Shqipëria është një aleate besnike, e cila “po mban një peshë më të madhe se ç’i takon”, tha të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Përpara takimit dypalësh, ai pati një konferencë paraprake me kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel në vijim të Konferencës VI Ndërqeveritare për çështjen e anëtarësimit në BE.
Rutte e quajti Ramën një “mik personal” dhe vlerësoi kontributet e Shqipërisë në aleancën ushtarake të Atlantikut Verior.
“Shqipëria këtë vit do të përmbushë kriterin e 2-përqindëshit të shpenzimeve për mbrojtjen, që është një angazhim shumë i mirë. Shqipëria ka marrë përsipër ta zhvillojë industrinë e vet ushtarake, gjë që është e rëndësishme, sepse neve na duhet që e gjithë NATO-ja të ketë një industri mbrojtjeje të fortë. Po ndihmoni shumë me Ukrainën, për shembull, përmes komandës tonë në Wiesbaden, ku kemi një delegacion shqiptar, me trajnimet gjuhësore, me pilotët e avionëve luftarakë, me teknikët. Pra, po bëni shumë kur vjen puna te Ukraina. Jashtë Shqipërisë po merrni pjesë në forcat tokësore të huaja, në Letoni, në Bullgari; jeni aktivë në Kosovë me KFOR-in. Pra, po mbani një peshë më të madhe se ç’ju takon. Ne e dimë që NATO-ja mund të ketë besim te Shqipëria dhe ju e dini që Shqipëria gjithmonë do të ketë mbështetjen e NATO-s,” theksoi Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake.
Nga ana e tij, kryeministri Rama nënvizoi se Shqipëria është gati të bëjë edhe më shumë kur vjen puna te sektori i mbrojtjes. Ai kujtoi portin ushtarak që po zhvillohet në Porto-Romano dhe sesi vendi mund të përfitojë nga programi i BE-së për forcimin më tej të gatishmërisë ushtarake. Programi SAFE hyri në fuqi këtë vit dhe megjithëse parashikon marrjen e kredive vetëm nga shtetet anëtare të BE-së, mund të jetë me dobi edhe për shtetet kandidate, si Shqipëria, që janë zotuar për partneritet me Bashkimin Europian në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Duam të bëjmë më shumë! Tani kemi lançuar rilindjen e industrisë tonë ushtarake. Jemi shumë entuziastë për të diskutuar me ju punën e mëtejshme që duhet të bëjmë për të ngritur portin ushtarak kompleks në Porto-Romano. Jemi këtu për të folur bashkë edhe sesi të aksesojmë programin SAFE të Bashkimit Europian, që në terma sigurie shkon përtej perimetrit të vendeve të NATO-s dhe mund të jetë ndihmë edhe për vendet e NATO-s në Europë,” u shpreh Rama, transmeton rtsh.