Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të firmosin sot (15 janar) marrëveshjen për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë. Marrëveshja do të firmoset në Abu Dhabi, ndërsa lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama përmes një video-mesazhi. Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë, ndërsa do të kushtojë 1 miliard euro.
Rama tha se Shqipëria ka ambicien për t’u bërë e pavarur nga importi dhe se shumë shpejt kjo marrëveshje do t’i japë vendit tonë rolin e eksportueses ne BE.
“Për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik në rrugën tonë kundrejt pavarësisë energjetike. Së bashku me kryeministrin e Italisë, miken e shtrenjtë Xhorxhia Meloni me ftesë të Presidentit të emirateve të Bashkuara m një tjetër mik i posaçëm Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan, finalizojmë marrëveshjen trelaterale për lidhjen nënujore energjetike ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë dhe do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni e konsideroi atë një projekt ambicioz mes dy brigjeve të Adriatikut.
“Një ndërlidhje të re energjetike, për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për të eksportuar një pjesë të saj në Itali, falë një kablloje nëndetëse në Adriatik. Një projekt që përfshin tre qeveritë tona, si dhe sektorët tanë privatë dhe operatorët tanë të rrjetit“, u shpreh Meloni.
Gjithashtu, Rama foli dhe për energjinë diellore që, sipas tij, ka kaluar nga zero në afro 10% të prodhimit tonë të brendshëm energjetik, teksa premtoi se do të shkojë në 30%, nëse PS-ja fiton një mandat të katërt qeverisës. Sipas Ramës, Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë vete prodhuesve familjar apo biznese nga energjia diellore në rajon.
“Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon që nuk e rriti çmimin e energjisë gjatë krizës europiane përgjatë vitit 2022-2023. që nga data 1 shkurt Shqipëria do të bëhet zyrtarisht i vetmi vend europian që ul çmimin e energjisë. Jo pak por 10.5%. Me këtë masë që rentabilizon në funksion të mbi 1 milion të konsumatorëve arritjet e deri këtushme të reformës rrënjësore dhe investimeve domethënëse në sektorin e energjisë në bëhemi ndër vendet me çmim më të ulët në Europë dhe nga më të ulëtit në rajon. Si dhe i kursejmë qytetarëve tanë 31 milion euro në vit nga fatura e energjisë elektrike”, u shpreh ai, njofton rtsh.




