Sokol PAJA, NEW YORK
Masakra e “Reçakut” është një ndër krimet më monstruoze jo vetëm të Serbisë në Kosovë por një ndër gjenocidët më të tmerrshme që ka njohur shekulli ynë. Fatkeqësisht edhe pas 26 vitesh, përsëri Serbia gjenocidale ka orekse për Kosovën. Trazirat në Veri, krimi i organizuar dhe orkestrime nga Beogradi vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe të ardhmen e Kosovës. Si dëshmi e krimeve serbe ndaj shqiptarëve dhe një borxh ndaj të vertetës historike, Ambasadori William G. Walker botoi librin “Reçak: Historia e një krimi lufte” një libër që i kushtohet një një masakre ndaj shqiptarëve të pafajshëm por mbi të gjitha një zë i vërtetë nën propaganda mashtruese e manipulative serbe.
Si krim kundër njerëzimit, “Reçaku” sot vlen për ti treguar botës perëndimore sesa e padrejtë sesa e pamoralshme është mbajtja në Hagë e luftëtarëve e çlirimtarëve të UÇK-së në një kohë që kriminelët serbë shetisin të lirë. Libri është një testament shpirtëror, diplomatik, politik e mbi të gjitha historik. Shef i Misionit Verifikues në Kosovë në kuadër të OSBE-së ambasadori Walker, ku më 15 janar 1999 forcat serbe masakruan 45 civilë shqiptarë, ndërgjegjësoi botën jo vetëm për masakrën e tmerrshme po i dha një tjetër këndshikim krimit e gjenocidit që po ndodhte në Kosovë.
Libri autobiografik “Reçak: historia e një krimi lufte është i ndarë në dy pjesë dhe secila ka meritë e kontribut të veçantë për të vërtetën që përshkruan por dhe zbardhjen e një periudhe të vështirë për shqiptarët e Kosovës sidomos. Pjesa e parë e librit përshkruan autobiografinë e autorit nga fëmijëria deri te karriera e tij 40-vjeçare në Shërbimin e Jashtëm, përfshirë misionet në Japoni, Amerikën Latine dhe Ballkan, ndërsa pjesa e dytë e librit fokusohet në përvojat e tij në Ballkan, sidomos në misionet e Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së në Kosovë nga merr pikënisje titulli dhe ngjarja bosht e librit ndër më të rëndësishmit për të dokumentuar krimet e Serbisë në Kosovë.
Ambasador Walker ka lënë një testament të jashtëzakonshëm dhe frymëzues për çdo diplomat dhe historian. Federata Vatra si lider 113 vjeçar i aktiviteteve patriotike e atdhetare në mërgatën e Amerikës, e nderoi Ambasadorin Walker me “Medaljen e Artë të Lirisë” në një ceremoni të jashtëzakonshme nderimi, mirënjohjeje, vlerësimi e respekti në Selinë Qëndore të Vatrës. Çdo shqiptar i Amerikës e mbarë botës është krenar me veprën dhe shërbimin e shquar që Ambasadori William G. Walker i ka dhënë kombit tonë e sidomos Kosovës me “Reçakun”. Promovimi në disa shtete të Amerikës i këtij libri jo vetëm që ekspozon të vertetën shqiptare e krimet serbe mbi shqiptarë, por sensibilizon botën mbi veprimtarinë gjenocidale të Serbisë dhe jep një kontribut të madh për të vërtetën shqiptare në gjyqin e historisë.
Tragjedia njerëzore e masakrave të forcave serbe ndaj popullatës civile në Kosovë nuk është trajtuar kurrë si duhet e sa duhet nga diplomatët e huaj që kanë shërbyer në Kosovë apo Ballkan, dhe Ambasadori William G. Walker me ndershmëri dhe guxim, përmes librit bën një ftesë publike për reflektim mbi të gjitha. “Reçaku” i ambasadorit Walker është një fakt dhe dokument shkencor mbi të cilin Gjykata Speciale duhet ta shqyrtojë për të gjykuar drejtë luftën e UÇK. Nëse ka luftë të pastër, të drejtë, të ndreshme dhe të domosdoshme në 1 shekull histori, ka qenë lufta e Ushtrisë Çlirimtrae të Kosovës.
Baltosja e UÇK është baltë ndaj kombit shqiptar. UÇK është nderi dhe dinjiteti i kombit tonë. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me një deklaratë publike qëndroi në krah të liderëve të UÇK-së dhe shprehu besimin e palëkundur në pastërtinë e luftës çlirimtare dhe kërkon që procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë e i paanshëm. Gazeta Dielli ka raportuar me detaje qëndrimet e luftëtarëve ndaj procesit të padrejtë që po zhvillohet në Hagë pasi aty duhet të kishte gjeneralë serbë që kanë udhëruar krime e vrasje e jo shqiptarë që kanë mbajtur atdheun, familjen, nderin e kombin. Duhet një ndërgjegjësim ndërkombëtar mbi nevojën për ndershmërinë dhe pastërtinë e gjykimit.
UÇK, Kosova dhe kombi shqiptar duhet të pastrohet nga balta e sponsorizuar në Beograd. Kosova e ka jetike aleancën strategjike dhe formimin e një qeverie të dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme, pro amerikane dhe pro perëndimore. Investimi te Shtetet e Bashkuara të Amerikës është investim i përjetshëm në dobi të shtetit dhe kombit shqiptar. Nuk duhet humbur ansjë ditë, nuk kemi luks të eksperimentojmë si shtet e si komb, por duhet bashkëpunim i ngushtë me aleatin tonë të përjetshtëm Amerikën dhe reforma demokratike që zhvillojnë shtetin, forcojnë demokracinë e institucionet, rrisin mirëqënien e qytetarëve dhe mbi të gjitha e bëjnë një shtet përparimtar e perëndimor, të fortë e dinjitoz. Kriza që ka mbërthyer Parlamentin e Kosovës ku kanë kaluar mbi 25 tentaviva për të zgjedhur drejtuesit e Kuvendit, janë përveç se shfaqje tejet e shëmtuar, po sjell pasoja diplomatike, institucionale dhe dëmton imazhin e shtetit ndërkombëtarisht. Parlamentarët e Kosovës duhet të ngrihen mbi interesa personale por të fokusohen te përparimi i kombit dhe fuqia e integriteti i institucioneve kushtetuese. Kosova nuk ka kohë për të humbur…/GD