Intervistoi: Dashnim HEBIBI
Intervistë ekskluzive me Osman Osmani
„Falë këtij angazhimi, në vitin 2005 u zgjodha si deputeti i parë me prejardhje shqiptare në një parlament kantonal në Zvicër (në Kantonin e Schaffhausenit). Zgjedhjet lokale janë një mundësi e mirë që pjesëtarët e mërgatës – ata që e ndjejnë veten ende të lidhur me vendlindjen – të përfshihen drejtpërdrejt në jetën komunale dhe në vendimmarrjen lokale. Në vitin 2005 u zgjodha si deputeti i parë me prejardhje shqiptare në një parlament kantonal në Zvicër (në Kantonin e Schaffhausenit).“, na tha ndër të tjera z.Osmani.
“Nga Zvicra në Prishtinë – për një qytet më të drejtë dhe më të jetueshëm”
Osman Osmani, një emër i njohur për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë, i njohur për veprimtarinë e tij shoqërore, politike e kombëtare, pas dekadash angazhimi të pandërprerë në diasporë, ka vendosur t’i rikthehet Kosovës – konkretisht Prishtinës. Ky rikthim nuk është vetëm emocional, por përfaqëson një përkushtim konkret, politik e qytetar për ta ndihmuar qytetin ku është rritur. I vetëdijshëm për sfidat dhe potencialet që ka kryeqyteti, ai ka vendosur të kandidojë për Kuvendin Komunal të Prishtinës në listën e PSD- së. E për këtë vendim të madh dhe arsyet që qëndrojnë pas tij, realizuam këtë intervistë të veçantë me z. Osmani, pak orë pasi zyrtarizoi kandidaturën e tij.

Z. Osmani, ju falënderojmë që ndatë kohën për këtë intervistë. Ju njoh tashmë prej më shumë se 25 vitesh – gjithmonë i përkushtuar në aktivitete kombëtare, por edhe në shërbim të shtetit zviceran. Si personalitet i urtë, i matur, larg zhurmës e retorikës, gjithmonë i punës. Tani, një hap i ri – a është e vërtetë që po i riktheheni Prishtinës, dhe atë me synim për të dhënë kontribut në politikë?
Ju falënderoj edhe juve. Gjithmonë isha me Prishtinën e do të jem.
Ku qëndron arsyeja kryesore e këtij rikthimi?
Nuk jam larguar nga Prishtina me vetëdëshirë, prandaj rikthimi im nuk është thjesht një vendim individual, por pjesë e një rrugëtimi të gjatë personal e kolektiv. Për më shumë se 40 vite në mërgatë, çdo përvojë arsimore, profesionale dhe shoqërore që kam përjetuar në Zvicër, e kam parë jo si privilegj personal, por si diçka që duhet një ditë të kthehet në shërbim të vendit amë.
Kosova për dekada me radhë nuk ka pasur mundësi të zhvillojë praktika përparimtare për shkak të okupimit, shtypjes dhe rrethanave të vështira historike. Për këtë arsye, ne në diasporë — bashkë me shumë bashkëveprimtarë — kemi tentuar që përvojat dhe modelet pozitive të Zvicrës t’i afrojmë Kosovës. Kam punuar në projekte psikosociale e sociokulturore të mbështetura nga organizata si HEKS, SAH e DEZA. Kemi bashkëpunuar me organizata në Kosovë si GERMIN dhe BSPK, dhe kemi ndërmarrë edhe nisma për të institucionalizuar kontributin e diasporës, megjithëse shpesh pa suksesin e dëshiruar.
Së fundmi, së bashku me migrantët socialdemokratë të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, kemi organizuar një konferencë me titullin “Kontributi i diasporës për një zhvillim të qëndrueshëm dhe demokratik të Republikës së Kosovës”, ku morën pjesë mbi 60 pjesëmarrës nga Zvicra dhe Kosova. Aty u miratua një rezolutë me kërkesa konkrete, por për fat të keq ajo nuk ka gjetur ende zbatim, edhe pas katër vitesh.
