/ Përgaditi: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Tiranë, maj 2025 –Filantropi dhe sipërmarrësi i njohur shqiptar që jeton dhe vepron në SHBA, Sahit Muja, ishte i ftuar në një intervistë ekskluzive për FII TV, realizuar nga gazetarja e njohur ndërkombëtare Ana Blanquart, në kuadër të forumit më të rëndësishëm për investime globale, Future Investment Initiative (FII).
Ky forum, që konsiderohet një ndër platformat më me ndikim në botë, ka siguruar mbi 280 miliardë dollarë investime në pak vite, dhe mbledh liderë të financës, teknologjisë dhe shkencës për të diskutuar mbi të ardhmen e zhvillimit global.
Gjatë intervistës, z. Muja prezantoi me krenari vlerat e kombit shqiptar, pasuritë natyrore të vendit, si dhe vizionin për një të ardhme me investime të qëndrueshme dhe zhvillim afatgjatë në Shqipëri. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe fuqinë e besimit si një vlerë e rrallë që shqiptarët e ruajnë me përkushtim.
“Besa shqiptare nuk është thjesht një fjalë, është një kod nderi. Ajo qëndron e gjallë dhe forcon çdo marrëdhënie që ndërtojmë, qoftë në biznes apo në jetë,” – u shpreh Muja, duke reflektuar filozofinë e tij të suksesit.
Për më shumë, intervista e plotë mund të ndiqet në linkun më poshtë.
Një moment i rëndësishëm për promovimin e Shqipërisë në hartën globale të investimeve.