/ Intervistë ekskluzive me Prof. dr. Fatmir Sejdiu, Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës 2006-2010
Intervistoi: PhD. Dashnim HEBIBI
“Natyrisht se rezultat edhe i mërgatës ishte bërja e Shqipërisë shtet i pavarur. Fatkeqësisht, në rrethanat e kohës, në një hapsirë të përgjysmuar. Dihet se nga ajo kohë, jo gjithmonë me intensitet të njejtë, nuk është ndalur puna e mërgatës në ndihmë shtetit shqiptarë, sikur që nuk është ndalur zëri i saj për territroret e zaptuara e të shkëputura nga tërësia homogjene etnike. Ajo që ka qenë e rëndësishme, për të gjitha etapat e kapërcyera, është se mërgata shqiptare ka vepruar duke qenë respektuese edhe e rendit juridik e shtetëror të vendeve ku ajo është gjendur. Kanë qenë rrethana të dhembshme historike që e kanë krijuar këtë pasqyrë të deritashme të copëzimit tonë”, na tha ndër të tjera ish-Presidenti i Kosovës, Prof.dr.Fatmir Sejdiu.
President, diasporë, emigracion, gurbetçarë, apo si do t`ju drejtoheshit më së miri, asaj pjese të kombit, që jeton dhe vepron larg vendit të të parëve, por kurrën e kurrës nuk është shkëptur nga ajo tokë, apo kudo që ka shkuar e jeton e do të jetoj, e ka si nënshkrim në shpirt?
Të gjitha emërtimet së bashku. Secila në kohën e vet, por natyrisht se kanë dallime si kuptim dhe si terminologji. Asnjëri nga termet nuk e kanë origjinën shqipe, por në etapa të ndryshme kohore kanë hyrë në fjalorin tonë. Jemi nga popujt e rrallë me kaq shpërndarje nëpër botë, por edhe të ndarë kaq shumë nga trungu. Shqiptarë me dy shtete, së fundi dhe shqiptarë me numër domethënës në gjithë shtetet për rreth. Kanë qenë rrethana të dhembshme historike që e kanë krijuar këtë pasqyrë të deritashme të copëzimit tonë. Ajo që është e rëndësishme, mund të thuhet se përkundër trysnive që populli ynë i ka përjetuar, megjithate ai e ka ruajtur substancën e vet. Kjo substancë duhet të mbrohet dhe të zhvillohet me gjithë tiparet e veçuara që i ka një popull, por edhe të lëvizë drejt kultivimit të vlerave të reja bashkëkohëse, të cilat çmohen në kohën që e jetojmë.
Ju lutem të na thoni se si e përkufizoni diasporën mbarë shqiptare në botë, në kuptim të rëndësisë dhe peshës që ajo ka bartur historikisht për ngritjen dhe fuqizimin e shtetit shqiptar?
Termi më i përshtatshëm për mua është mërgata shqiptare. Ajo, me gjithë përjetimet që i ka pasur, ka qenë dhe mbetet njëri nga faktorët tëpër domethënës për të gjitha proceset nëpër të cilat ka kapërcyer populli ynë, si ato që kanë të bëjnë më lëvizjen e përgjithshme kombëtare në luftërat për liri, e poashtu edhe në të njejtën kohë angazhimi i saj për emancipimin kulturor dhe nacional të shqiptarëve. Këto procese kanë qenë të njëkohshme dhe asnjëherë më të vona se të popujve përreth nesh.
Kujtoni, sidomos kohën e filleve të para të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo nisë, jo si inercion dhe përgjigje ndaj projektve gllabëruese të territoreve shqiptare, siç bie fjala «Naçertania» serbe dhe «Megali Idea» greke. Por, paralelisht ishte lëvizje iluministe në frymën e ideve të mëdha të revolucioneve evropiane. Para së gjithash, ato të Revolucionit Francez dhe të gjithë zhvillimeve dinamike të Evropës për gjatë shekullit XIX –të.