Pra, nuk bëhet fjalë për një “rikthim” në kuptimin klasik, por për një përkushtim të vazhdueshëm që tani dua ta vë drejtpërdrejt në shërbim të qytetarëve si kandidat për Kuvendin Komunal të Prishtinës. Në këtë fazë të jetës sime, besoj se përvoja ime mund të jetë e dobishme për qytetin ku u linda e u rrita, e të cilin gjithmonë e kam pasur në zemër.
Në një bisedë para intervistës thatë: “Dua të kontribuoj për një Prishtinë që e duam.”
Çka nënkuptoni me këtë?
Kur flas për “Prishtinën që e duam”, nuk kam parasysh vetëm një qytet me ndërtesa të reja, por një qytet të jetueshëm për të gjithë. Një kryeqytet funksional, gjithëpërfshirës dhe me standarde europiane – jo vetëm në pamje, por në thelb. Pas luftës, prioriteti ka qenë rindërtimi infrastrukturor, dhe me të drejtë. Por për fat të keq, ai rindërtim shpesh ka ndodhur pa plane të mirëfillta urbanistike, ekologjike apo sociale. Janë lënë anash shërbimet për qytetarët, është harruar fryma e solidaritetit, vetëorganizimit dhe bashkëvendimmarrjes.
Në këtë kontekst, kujtoj me dhimbje por edhe krenari një përpjekje timen konkrete:
themelimin e Shoqatës për Sociokulturë në “Lagjen e Muhaxhirëve” ku u linda e u rrita. Synimi ishte të krijonim ndër të tjera një çerdhe dhe një qendër komunitare – kishim edhe mbështetje financiare nga Zvicra – por për fat të keq nuk gjetëm mbështetje institucionale, as nga UNMIK-u, as nga autoritetet lokale.
Sot, kur eci nëpër Prishtinë, më dhemb kur shoh që qyteti është bërë i vështirë për
këmbësorët. Trotuaret janë të zaptuara nga makina, shpesh duhet të ecësh në mes të rrugës, duke rrezikuar jetën. Nuk mendohet për fëmijët, për të moshuarit, për gratë me karroca apo për njerëzit me nevoja të veçanta. Hapësirat publike mungojnë. Dhe për më keq, është harruar një gjë e thjeshtë por thelbësore: që përpos pronës private, ekziston edhe prona e përbashkët — publike — për të cilën duhet të kujdesemi së bashku.
Një Prishtinë që e duam është një qytet ku qytetarët jo vetëm jetojnë, por edhe bashkëvendosin.
Këshillat e banesave kolektive apo të lagjeve, që dikur ishin të zakonshme, sot mungojnë pothuajse tërësisht. Po të rivendoseshin dhe të fuqizoheshin, do të ndihmonin shumë në rregullimin e jetës urbane dhe ndërtimin e një kulture qytetare të qëndrueshme. Pra, kjo është Prishtina për të cilën dua të angazhohem: një qytet me fytyrë njerëzore, të drejtë, funksional dhe të përbashkët.

Pse keni zgjedhur pikërisht Partinë Socialdemokrate (PSD) si hapësirën ku do ta jepni kontributin tuaj?
Siç ndoshta e dini, unë kam qenë aktiv për vite me radhë në Partinë Socialdemokrate të Zvicrës. Angazhimi im politik nuk ka qenë kurrë i motivuar nga interesa personale, por nga dëshira për të mbështetur të drejtat dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve dhe migrantëve të tjerë në shoqërinë zvicerane.
Angazhimi politik më ka ndihmuar të kontribuoj në projekte konkrete për përfshirjen sociale, arsimore, kulturore dhe ekonomike të komuniteteve migrante — por edhe për të fituar përvoja që mund të jenë të dobishme për shoqërinë në Kosovë.
Falë këtij angazhimi, në vitin 2005 u zgjodha si deputeti i parë me prejardhje shqiptare në një parlament kantonal në Zvicër (në Kantonin e Schaffhausenit). Më vonë, me mbështetjen e veprimtarit të njohur Hilmi Gashi, u angazhova në sindikatën më të madhe të Zvicrës, Unia, si sekretar nacional për migracion, ku përfaqësova sidomos punëtorët nga Europa Juglindore, përfshirë shqiptarët.

