/ Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Zürich/
Prof. Dr. Ramadani, renditet i pari në Maqedoninë e Veriut dhe ndër 1500 më të mirët në botë sipas platformës prestigjioze research.com
Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) me qendër në Tetovë vazhdon të afirmohet si një qendër e ekselencës akademike, falë punës dhe arritjeve të jashtëzakonshme të stafit të tij akademik. Një ndër emrat më të spikatur në këtë drejtim është Prof. Dr. Veland Ramadani, profesor në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë, i cili së fundmi është renditur i pari në Maqedoninë e Veriut dhe ndër 1500 shkencëtarët më të mirë në botë në fushën e Biznesit dhe Menaxhimit, sipas edicionit 2025 të renditjes globale të publikuar nga platforma akademike prestigjioze research.com.

Ky vlerësim bazohet në D-indeksin (Discipline H-index), një metrikë që llogarit vetëm publikimet dhe citimet brenda fushës përkatëse shkencore. Duke qenë se në këtë listë përfshihen vetëm shkencëtarë me një D-indeks prej së paku 30, ky është një konfirmim i qartë i ndikimit dhe kontributit shkencor të Prof. Dr. Ramadani në fushën e menaxhimit, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik.
Ky sukses i veçantë jo vetëm që rrit imazhin ndërkombëtar të UEJL si një institucion që prodhon dhe mbështet kërkime shkencore me ndikim, por gjithashtu shërben si frymëzim për studiuesit e rinj në vend dhe në diasporë. Në emër të gjithë stafit tonë, shprehim urimet më të përzemërta për profesorin tonë të nderuar.

Intervista ishte tepër e përzemërt dhe e falënderoj pafundësisht Prof. Dr. Veland Ramadani që ndau kohë nga agenda e tij e ngarkuar për të gëzuar komunitetin tonë kudo që ndodhet. Ai jo vetëm që frymëzoi, por shërbeu edhe si model për studiuesit e rinj, duke dëshmuar se me punë dhe përkushtim arrihen sukseset më të mëdha. Modestia e tij është ajo që e bën edhe më të veçantë. Ja se çfarë na tha gjatë kësaj interviste.
I nderuar profesor, fillimisht urime për këtë arritje të jashtëzakonshme. E keni pritur ndonjëherë që do të renditeshit në këtë pozitë kaq të lartë në rang global?
Faleminderit shumë për urimet dhe fjalët e ngrohta. Është një ndjenjë vërtet e veçantë të shohësh që përpjekjet e tua shumëvjeçare në fushën e kërkimit shkencor dhe kontributi në shkencën e menaxhimit të vlerësohen në këtë nivel kaq të lartë. Për të qenë i sinqertë, në fillimet e mia të karrierës akademike, nuk kam menduar ndonjëherë se do të renditesha në mesin e shkencëtarëve më të mirë në botë në këtë fushë, e aq më pak që do të isha i pari në Maqedoninë e Veriut. Nuk i kam pritur, por gjithmonë kam besuar në fuqinë e përkushtimit dhe punës së palodhur. Përveç këtij rangimi të research.com, pesë vite me radhë jam ranguar në të ashtuquajturën TOP 2% e studiuesve më me ndikim në botë, sipas një hulumtimi të realizuar nga Universiteti i Stanfordit (ShBA) dhe shtëpisë botuese Elsevier. Këto nuk janë vetëm arritje personale, por edhe një dëshmi e mbështetjes që kam pasur nga familja, kolegët, bashkëpunëtorët dhe institucionet ku kam punuar. Është një nder që më mbush me mirënjohje dhe më shtyn të punoj edhe më shumë në të ardhmen.
Nga janari e deri në prill të këtij viti, sa punime shkencore keni publikuar?
Në këtë periudhë të parë të vitit 2025, kam arritur të publikoj gjashtë punime shkencore në revista të indeksuara ndërkombëtarisht, shumica e të cilave janë të renditura në bazat më prestigjioze si Scopus dhe Web of Science. Gjithashtu, kam publikuar një tekst shkollor dhe kam redaktuar tre libra në bashkëpunim me studiues ndërkombëtarë, që trajtojnë tema aktuale si inovacioni, ndërmarrësia e qëndrueshme dhe transformimi i modeleve të biznesit në vendet në tranzicion dhe në zhvillim. Që të jemi më të qartë, nuk janë këto punime që janë nisur në 2025 dhe janë publikuar në të njëjtin vit, por janë rezultat i një pune ekipore disavjeçare dhe bashkëpunimesh të frytshme me kolegë nga vende të ndryshme – gjë që gjithmonë e kam parë si një aset të çmuar në rrugëtimin tim akademik.

