NGA BEQIR SINA, NEW YORK CITY
Beogradi intensifikon fushatën diplomatike kundër Kosovës në OKB .
Fushata e Serbisë në Asamblenë e OKB-së, nisi gjatë kohës që po zhvillohet Asambleja e 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbajtur 23 shtator 2025.
Serbia ka ndërmarrë një fushatë të koordinuar diplomatike për të sfiduar pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Me një delegacion të madh prej 50 anëtarësh, të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe ministri i Jashtëm Marko Gjuriç, Serbia ka shfrytëzuar platformën e OKB-së për të promovuar narrativën e saj kundër shtetësisë së Kosovës.
Nisja fushatës nga Nju Jorku, filloi me mesazhet e saj të propagandës vizuale dhe, dje me fjalimin e presidentit të Sërbisé Aleksandë Vuçiç në poltronën e Asamblesë e OKB-së.
Fushata e Serbisë ka marrë një formë të dukshme dhe provokuese përmes përdorimit të tre makinave me ekrane digjitale, të cilat qarkulluan rreth selisë së OKB-së në Nju Jork. Këto ekrane shfaqnin një montazh imazhesh dhe videosh, duke përfshirë foto të ushtarëve serbë dhe qytetarëve serbë të Kosovës të paraqitur si viktima të dhunës dhe torturës.
Mesazhet shoqëruese akuzonin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “diktaturë” dhe për zhytjen e vendit në një krizë politike pas zgjedhjeve të fundit.
Një nga pretendimet e shfaqura në ekrane ishte se “partia e Kurtit fitoi zgjedhjet e shkurtit, por Kosova mbetet pa një qeveri të qëndrueshme”.
Këto mesazhe synojnë të krijojnë një narrativë që portretizon Kosovën si një shtet të paqëndrueshëm dhe udhëheqjen e saj si autoritare, duke minuar imazhin e saj në sytë e komunitetit ndërkombëtar.
Përveç kësaj, presidenti Vuçiç, në fjalimin e tij më 24 shtator në OKB, deklaroi se “Kosova dhe Metohia” sipas tij janë një pjesë e pandashme e Serbisë.
Kjo deklaratë, e kombinuar me fushatën vizuale, është pjesë e një strategjie të gjerë për të riforcuar pretendimet territoriale të Serbisë dhe për të penguar njohjen e mëtejshme të Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së, dhe ndoshta për destabilizimin e rajonit
Kjo është fushta më e egër që pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj për imazhin dhe njohjen ndërkombëtare.
Kjo fushatë ka për qëllim të dëmtojë Kosovën në disa fronte.
Së pari, përmes propagandës vizuale dhe deklaratave publike, Serbia synon të dobësojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës duke e paraqitur atë si një shtet të paqëndrueshëm dhe të udhëhequr nga një qeveri jodemokratike. Kjo narrativë mund të ndikojë te vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke i bërë ato më hezituese për të mbështetur anëtarësimin e saj në OKB ose organizata të tjera ndërkombëtare.
Së dyti, fushata synon të krijojë dyshime te shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, duke i shtyrë ato të rimendojnë mbështetjen e tyre. Serbia ka një historik të përpjekjeve për të “zhbërë” njohjet e Kosovës, dhe kjo fushatë në OKB është një vazhdimësi e këtyre përpjekjeve, por me një intensitet të ri dhe një skenë globale.
Fushata e Serbisë në Asamblenë e OKB-së është një përpjekje e qëllimshme për të minuar pavarësinë e Kosovës, 26 vjet pas çlirimit të saj dhe 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Përmes kombinimit të propagandës vizuale, deklaratave publike dhe protestave të planifikuara, Serbia po përpiqet të ndryshojë narrativën ndërkombëtare për Kosovën.
Megjithatë, me mbështetjen e fuqive kryesore si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, Kosova ka mundësinë të kundërshtojë këto përpjekje përmes diplomacisë proaktive dhe forcimit të pozitës së saj në arenën globale./BS