Në Zvicër, lidhja midis së majtës dhe sindikatave është shumë e natyrshme: janë të pandashme. Në sindikatën Unia, për shembull, migrantët kishin struktura të veçanta për përfaqësim, edhe pa pasur shtetësi zvicerane. Ata mund të bënin propozime që nëse miratoheshin, bëheshin të detyrueshme për të gjithë. I frymëzuar nga kjo përvojë, së bashku me kolegë nga PS e Zvicrës, iniciuam krijimin e strukturës së Migrantëve Socialdemokratë, njësoj si strukturat e grave apo të rinisë brenda partisë. U zgjodha në Kryesinë Qendrore të PS për të përfaqësuar këtë grup.
Ky formim politik më ka udhëhequr gjithmonë me idenë që përvojat e mira të Zvicrës t’i sjellim në Kosovë. Kam qenë përkrahës i hershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse adresonte problemet që edhe ne në diasporë i shihnim si thelbësore. Madje, jam përpjekur të ndërtoj ura bashkëpunimi mes VV-së dhe PS-së zvicerane, që më në fund u konkretizuan në një memorandum bashkëpunimi. Por, për fat të keq, ky bashkëpunim nuk u zhvillua siç ishte pritur dhe në fakt u anashkalua, kryesisht nga pala kosovare.

Me kohë, ndodhi edhe një krizë e brendshme brenda VV-së, e cila nuk u menaxhua në mënyrë demokratike dhe rezultoi me ndarje të dhimbshme. Aktivistë të ndershëm, me guxim qytetar dhe përkushtim shembullor, u larguan nga ajo lëvizje dhe sot janë pjesë e PSD-së. Prandaj, zgjedhja ime për t’iu bashkuar Partisë Socialdemokrate në Kosovë nuk është rastësi. PSD ka një histori – që nga themelimi i saj nga Luljeta Pula e deri te përfaqësues të ndryshëm ndër vite si znj. Kaqusha Jashari. Sot, ajo drejtohet nga miku im Dardan Molliqaj dhe përfaqësohet nga njerëz me përvojë dhe integritet – shumica prej tyre ish-aktivistë të VV-së – të cilët vazhdojnë të jenë zëri i angazhimit qytetar e progresist. përfaqësohet nga njerëz me përvojë dhe integritet – shumica prej tyre ish-aktivistë të VV-së – të cilët vazhdojnë të jenë zëri i angazhimit qytetar e progresist.
PSD është i vetmi subjekt që më ka bërë ftesë të hapur për t’iu bashkuar dhe më ka nderuar me besimin e tyre për të kandiduar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kryesuesja e listës, Besa Shahini, dhe shumë prej kandidatëve të tjerë, më kanë bindur me qasjen e tyre profesionale, të artikuluar dhe konkrete për zhvillimin e Prishtinës. Për mua, ata nuk dallojnë nga kolegët e tyre socialdemokratë në qytetet më të përparuara të Zvicrës e Europës. Jam i lumtur të jem pjesë e këtij ekipi dhe shpresoj fort që Prishtina të ketë një kryetare si Besa Shahini – një grua me përvojë dhe profil të dëshmuar profesional e qytetar.
Këto janë arsyet pse kam zgjedhur Partinë Socialdemokrate – jo për interesa të ngushta, por për bindje dhe për vazhdimësi të një rruge që kam ndjekur për dekada.

Cilat janë gjërat që do të donit të ndryshonit menjëherë në Prishtinë?