„Deri më tani, kam mbi 200 punime shkencore të publikuara në revista të njohura ndërkombëtare dhe kam kontribuar si autor, bashkëautor ose redaktor në rreth 50 libra akademikë“
A mund të na përmblidhni numrin e përgjithshëm të punimeve shkencore dhe librave të botuar deri më tani, si dhe në sa konferenca shkencore keni marrë pjesë?
Deri më tani, kam mbi 200 punime shkencore të publikuara në revista të njohura ndërkombëtare dhe kam kontribuar si autor, bashkëautor ose redaktor në rreth 50 libra akademikë. Këto vepra janë botuar nga shtëpi botuese prestigjioze si Springer, Palgrave Macmillan, Emerald dhe të tjera. Kam marrë pjesë dhe kam kontribuar aktivisht në më shumë se 30 konferenca shkencore ndërkombëtare, si ligjërues i ftuar, prezantues dhe moderator panelesh. Këto përvoja më kanë ndihmuar jo vetëm të shpërndaj njohuritë e mia, por edhe të mësoj nga kolegët dhe profesionistët e tjerë të fushës. Konferencat shkencore janë mundësi dhe hapësira të rëndësishme për ndarjen e dijes dhe rrjetëzimin me studiues nga e gjithë bota.
Si e përjetoni këtë vlerësim personalisht dhe çfarë domethënie ka për ju dhe për Universitetin e Evropës Juglindore?

Ky vlerësim përfaqëson për mua një kurorëzim të shumë viteve përkushtim ndaj shkencës, kërkimit dhe mësimdhënies. Është një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për rrugën që kam ndjekur, për sfidat e përballuara dhe për mbështetjen që kam pasur gjatë këtij rrugëtimi. Për Universitetin e Evropës Juglindore, kjo arritje është një dëshmi se ky institucion nuk është vetëm një qendër arsimore, por edhe një hapësirë ku krijohet dije, ku promovohen vlerat akademike dhe ku kontribuohet në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Ky sukses është frymëzim për të gjithë stafin dhe studentët, dhe shërben si motivim për të vazhduar në rrugën e ekselencës akademike. Ky sukses u përket të gjithë atyre që besojnë në dije dhe përkushtim.
Çfarë porosie do t’u jepnit të rinjve që dëshirojnë të ndjekin rrugën e kërkimit shkencor, sidomos në fushën e biznesit dhe menaxhimit?
Të rinjtë që duan të përfshihen në kërkimin shkencor duhet të mos heqin dorë nga kureshtja, të kenë kurajën për të shtruar pyetje hulumtuese të vështira dhe durimin për të eksploruar thellësisht çdo temë. Kërkimi shkencor nuk është një rrugë e shpejtë drejt suksesit, por është një udhëtim i bukur drejt dijes dhe ndikimit. Në fushën e biznesit dhe menaxhimit, sfidat janë të shumta, por edhe mundësitë janë të mëdha. Rinia jonë ka potencialin për të sjellë ide të freskëta, për të ndërtuar modele të reja kërkimore dhe për të qenë faktor ndryshimi në shoqëri. Porosia ime është: mos hezitoni të hulumtoni, të mësoni nga gabimet dhe të kërkoni gjithmonë të krijoni diçka me vlerë.

