkushtim dhe pasion, ansambli “Shkëndija” interpretoi valle tradicionale shqiptare dhe prezantoi me krenari kostumet tona kombëtare, duke sjellë para publikut një pjesë të gjallë të trashëgimisë sonë kulturore. Performanca u prit me duartrokitje të gjata dhe emocione të veçanta nga të pranishmit.
Përmes këtij prezantimi, dërguam një mesazh të fuqishëm: kultura nuk njeh kufij dhe jeton përmes bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe ruajtjes së vlerave të përbashkëta.

Faleminderit Ansamblit Folklorik të Turopoljes për mikpritjen dhe mundësinë. Jemi të lumtur për këtë bashkëpunim dhe mezi presim pjesëmarrje të tjera në të ardhmen!
SAM24.info