Shqiptarët e shumtë që kishin ikur jashtë hapësirave etnike, jo vetëm për kafshatën e gojës, por edhe si njërëz që kishin një ideal, atë të lirisë, natyrisht se do të jenë nga të parët që do të lëvizin procese në vend. Kujtoni kolonitë e hershme shqiptatre në Stambull, Rumani, Bullgari, Egjipt, Amerikë dhe në periudhat e mëvonshme në pothuajse gjithë vendet e Evropës.
Kontributi i diasporës shqiptare për shtetëbërjen e Kosovës?
Është e rëndësishme se zëri i saj për të bërë shtetin e shqiptarëve ka qenë i fuqishëm. Ka qenë i artikuluar mirë. Ka shprehur në plotni tiparet dhe identitetin e shqiptarit të njërëzishëm e fisnik karshi propagandës së egër dhe bizare për shqiptarin “e pacivilizuar dhe me bisht”, siç kishte vepruar propaganda e vendeve fqinje, para së gjithash ajo serbe dhe greke.
Çfarë veprimesh konkrete keni ndërmarrë gjatë mandatit tuaj në raport me shtetet me koncentrim më të madh të shqiptarëve për t’ia lehtësuar diasporës shqiptare rregullimin e statusit të tyre, tejkalimin e barrierave për t’u integruar atje, si dhe zhvillimit të aktiviteteve kulturore e ekonomike në vendet ku ata jetojnë e veprojnë?
Natyrisht se rezultat edhe i mërgatës ishte bërja e Shqipërisë shtet i pavarur. Fatkeqësisht, në rrethanat e kohës, në një hapsirë të përgjysmuar. Dihet se nga ajo kohë, jo gjithmonë me intensitet të njejtë, nuk është ndalur puna e mërgatës në ndihmë shtetit shqiptarë, sikur që nuk është ndalur zëri i saj për territroret e zaptuara e të shkëputura nga tërësia homogjene etnike. Ajo që ka qenë e rëndësishme, për të gjitha etapat e kapërcyera, është se mërgata shqiptare ka vepruar duke qenë respektuese edhe e rendit juridik e shtetëror të vendeve ku ajo është gjendur. Kjo, në fakt, edhe ka thyer paragjykimet, për të cilat folëm më herët dhe njëkohësisht ka siguruar aleatë dhe miq të shumtë nga ato vende.
Janë burrështetas të shumtë që kanë ngritur zërin, dikur për mbrojtjen e Shqipërisë, si bie fjala Presidenti i SHBA-së, Wilson, dhe po kështu mbështetja e madhe nga burrështetasit e vendeve më të rëndësishme të Evropës. Po të njejtën kohë është siguruar mbështja e personaliteteve të shquara nga fusha e shkencës, kulturës dhe artit. Shembujt janë të shumtë.
Nuk mund të harrohen edhe protestate qindra mijërave shqiptarëve dhe miqve të shqiptarëve dhe të Kosovës nëpër gjithë qytetet e rëndësishme të Evropës, Amerikës e deri në Australi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë kuadër, po kështu nuk mund të harrohen ndihmat e mëdha monetare për mbijetesë, për organizimin e sistemit paralel shtetëror në ato rrethana të vështira dhe për rezistencën e armatosur. Janë shumë shembuj të sakrificave më sublime deri edhe me jetë të shumë e shumë shqiptarëve që kanë ardhur nga vendet e ndryshme të Evropës dhe Amerikës dhe kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës. Ata nuk kanë qenë vetëm nga Kosova, por nga gjithë viset shqiptare.
Sipas jush, cila do të ishte strategjia më e qëlluar për ta mbajtur diasporën shqiptare të unifikuar?