Prishtina është e të gjithëve, jo vetëm e atyre që kanë fatin të banojnë në qendër apo të kenë qasje më të lehtë në institucione. Të jesh qytetar i Prishtinës nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi: të kujdesesh për të, të kontribuosh, të ndërtosh. Unë kam përcaktuar katër fusha prioritare ku besoj se përvoja ime — si në Zvicër, ashtu edhe në angazhimet e mia në Kosovë — mund të jetë veçanërisht e dobishme:
1.Drejtësi sociale dhe barazi në qasje
Shërbimet sociale duhet të jenë më të qasshme për të gjithë: për të rinjtë, gratë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Barazia duhet të garantohet jo vetëm në letër, por edhe në praktikë – në arsim, në
shëndetësi, në infrastrukturë – për të gjitha lagjet, përfshirë periferitë dhe vendbanimet informale që shpesh lihen pas dore.

2. Përfshirja e rinisë dhe edukimi qytetar
Rinia është energjia e qytetit. Duhet të krijojmë mundësi të reja për përfshirjen e tyre
në vendimmarrje, në kulturë dhe në ndërmarrësi sociale.
Qendrat rinore dhe hapësirat e sigurta për zhvillimin e talenteve, dialogun ndërkulturor dhe ndërbreznor duhet të jenë prioritet i politikave komunale.
3. Punësim dinjitoz dhe ekonomi sociale
Është koha të vendosim fokusin tek puna me dinjitet dhe zhvillimi i një ekonomie që
nuk mbështetet vetëm te fitimi, por edhe te solidariteti dhe përfshirja. Duhet të mbështesim kooperativat sociale, ndërmarrësit lokalë dhe punëtorët e rinj,
përmes politikave transparente dhe shpërndarjes së drejtë të resurseve komunale.
4. Qyteti i qytetarëve – pjesëmarrje dhe kujdes për të përbashkëtën
Qytetarët duhet të kenë zë në vendimmarrjen lokale. Këshillat e lagjeve, buxhetimi i
hapur dhe konsultimet publike nuk janë luks, por nevojë për një qytet demokratik.
Po ashtu, transparenca dhe llogaridhënia nga ana e administratës komunale duhet të
jenë të padiskutueshme – çdo qytetar ka të drejtë të dijë si përdoren mjetet publike
dhe cilat janë prioritetet reale të qeverisjes lokale. Besoj se këto janë jo vetëm gjëra që mund të ndryshohen, por që duhet të ndryshohen – dhe sa më parë, aq më mirë për Prishtinën dhe banorët e saj.
Praktika na tregon se kur njerëzit bëhen pjesë e një ideje, nisme apo kauze që i prek dhe i përfaqëson, ata jo vetëm që ndihen të përfshirë – por edhe fuqizohen për të vepruar. Kjo është ajo që ndërton një shoqëri të shëndetshme dhe të qëndrueshme: jo një lider i vetmuar, por qytetarë të vetëdijshëm, të angazhuar dhe bashkëvendimmarrës. Demokracia nuk është spektakël, por proces kolektiv. E kundërta e saj është autokracia, ku gjithçka varet nga një vullnet i vetëm, pa pjesëmarrje dhe pa përgjegjësi të ndarë. Ne duhet të synojmë gjithmonë modelin ku qytetari nuk është vetëm shikues, por pjesë aktive e zgjidhjes.

Sa vjet keni jetuar në Zvicër?
Në nëntor të këtij viti mbushen plot 42 vite që nga ardhja ime në Zvicër. Jam lindur dhe rritur në Prishtinë, ku u formova si qytetar aktiv dhe pjesëmarrës në rezistencën kundër padrejtësive gjatë kohës së pushtimit. Për shkak të përndjekjes politike pas demonstratave të vitit 1981, u detyrova të largohem nga Kosova. Pas një qëndrimi në Turqi dhe Gjermani, që nga viti 1983 jetoj dhe veproj në Zvicër.
Përveç jetës familjare dhe profesionale, angazhimi im ka qenë gjithmonë i lidhur me çështjen kombëtare, me komunitetin shqiptar dhe me drejtësinë sociale. Në Zvicër kam pasur mundësi të arsimohëm në fushën psikosociale dhe sociokulturore, dhe për vite kam punuar si punonjës social, trajner për përballimin e traumave dhe drejtues projektesh për të rinjtë dhe migrantët.
