/ Intervistë ekskluzive me studjuesin, gazetarin dhe publicistin e njohur, PhD. Selim Ibraimi që jeton e vepron në SHBA
/ Intervistoi: PhD. Dashnim HEBIBI /
“Gjithashtu, Kisha Ortodokse ruse ka vazhduar të mbështesë projektin serb për një botë të re serbe në Ballkan. Rusia do të vazhdojë të luajë në rajonin e Ballkanit, sepse Serbisë i është lënë një rrugë e lirë për t’u bërë nyje e fortë në mes Rusisë dhe Perëndimit. Në fakt, kjo mund të vlerësohet si një politikë shumë e keqe për të ardhmen e rajonit dhe perspektivën shteteve të vogla. Nëpërmjet Serbisë, Rusia është e pranishme në Ballkan“, na tha, ndër të tjera, z. Selimi.
Z. Selimi, jetoni në SHBA fizikisht, por me shpirt në atdhe. Si studjues, si e shihni situatën në Kosovë?
Situata në Kosovë reflekton vazhdimësinë e popullit të Kosovës dhe qeverisë për paqen dhe integrimin e ardhshëm në BE dhe NATO. Në veçanti, është një luftë kundër propagandës serbe dhe ‘proxy’ forcave për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës. Konkretisht, makina luftarake dhe diplomatike e Serbisë ka qenë një problem i madh për Kosovën dhe do të jetë në vitet e ardhshme. Presioni i pajustifikuar i fuqive botërore i ka dhënë Serbisë një avantazh ndaj Kosovës dhe shteteve të tjera në Ballkan. Kërkohet një veprim i shpejtë nga Qeveria e Kosovës për të minimizuar pasojat që vijnë nga politikat e kancelarive të huaja. Incidentet e fundit në veriun e Kosovës treguan se Serbia nuk është e interesuar për marrëdhënie të mira me Kosovën as tani dhe në të ardhmen. Një “luftë e ftohtë” mund të vazhdojë në mes Serbisë dhe Kosovës, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova duhet të vazhdojë të punojë me botën, të alarmojë për rreziqet që vijnë nga Serbia. Në terma të përgjithshëm, Kosova duhet të punojë për një buxhet më të madh të mbrojtjes për t’iu kundërvënë kërcënimeve serbe. Njëkohësisht, Kosova duhet të shmangë konfrontimin me Perëndimin dhe të mundohet, me anë të një diplomacie aktive, të bindë faktorin ndërkombëtar se Asociacioni i Komunave Serbe (AKS) është i panevojshëm dhe shkon në funksion të destabilizimit, jo vetëm të Kosovës.
Sipas jush, pse nuk po pengohen veglat e regjimit të Millosheviqit dhe modeli rus në Serbi nga bashkësia ndërkombëtare e drejtuar nga SHBA?
Kjo është një pyetje me vend. Ka qenë shqetësimi dhe dilema kryesore për Qeverinë e Kosovës, analistët dhe më shumë se pse Perëndimi po mbështetë Beogradin. Sipas mendimit tim, duke vëzhguar politikën amerikane që nga koha e ish ambasadorit amerikan Warren Zimmermann në Beograd, para shembjes së Jugosllavisë dhe më pas komunizmit, politika e ShBA-së ka pësuar një ndryshim lart e poshtë, pasi është udhëhequr nga koncepte dhe prioritete të ndryshme. P.sh. 8 vjet pas fillimit të luftave në Ballkan, ShBA-ja bombardoi Serbinë dhe Kosova fitoi. Tani gjërat kanë ndryshuar në politikën botërore. Më e rëndësishmja është se ShBA-ja, gjithashtu, po kalon nëpër disa faza të vështira e të thella ekonomike, racore dhe sociale me ndikim në qeverisjen e vendit. Gjithashtu, në politikën e jashtme amerikane kemi disa vështirësi, jo vetëm në Ballkan, por edhe në pjesë të tjera të botës. Konkretisht në marrëdhëniet e ShBA-së me Serbinë dhe politikën e butë ndaj Beogradit, duhet së pari t’i hedhim një vështrim marrëdhënieve të shkëlqyera serbo-amerikane që datojnë që nga fundi i shekullit të 19-të. Sot, për arsye gjeopolitike dhe çështje subjektive burokratike, Serbia po mban një status të priveligjuar.
