Mesazh veror për anëtarët e SH.K.A “Dardania” dhe gjithë bashkëatdhetarëve shqiptarë ku do që janë në mërgatë!
Pas shumë aktiviteteve tona të ngjeshura, dhe pas një mori festivalesh, koncertesh, ushtrimesh e vizita të ndryshme të aktiviteteve kulturore e letrare, shpesh edhe sportive, vera gjithmonë ka qenë një kohë e rikthimit: drejt vetes, drejt familjes, drejt vendlindjes. E tillë është edhe kjo verë për shumë prej nesh që jetojmë dhe veprojmë larg atdheut, por me zemër gjithmonë të lidhur me rrënjët tona.
Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” nga Winterthuri u uron të gjithë anëtarëve të saj, si dhe bashkëatdhetarëve shqiptarë kudo në mërgatë, pushime të mbara, udhëtime të lehta dhe përjetime me kuptim të thellë kulturore e kombëtar.

Këto ditë të nxehta janë mundësia më e mirë për të vizituar familjet që na presin me mall, për të shkelur në pragun e shtëpisë së fëmijërisë, dhe për t’u prekur me të kaluarën që na formësoi. Të mos harrojmë të ndalemi te vendet më historike të Kosovës: Kompleksin e Prekazit, qytetin e lidhjes së Prizrenit, Ulpianën e lasht, Gjakovën e bukur, Juniku legjendar, Drenicën heroike, kalan e Novobërdës, muzeun e Krujës, Butrintin, Beratin pa e harrua Shkodrën, e Sarandën , dhe shumë e shumëtë tjera, ku historia dhe trashigimija jonë flet me zë të fortë.
Gjithashtu, ftojmë të gjithë anëtarët, mërgimtarët tanë që gjatë pushimeve të vizitojnë edhe rivieren shqiptare – bregdetin mahnitës që shtrihet nga Velipoja deri në Ksamil, duke u çlodhur mes bukurive natyrore dhe mikpritjes shqiptare, pa e anashkalua as Ulqinin e bukur dhe me traditë të turizmit ndër vite. Të dashur prindër, miq e dashamirë të artit e kulturës, fëmijët tanë meritojnë ta shohin atdheun me sytë e tyre.
Ta përjetojnë atë përtej tregimeve. Le të bëhen këto pushime një udhëtim i frymëzimit, që na lidh më shumë me gjuhën, zakonet dhe kulturën tonë – vlera të cilat ne si SH.K.A “Dardania” përpiqemi t’i ruajmë dhe t’i trashëgojmë prej më shumë se tri dekadash në Zvicër.
Pushime të mbara, kthim të shëndetshëm dhe plot gëzim në mërgatë! Me përzemërsi, Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” – Winterthur