“Jam përpjekur me këmbëngulje që diaspora shqiptare të përfshihet në mënyrë më të strukturuar për të kontribuar në zhvillimin demokratik dhe të qëndrueshëm të Kosovës”
Kam udhëhequr punën me rininë në qytetin e Cyrihut dhe kam bashkëpunuar me institucione publike për realizimin e projekteve konkrete që përmirësonin jetën komunitare.
Në anën sindikale, kam pasur privilegjin të shërbej si Sekretar Nacional për Migracion në sindikatën Unia, duke përfaqësuar interesat e punëtorëve nga Europa Juglindore, ku shqiptarët përbënin shumicën. Ndër angazhimet e mia më të rëndësishme ka qenë edhe kontributi në arritjen e marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës. Gjithashtu, jam përpjekur me këmbëngulje që diaspora shqiptare të përfshihet në mënyrë më të strukturuar për të kontribuar në zhvillimin demokratik dhe të qëndrueshëm të Kosovës. Tani, në këtë fazë të jetës sime, dua që këtë përvojë – të edukimit, të organizimit dhe të përfaqësimit – ta vë në shërbim të qytetit tim të lindjes. Me Partinë Socialdemokrate synoj të kontribuoj për një Prishtinë më të drejtë, më të jetueshme dhe më të hapur për të gjithë.

Mërgata shqiptare, veçanërisht në Zvicër, ka qenë familja juaj e dytë. Ajo do të jetë më e varfër pa praninë tuaj fizike. Çfarë nuk arritët të bëni atje që do të dëshironit ta realizonin brezat e rinj?
Sot, në epokën e digjitalizimit, mobilitetit dhe inteligjencës artificiale, përkatësia
ndaj një vendi të vetëm nuk është më kufizuese. Shumë prej nesh kemi dy shtetësi dhe e përdorim me krenari përkufizimin shqiptaro-zviceran për të theksuar një identitet të pasuruar dhe të përfshirë – një përkatësi transnacionale që e shtrin jetën tonë sociale, kulturore dhe politike në më shumë se një vend.
Unë kam jetuar në Schaffhausen, por për 15 vite kam punuar në Cyrih dhe më pas për 10 të tjera në Bernë. Vetëm për të shkuar e ardhur në punë më duhej të udhëtoja rreth 5 orë në ditë. Ndërsa për të ardhur në Prishtinë nga Cyrihu nevojiten afërsisht 4–5 orë, përfshirë udhëtimin deri në aeroport dhe kohën e fluturimit.
Pra, në njëfarë mënyre, largësia fizike është më shumë çështje perceptimi sesa realitet i pakalueshëm.
Këtë e them për të theksuar se edhe pse fizikisht nuk do të jem më përditë në Zvicër, lidhja ime me mërgatën nuk shkëputet. Përkundrazi – ajo tashmë është pjesë e natyrshme e jetës sonë publike e personale. Dhe kjo duhet të shihet si mundësi: që të jemi aktivë dhe kontribues njëkohësisht në më shumë se një shoqëri.
Brezat e rinj kanë shumë më tepër mundësi sesa kishim ne: ata kanë qasje në teknologji, në arsim, në rrjete globale dhe në modele të suksesshme. Por me këto mundësi vjen edhe përgjegjësia. Ata duhet të vazhdojnë atje ku ne nuk arritëm plotësisht – në krijimin e një komuniteti më të organizuar, më të bashkuar dhe më të integruar, që nuk harron rrënjët, historinë dhe vlerat themelore të solidaritetit dhe drejtësisë sociale.
Një aspekt shumë i rëndësishëm i demokracisë shoqërore që shpesh anashkalohet, është organizimi i punëtorëve në sindikata. Marrëdhëniet e punës nuk janë thjesht çështje individuale – ato prekin mirëqenien, dinjitetin dhe sigurinë jetësore të shumicës së njerëzve për pjesën më të madhe të jetës së tyre. Prandaj, punëtorët nuk duhet të jenë të vetëm – ata duhet të organizohen, të anëtarësohen dhe të angazhohen aktivisht në sindikata, sepse vetëm përmes përfaqësimit kolektiv mund të mbrohen e avancohen të drejtat dhe kushtet e tyre të punës.