Si ekspert i ekonomisë dhe menaxhimit, si e vlerësoni situatën ekonomike aktuale në Maqedoninë e Veriut?
Ekonomia e Maqedonisë së Veriut përballet me sfida të shumta strukturore, duke përfshirë papunësinë relativisht të lartë, informalitetin, dhe mungesën e investimeve strategjike në disa sektorë kyç. Megjithatë, vendi ka bërë disa përparime në integrimet euroatlantike, si anëtarësimi në NATO, dhe ka potencial për rritje, veçanërisht nëse politikat qeveritare orientohen në mbështetje ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, inovacionit, dhe digjitalizimit të administratës dhe sektorëve ekonomikë. Nevojitet një qasje më afatgjatë, që përfshin reforma të thella në arsim, drejtësi dhe sektorin publik për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri në tregun ndërkombëtar. Pra, nevojitet një vizion i qartë afatgjatë dhe vullnet politik për të bërë dhe zbatuar reforma.
Në këndvështrimin tuaj, sa ndikon politika në zhvillimin ekonomik në Evropën Juglindore? A mund të quhet ajo një “virus” për zhvillimin e rajonit?
Politika në Evropën Juglindore ka një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik. Fatkeqësisht, në shumë raste, politika është bërë pengesë për progres, për shkak të paqëndrueshmërisë, klientelizmit, mungesës së transparencës dhe ndikimit të interesave të ngushta partiake. Kur politika nuk e sheh zhvillimin ekonomik si prioritet të përbashkët, ajo bëhet një lloj “virusi” që frenon reformat, largon investitorët dhe rrit mosbesimin e qytetarëve. Është koha që politika të jetë në shërbim të zhvillimit dhe jo e kundërta. Rajoni ka nevojë për lidership vizionar, bashkëpunim rajonal dhe integritet institucional.

„Diaspora është një thesar i madh për kombin“
Si e shihni potencialin e diasporës shqiptare në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe akademik në trojet shqiptare?
Diaspora është një thesar i madh për kombin. Ajo përfaqëson jo vetëm kapital financiar, por edhe kapital intelektual, përvojë ndërkombëtare dhe lidhje globale. Mërgata jonë mund të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik përmes investimeve, mentorimit të të rinjve, themelimit të startup-eve, por edhe në përmirësimin e sistemit arsimor përmes transferimit të njohurive dhe praktikave të mira. Krijimi i mekanizmave që lidhin më ngushtë diasporën me vendlindjen duhet të jetë një ndër prioritetet tona strategjike.
Sipas jush, në cilat fusha do të duhej të kontribuonte sa më shpejt mërgata shqiptare, për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit?
Sot, më shumë se kurrë më parë, mërgata shqiptare ka potencialin të luajë një rol kyç në zhvillimin e vendit, duke kontribuar në fusha të rëndësishme për të ardhmen. Në radhë të parë, përmes mbështetjes së arsimit dhe kërkimit shkencor, ajo mund të fuqizojë universitetet tona dhe të ndihmojë studentët e talentuar të arrijnë potencialin e tyre. Po ashtu, mërgata mund të japë një shtysë të madhe në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacionit, duke hapur biznese që sjellin teknologji të reja dhe krijojnë vende të reja pune me cilësi të lartë. Ndikimi i saj mund të jetë i dukshëm edhe në promovimin e turizmit dhe kulturës shqiptare, duke kontribuar në ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe duke tërhequr investime të huaja. Një tjetër fushë me rëndësi të veçantë është transformimi digjital dhe përkrahja për institucionet publike, që do të ndihmonte në modernizimin e administratës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Nëse ky potencial kanalizohet në mënyrë të organizuar dhe strategjike, kontributi i mërgatës mund të ketë ndikim të madh dhe të qëndrueshëm në zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në fund, dëshiroj të ndaj me lexuesit se kam pasur fatin të jem bashkëvendës dhe bashkëpunëtor në të njëjtin institucion, ku edhe unë kam mbrojtur doktoraturën në shkencat politike. Ju falënderoj për kohën dhe përkushtimin. A mund të na lini një mesazh të shkurtër për lexuesit tanë?
Ju falënderoj për nderin që më bëtë me këtë intervistë, nëpërmjet të cilës edhe do të ‘komunikojmë’ me lexuesit tuaj të respektuar. Për ta kam një mesazh: të mos ndalen së besuari në fuqinë e dijes, në përkushtimin dhe në punën e ndershme. Edhe në kohë sfiduese, vlerat e vërteta dhe dija nuk zbehen kurrë.
Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një shoqëri që e vlerëson dijen, e mbështet kërkimin shkencor dhe i respekton ata që japin kontribut për të mirën e përgjithshme. Trojet tona kanë nevojë për njerëz të dijshëm, të vendosur dhe me vizion – dhe unë besoj fort se ata tashmë janë mes nesh.
SAM24.info