Nga Dashnim HEBIBI
Protesta e sotme në Hagë të Holandës, në përkrahje të çlirimtarëve, mblodhi mijëra mërgimtarë dhe bashkëkombës nga të gjitha trevat shqiptare. Zëri i tyre kumbues e njësoi mesazhin e qartë: drejtësi për luftëtarët e lirisë dhe dënim për kriminelët serbë që ende shëtisin të lirë në Beograd.
Mbrëmë, para protestës, e pyeta Dr. Sali Sefën nëse do të ishte i pranishëm në Hagë. Ai, me lot në sy dhe pas një heshtjeje prej rreth tridhjetë sekondash, m’u përgjigj për sam24.info:
“Më fal, nuk po mundem…”
Dr. Sali Sefa – emër i njohur për të gjithë, ish i burgosur politik, atdhetar i dëshmuar edhe në mërgatë sa ishte në Gjermani, si dhe ish konsull i Kosovës në Cyrih të Zvicrës – i shprehu ndjenjat e tij me disa fjalë të dhimbshme:
“E urrej trupin dhe shëndetin tim sot!
Nuk e di gjatë jetës sime në sa protesta mora pjesë!
Kësaj radhe më tradhtoi forca e trupit tim! Marrë i qoftë!
Sot duhej të isha në Hagë, fatkeqësisht nuk jam atje!
Fizikisht nuk jam, por shpirtërisht e me mendje jam në përkrahje të protestës dhe thirrjes për drejtësi!”
LIRI PËR ÇLIRIMTARËT – ZËRI I MËRGATËS NË HAGË
Këto fjalë të tij të mbushura me emocione, me lot e zemër të thyer, tregojnë më së miri se përkushtimi nuk matet vetëm me praninë fizike. Dr. Sefa, edhe pse i munguar, ishte me shpirt në mesin e mijëra bashkatdhetarëve që sot ngritën zërin në Hagë kundër padrejtësisë ndaj komandantëve të luftës.
Në këtë ditë proteste, kujtimet për dëshmorët dhe amanetin e tyre u ringjallën me forcë: të jemi bashkë, të punojmë bashkë, të kërkojmë drejtësi bashkë. Amaneti i tyre është i qartë: çlirimtarët të kthehen në atdhe të lirë, ndërsa kriminelët serbë të dënohen për krimet e tyre.
Mërgata shqiptare edhe njëherë dëshmoi se është arteria e kombit, zëri i saj që shtrihet nga Evropa deri në SHBA, nuk do të pushojë kurrë së kërkuari drejtësi për çlirimtarët tanë.
Liri për Çlirimtarët – Drejtësi për Kosovën!