Unë kam pasur fatin të jem pjesë e sindikatës Unia në Zvicër, e cila nuk është vetëm një organizatë me strukturë, por një lëvizje e gjallë që i merr fuqinë nga anëtarët e saj aktivë. Janë pikërisht anëtarët e përkushtuar ata që i japin sindikatës jetë, forcë dhe besueshmëri – si në negociatat për paga dhe kushte pune, ashtu edhe në fushatat për mbrojtjen apo përparimin e të arriturave shoqërore. Kjo përvojë më ka mësuar se vetëm duke u organizuar dhe duke vepruar së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të denjë për të gjithë.
Mendoj se gjeneratat e para dhe të dyta të diasporës u kanë lënë brezave të rinj një
trashëgimi të vlefshme: përvoja konkrete dhe një bazament të fortë mbi të cilin ata mund të ndërtojnë më lirshëm, më të përgatitur dhe më largpamës. Uroj që ata ta shfrytëzojnë këtë për të krijuar një jetë më dinjitoze – për veten, për familjet e tyre dhe për shoqëritë ku bëjnë pjesë.
“Diaspora nuk është vetëm burim ndihmash financiare”
Dhe në fund, cili është mesazhi juaj për qytetarët e Prishtinës dhe diasporën?
Edhe pse jetojmë në vende të ndryshme, ndajmë të njëjtat shqetësime dhe aspirata. Na bashkojnë jo vetëm rrënjët dhe kujtesa kolektive, por edhe andrrat për një të ardhme më të mirë – me më shumë drejtësi, barazi, mirëqenie dhe dinjitet për të gjithë.
Nëse pajtohemi se vlerat themelore të shoqërive të përparuara – të mishëruara në konventa ndërkombëtare si ato të OKB-së, BE-së, Kartës së Otavës dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës – janë edhe synimi ynë i përbashkët, atëherë rruga jonë duhet të jetë puna e përbashkët dhe bashkëvendimmarrja.

Institucionet e të dy shteteve tona – Kosovës dhe vendeve mikpritëse si Zvicra – kanë detyrimin të krijojnë mekanizma për përfshirjen e strukturuar dhe të koordinuar të diasporës. Diaspora nuk është vetëm burim ndihmash financiare, por një kapital shoqëror, professional dhe qytetar që mund të kontribuojë konkretisht në zhvillimin e komunave, të Kosovës dhe në afrimin me agjendat europiane dhe ndërkombëtare.
Zgjedhjet lokale janë një mundësi e mirë që pjesëtarët e mërgatës – ata që e ndjejnë veten ende të lidhur me vendlindjen – të përfshihen drejtpërdrejt në jetën komunale dhe në vendimmarrjen lokale. Por kjo nuk ndodh vetvetiu – kërkon dialog të sinqertë, vullnet politik dhe bashkëpunim real, ku synimet e përbashkëta janë përfshirja dhe e mira e përgjithshme. Mesazhi im është i thjeshtë, por i thellë: është detyrë e jona e përbashkët që Kosovën dhe shoqërinë tonë ta afrojnë me modelet më të mira të demokracisë, zhvillimit dhe mirëqenies – jo për të imituar të tjerët, por për ta ndërtuar me dinjitet të plotë të ardhmen tonë të përbashkët.

Padyshim që kemi ende shumë për të bashkëbiseduar, por për këtë herë ju falënderoj për kohën tuaj dhe ju uroj pushime të mbara e shumë suksese. Natyrisht, këto suksese i dëshiroj edhe për ju personalisht dhe për çdo mërgimtar.
Ju falënderoj shumë për fjalët e ngrohta dhe urimet tuaja. Gjithashtu, edhe unë ju uroj pushime të këndshme dhe mbarësi në çdo hap të jetës dhe punës suaj. Suksese të përbashkëta për të gjithë mërgimtarët tanë, kudo që ndodhen! / SAM24.info