Nga: Dashnim HEBIBI
Rinia shqiptare e mërgatës, e cila po rritet dhe edukohet në vende të huaja, gjithnjë e më shpesh po zgjedh që dasmat t’i organizojë në vendin e të parëve. Ky fenomen po shihet me shumë pozitivitet nga një pjesë e madhe e bashkëkombasve në atdhe, pasi përveç ruajtjes së traditave tona dhe forcimit të lidhjeve familjare, ata po sjellin edhe të ardhura në vend, duke gjallëruar ekonominë lokale dhe jetën e përditshme të popullatës.
Edhe pse vitet e fundit pushimet verore në atdhe nga rinia e mërgatës kanë filluar të zbehen, kryesisht për shkak të tollovive dhe sfidave të ndryshme, ende është dashuria për familjen dhe ndjenja kombëtare që i tërheq e i motivon të kthehen.
Një shembull është Fatlumi nga komuna e Bujanocit, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.
Për sam24.info ai rrëfen:
“Dasmat në atdhe kanë hijeshi të veçantë. Në dasmën time u kënaqëm të gjithë, jo vetëm me familjen, por edhe me disa miq që erdhën enkas nga Zvicra, përfshirë edhe të huaj nga kombe të tjera. Ata na përgëzuan, sepse e panë se ne shqiptarët jemi të lidhur fort familjarisht. Kur në restorant shohin gjithë ata njerëz që vallëzojnë, buzëqeshin dhe festojnë, është një emocion më vete.”
E njëjta frymë ndjehet edhe te shumë të rinj të tjerë, të cilët me dëshirë po organizojnë dasma në atdhe ashtu siç duan vetë — me ushqim të mirë, muzikë të zgjedhur, kënaqësi për prindërit e farefisin, dhe mbi të gjitha duke ruajtur gjuhën dhe traditën tonë kombëtare.
Ky realitet tregon se Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe komunat shqiptare në Luginën e Preshevës duhet të bëjnë më shumë për të krijuar programe dhe iniciativa nga ekspertë që do t’i frymëzonin të rinjtë e mërgatës të mos shkëputen nga vendi i të parëve.

Edhe pse sot rinia e diasporës nuk qëndron më gjatë në atdhe si dikur — jo nga mungesa e dëshirës, por edhe për shkak se një pjesë të pushimeve i kalojnë në bregdet — dasmat dhe gazmendet e tjera vazhdojnë t’i mbajnë këtu, në vendlindje. Kjo meriton një falënderim të përzemërt, sepse përveç gëzimit shpirtëror, kjo sjellje lë edhe ndikim ekonomik të drejtpërdrejtë.
Bashkëkombasit në atdhe kanë vetëm fjalë të mira për këtë lidhje të fortë që po e mban gjallë rinia e diasporës, pasi paratë e shpenzuara këtu ndihmojnë në përballimin e sfidave, sidomos në kushtet e një papunësie të lartë.
Është koha të punohet më shumë, me ndihmën e njohësve të jetës së mërgimtarëve, për të tërhequr rininë jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë pushimeve të shkurtra. Të ruajmë gjuhën, kulturën dhe lidhjen me vendin brez pas brezi — sepse kjo është pasuria jonë më e shenjtë.
SAM24.info