Mendoj se në proces afat mesëm, politika e ShBA-së nuk do të ndryshojë ndaj Serbisë, pavarësisht lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën. Politika e jashtme amerikane (DASh) do të vazhdojë të përshtasë disa modele të së kaluarës në raport me Serbinë. Në Uashington mendojnë se në këtë mënyrë do të arrijnë të mbajnë Serbië jashtë ndikimit ruso-kinez. Por, një politikë e tillë ka gjasa të ketë efekte negative në Ballkan, sidomos ndaj Kosovës dhe Bosnjës. Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë në idenë e ndërtimit të një lobi të ri të fuqishëm në Uashington për të pasur një hyrje më të lehtë në institucionet e ShBA-së, me njerëz të duhur për të kundërshtuar ndikimin serb, dhe paralelisht për të informuar drejt administratën amerikane.
E njihni mirë politikën ruse. Çka, sipas jush, Rusia dëshiron në Ballkan, të merret me shqiptarët apo ka projekte të tjera?
Rusia, siç e dimë historikisht, ka pasur marrëdhënie të mira me popujt e Ballkanit, në veçanti me popujt sllavë të jugut, si në aspektin fetar, kulturor, ekonomik etj. Sigurisht që para dhe pas pavarësisë së Serbisë nga Perandoria Osmane, Rusia Cariste e ka shfrytëzuar situatën për të ndezur konflikte. Nëpërmjet Serbisë, serbëve të Bosnjës, serbëve të Kosovës, disa elementëve radikalë në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, Moska, sot, po luan shumë leht me të ardhmen e Ballkanit dhe gjithashtu me Perëndimin. Deri diku, edhe mediumet lokale në Ballkan kanë përdorur narrativat ruse dhe propagandën serbe për qëllime të njohura. Gjithashtu, Kisha Ortodokse ruse ka vazhduar të mbështesë projektin serb për një botë të re serbe në Ballkan. Rusia do të vazhdojë të luajë në rajonin e Ballkanit, sepse Serbisë i është lënë një rrugë e lirë për t’u bërë nyje e fortë në mes Rusisë dhe Perëndimit. Në fakt, kjo mund të vlerësohet si një politikë shumë e keqe për të ardhmen e rajonit dhe perspektivën shteteve të vogla. Nëpërmjet Serbisë, Rusia është e pranishme në Ballkan. Kjo nuk është e gjitha për Rusinë dhe interesat e saj në Ballkan.
Po situata në Maqedoninë e Veriut, si duket, ka disa dridhje?
Pikërisht, qeveritë e Maqedonisë së Veriut që nga viti 1945, kanë përdorur praktika diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe grupeve të tjera etnike që janë rezultat i pretendimeve maqedone për të krijuar një shtet etnik vetëm të maqedonëve, që u përket vetëm atyre dhe jo të gjithë qytetarëve. Zakonisht, me anë të diskriminimit në sistemin e punësimit dhe të drejtave, qeveritë kanë stimuluar largimin e pjesës vitale të popullsisë. Pas vitit 2001, edhe pse ka pasur njëfarë progresi në të drejtat dhe përfaqësimin etnik, e ardhmja e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është në rrezik. Qeveria maqedonase duhet të ndërmarrë hapa për të parandaluar trazira të reja. Paradoksi është se edhe me pjesëmarrjen e partive politike shqiptare që nga viti 1991, të drejtat etnike e deri më sot janë pjesë e lojës dhe manovrave të forcave shoviniste që mund të çojnë në përplasje etnike në Maqedoninë e Veriut. Në një farë mase, barra u takon partive politike shqiptare, të cilat lanë shumë çështje të hapura për politikën dhe gjykatat p.sh. gjuhën, buxhetin, punësimet, simbolet etj.
Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut do të vendosë për Ligjin e Gjuhëve (atë shqipe), e cila gjithsesi nuk është gjuhë plotësisht zyrtare.
