Nga: Shefqet Cakollit – President i SH.K.A “Dardania” në Zvicër
Vikendi që lamë pas ishte një festë e vërtetë në shtëpinë e madhe për të moshuar “Im Ris” në Adliswil, Cyrih, ku u organizua një ngjarje festive nga stafi i kësaj qendre të kujdesit për të moshuarit.

Atmosfera festive mbizotëronte në çdo kënd: ishin përgatitur lojëra, ushqime, pije të freskëta dhe programe të ndryshme argëtuese, që përfshinin muzikë live dhe banda të ndryshme muzikore nga qyteti. Por e veçantia e kësaj ngjarjeje ishte një orë program nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania”, e cila i argëtoi të pranishmit me këngë dhe valle nga trojet tona kombëtare, të shoqëruara me prezantimin e kostumeve tona tradicionale.

E gjithë pjesa artistike u moderua me shumë kujdes nga Albulena Kqiku, e cila përshkroi secilën pjesë të programit me saktësi, duke sjellë më afër kuptimin dhe bukurinë e çdo valleje. Ajo kishte përgatitur edhe një quiz për të moshuarit, me pyetje rreth Shqipërisë, që ngjalli mjaft interes e kureshtje. Veçanërisht u duartrokit kënga “Xhamadani vija-vija”, si dhe kënga në gjuhën gjermane “Die Bogen”, e cila u dedikua posaçërisht për të moshuarit.
Një tjetër moment i veçantë ishte vallja zvicerane, e interpretuar nga grupi ynë i vallëtarëve me veshje kombëtare shqiptare, që krijoi një ndërlidhje simbolike të kulturave.

Të moshuarit ishin të entuziazmuar: filmonin me telefonat e tyre, duartrokisnin me entuziazëm dhe shfaqnin interes të madh për prezantimin e vallëtarëve tanë – për disa prej tyre kjo mund të ketë qenë hera e parë që përjetonin nga afër një kulturë të tillë.
Në fund të programit, vijuan vallet e përbashkëta ku moderatorja ju spejegoj së pari hapat dhe pa hezitime ju bashkangjiten edhe shumë të mushuar dhe stafi i kësaj qendre, ku vallëzuan së bashku!
Organizatorët shprehën falënderime të veçanta për pjesëmarrjen dhe performancën tonë, duke na ofruar pije të freskëta në atë ditë të nxehtë vere. Zonja Etemi, udhëheqëse me mbi 20 vite përvojë në këtë institucion, na falënderoi dhe na inkurajoi të vazhdojmë këtë rrugëtim artistik sa kohë që kemi mundësi dhe energji.

Me këtë aktivitet përmbyllëm simbolikisht edhe gjysmën e parë të vitit – një periudhë e mbushur me angazhim, aktivitete të shumta, festivale dhe paraqitje dinjitoze para publikut, veçanërisht para zviceranëve dhe komuniteteve të tjera që jetojnë në Zvicër.

Në fund të këtij sezoni të ngjeshur, stafi ynë ju uron pushime të mbara, çlodhje dhe kthim të mbarë pas afro katër javësh relaksimi. /SAM24.info