Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Pas përfundimit të zgjedhjeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Florim Cuculi, kardiolog i njohur që jeton dhe vepron në Zvicër, por mbetet i lidhur ngushtë me atdheun dhe veçanërisht me Kërçovën, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për të gjithë bashkëkombësit e tij.
Në një deklaratë të shpërndarë pas rezultatit zgjedhor, ai thekson rëndësinë e unitetit dhe maturisë politike, duke u bërë thirrje qytetarëve të lënë pas ndarjet dhe të bashkohen për të mirën e përbashkët:
“Të dashur Kërçovare dhe Kërçovarë,
Koha është për bashkim, jo për përçarje. Ky është momenti kur mund të dëshmojmë pjekurinë tonë si komb. Ishte një fushatë e ashpër dhe populli foli. Ne duhet ta respektojmë verdiktin e shumicës dhe të rreshtohemi të gjithë së bashku për një qëllim të përbashkët: që Kërçova të vazhdojë të frymojë shqip.
Nuk na duhet triumfalizëm, nuk na duhet mllef, nuk na duhen ofendime. E kam thënë edhe më herët: jemi vetëm një grusht njerëzish dhe vetëm të bashkuar mund të ecim përpara.
Vetëm disa fjalë për diasporën tonë, të cilës i përkas edhe unë: ne e kemi dëshmuar dashurinë tonë për këtë vend dhe do ta bëjmë këtë përsëri. Ne e duam Uskanën pa interes – e duam sepse është e jona, e duam sepse ajo na mban gjallë shpirtin tonë.
Faleminderit diasporës që erdhi dhe mundësoi një rund të dytë.
Me shumë respekt dhe zemër.”
Ky mesazh vjen si një thirrje për reflektim dhe bashkim kombëtar, në një moment kyç për të ardhmen e shqiptarëve në Kërçovë dhe më gjerë. /SAM24.info