Edhe pse nuk duhet bërë më keq, pjesa maqedonase ka vendosur të ecë përpara dhe të vë të ardhmen e vendit para përplasjeve etnike. Partitë aktuale shqiptare në qeverinë maqedonase, që përbëjnë VLEN-in, kanë akuzuar për të gjitha të këqijat BDI-në, me qëllim t’i shpëtojnë përgjegjësisë. Në përgjithësi, si BDI, ashtu edhe VLEN, tani duhet të marrin përgjegjësi për dështimet e tyre. Për marrëdhëniet e ardhshme mes dy grupeve etnike, besoj se politikanë më të guximshëm duhet të vendosin për formën e shtetit, si një mënyrë për të parandaluar një konflikt tjetër.
Si i shihni reagimet e Kryeministrit të Kosovës në politikëbërjen në Maqedoni të Veriut?
Pavarësisht nga reagimet dhe akuzat, mendoj se politikat e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk kanë ndikuar në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Mund të ketë pasur disa veprime nga admiruesit, por në hapa konkretë nuk patën ndikim. Kryministri Kurti u manipulua nga partitë politike shqiptare që dëshironin të forconin imazhin e tyre në Maqedoninë e Veriut për qëllime klanore e individuale. Besoj se disa njerëz janë përpjekur ta implikojnë Kosovën si një lojtare të keqe në rajon. Prandaj, Prishtina zyrtare duhet të tregojë se është e interesuar për marrëdhënie të mira me të tjerët. Kosova duhet të tregojë diplomaci dhe veprime kur të drejtat e shqiptarëve dhe grupeve të tjera të pambrojtura janë në rrezik. Kjo është e gjitha.
A jeni i pajtimit se situata në Luginë të Preshevës është më e rënda?
Në përgjithësi, situata me vite është e keqe në Luginën e Preshevës, ku asimilimi i shqiptarëve është në shifra të larta. Shqiptarët atje janë të pambrojtur. Në fakt, nuk shoh ndonjë përmirësim në të ardhmen të gjendjes në Luginë të Preshevës. Politika sebe, me shfuqizimin e adresave të banimit, (që është një politikë e vjetër koloniale serbe) synon të rrisë presion atje, dhe t’i largojë shqiptarët nga Lugina. Politika të ngjashme kemi parë në Maqedoninë e Veriut nga qeveria qendrore dhe lokale në Ohër, Manastir, Krushevë, Prilep, Veles, etj. Po ashtu, në Mal të Zi, gjendja është jo e mirë, ku asimilimi i popullatës shqiptare ka hyrë në një proces që nuk mund të kthehet. Lugina e Preshevës, gjithsesi se merriton një vëmendje nga Tirana zyrtare, por fatkeqësisht, deri më sot, kanë mbisunduar interesa të tjera rajonale e personale të politikanëve. Në një rikonfigurim të mundshëm të rajonit, shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të shohin mundësinë e bashkimit me Kosovën, si zgidhje për të parandaluar asimilimin.
Ti kthehemi diasporës. Po bëjnë shtetet tona sa duhet apo i kujtohemi vetëm atëhere kur afrohen zgjedhjet?
Mendoj se rinia shqiptare e diasporës ka drejtimin e vet dhe ka shumë pak varësi financiare nga shtetet shqiptare. Me fjalë të tjera, keni të drejtë, pasi kur zgjedhjet janë afër, zyrtarët bëjnë udhëtime në shtetet perëndimore për vota, si Kryeministri Edi Rama, Ali Ahmeti, Albin Kurti dhe natyrisht përfaqësuesit shqiptarë të VLEN-it nga Maqedonia e Veriut. Qeveria në Shqipëri dhe Kosovë duhet të bëjë më shumë për diasporën.
Sipas jush, çka do të duhej të bëjnë shtetet tona, edhe atë sa më shpejt, për rininë e diasporës?
Siç e përmenda më lart, qeveritë shqiptare duhet të bëjnë më shumë për të përvetësuar njohuritë e diasporës shqiptare për nevojat e atdheut dhe sigurisht të krijojnë kushte më të mira për më shumë investime. Gjithashtu, e drejta e votës duhet të rregullohet, pasi janë pjesë e kombit. Këtu duhet theksuar se në pozitë të keqe janë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë së Veriut në shtetet perëndimore, sepse qeveria serbe dhe ajo maqedonase nuk kujdesen për ta. Ministritë përkatëse kujdesen për diasporën serbe dhe maqedonase.
Jeni gazetarë profesionist, por edhe doktor i shkencave politike. Do ju kisht kthyer atdheut, nëse do ju ofronin vendin e duhur?
Ka qenë një ëndërr e brezave të vjetër për të pushuar në vendlindje apo për t’u kthyer. Por, që nga viti 1990, politika dhe korrupsioni kanë luajtur rol kryesor në dëmtimin e arsimit, kanë shkatërruar sistemin shëndetësor, i cili, gjithsesi, ishte shumë i varfër. Partitë politike e kanë mbështetur këtë lloj “sistemi vlerash” vetëm për disa njerëz të afërt me partitë, kanë ndihmuar familjarët, klanet, etj. Mendoj se do të ishte e vështirë për brezat në Perëndim, në demokracitë dhe ekonomitë e tjera të përparuara që të kthehen. Por, njeriu nuk duhet të thotë asnjëherë kurrë. Koha do të tregojë drejtimin e duhur.
Për çka ju mer malli më së shumti nga atdheu?
Kur bëhet fjalë për vendlindjen, nuk mund të ndalesh vetëm në një gjë. Ne lamë pas prindërit, farefisin, miqtë, shokët e të tjerë. Aty i lamë varret e anëtarëve të ngushtë. Kjo pyetje mjaft emocionale mi kujton disa vargje të poezisë së poetit të Rilindjes Kombëtare, Filip Shiroka (1859-1935), “Shko Dallëndyshe”. Dhe do ta mbyll me vargjet e poetit Shiroka.
***
Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim! …
Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni
n’ato vorre me vajtue,
ti dallëndyshe, veshun në zi,
ti aty pra qaj për mue,
me nj’at za t’përmallshëm shqim,
kangën tande për vajtim.
Urimet tuaja për vitin 2025, drejtuar bashkëkombësve tanë?
Shpresoj që të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe diasporë ta shijojnë Vitin e Ri 2025 me familjet e tyre dhe më shumë projekte të përbashkëta brenda shqiptarëve në Ballkan, dhe jashtë, veçanërisht në arsim. Mendoj se nëse zyrtarët punojnë së bashku, ëndrra shekullore mund të ndodhë në dekadat e ardhshme. Gjithashtu, juve ju dëshiroj shumë suksese me projektin mjaft të qëlluar që keni nisur në Zyrih, me “HeleveticalForum”, që si projekt tashmë po zë vend të respektuar në publik, jo vetëm si medium, por edhe si institut në Zvicër, e në mbarë botën shqiptare.
helveticALforum.ch
—–
PARALAJMËRIM I INTERVISTËS: Qeveria e Kosovës Duhet të Punojë më Shumë në Idenë e Ndërtimit të një Lobi të ri të Fuqishëm në Uashington
/ Intervistë ekskluzive me studiuesin, gazetarin dhe publicistin e njohur, PhD.Selim Ibraimi që jeton e vepron në SHBA /
“Gjithashtu, Kisha Ortodokse ruse ka vazhduar të mbështesë projektin serb për një botë të re serbe në Ballkan. Rusia do të vazhdojë të luajë në rajonin e Ballkanit, sepse Serbisë i është lënë një rrugë e lirë për tu bërë nyje e fortë në mes Rusisë dhe Perëndimit. Në fakt kjo mund të vlerësohet si një politikë shumë e keqe për të ardhmen e rajonit dhe perspektivën shteteve të vogla. Nëpërmjet Serbisë, Rusia është e pranishme në Ballkan“, na tha ndër të tjera z.Selimi.
PhD. Selim Ibraimi është një analist shqiptaro-amerikan i politikës ndërkombëtare dhe studiues i çështjeve të Ballkanit. Ai u diplomua për gazetari (BA). Ai mban një diplomë master (MA) në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti Webster, Scott Air Force Base në SHBA dhe para disa viteve ka fituar titullin e PhD. Ibraimi jeton dhe vepron në SHBA. Është drejtor i ISSDMaqedonia.
Për më shumë do të lexoni pas pak në:
helveticALforum.ch