Është një nga sfidat e përhershme që e ka Kosova. Procesi pavarësimit dhe bërjes së Kosovës shtet funksional e të qëndrueshëm, nuk përfundon me ditën e 17 Shkurtit 2008. Ajo është ditë e shenjtë që i ndanë dy epoka: para dhe pas pavarësimit. Nuk është hyrje në portat e parajsës dhe tash të vetëkënaqemi. Në fakt, ditë e përditë Kosovës i shtohen sfidat. Ajo, me gjithë rrethanat objektive, jo të lehta, deri tash është dëshmuar se mund të lëvizë suksesshëm. Megjithatë, ka shumë për t’u bërë. Dy dekada kaluan shpejt nga koha e lirisë së vendit dhe përtej një dekade të pavarësimit me njohje ndërkombëtare. Ka shumë fusha që kemi çaluar. Është borxh i secilës elitë politike që merr besimin e qytetarëve të “lëvizë gurët” përpara dhe me siguri e bashkërendim të të gjithë faktorëve të vendit dhe aleatëve ndihmtarë të Kosovës. Nuk do të dëshiroja që ata të shndërrohen në “gurë sizifi” dhe të shkojmë hapa pas.
Kosova është e begatshme me pasuri minerale të pafundme. Është e begatshme me tokë të plleshme dhe me male të mrekullueshme.
Ëshë e lakmueshme me një popullsi të shëndetshme dhe shumicën e saj të re dhe të edukuar. Shumë të tjerë për rreth nesh këto të dhëna nga Zoti nuk i kanë. Prandaj, duhet orientuar gjithë thellësinë e dijes për progresin e saj.
A mendoni që shqiptarët e shpërndarë nëpër botë do të gëzonin status më dinjitoz nëse ata do t’i përfaqësonte një shtet i vetëm shqiptar, e jo dy apo më shumë shtete në Ballkan?
Mërgata shqiptare duhet të ketë hapsirën e vet, jo si privilegj, por si faktor i pashkëputshëm në zhvillimin e vendit të vet. E di se ka pasur pengesa me legjislacionin, me sigurinë e investimeve, me konkurrencën shpesh jolojale. Ato dukuri duhet të menjanohen. Ka shembuj të mirë. Fatkeqësisht ka edhe të këqinj e që e dëmtojnë imazhin e saj. Kosova duhet të zhvillohet edhe më shpejt. Detyrë e saj është që të jetë vend i dashur dhe i perspektivës për gjithë njerëzit e saj brenda dhe jashtë vendit. Janë bërë veprime të para, sidomos në konsolidimin e raporteve diplomatike dhe hapjen e ambasadsave dhe të misioneve konsullore në qendra të rëndësishme të atyre shteteve. Nuk ka qenë leht e nuk është as tani. Është mirë që të shikohen përvojat e mira të vendeve të tjera lidhur me këto çështje. Ka disa hapa modestë, por punët në këtë drejtim duhet të shtohet.
Nuk mendoj se ambasadat dhe konsullatat duhet të shndërrohen në “byro punësimi” për të afërmit e njerëzve në pushtet dhe militantët e partive politike, por të jenë realisht institucione të mirëfillta që do të ndihmojnë qytetarët tanë, jo vetëm për formalitete letrash, por edhe ndihmimin e tyre që të jenë faktorë të rëndësishëm në shoqëritë ku jetojnë.
Në këtë drejtim, puna me të rinjtë dhe shkollimi i tyre duhet të jetë parësor. Ata mund të bëhen personalitete të përsosura dhe të suksesshme, qoftë atje ku jetojnë, qoftë në joshjen e tyre për kthim. Zgjidhja ideale për ne do të ishte qenia e shqiptarëve në një shtet. Aktualisht, zgjidhje racionale është shteti i pavarur i Kosovës. Kemi një rrugë dhe një ideal të përbashkët që kufinjtë mos të jenë barrierë e lidhjes dhe integrimit shpirtëror dhe veprues të shqiptarëve. Intregrimi i përbashkët në BE është një hap i rëndësishëm. Duhet bërë hapa të shpejtë e të fuqishëm, duhet nxënë kohën e humbur. Nëse nuk e zë hapin me kohë, ajo vret. Puna e pandërprerë dhe projektet e shumta kulturore, dhe pse mos të them edhe njoftimet e pandërprera për zhvillimet në vend. Njerëzit e diasporës duhet, ditë e përditë, të furnizohen me informacione objektive për zhvillimet në Kosovë, në Shqipëri dhe vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët.
Çfarë linjëveprimi politik keni ndjekur ju për përthithjen e fondeve potenciale të diasporës shqiptare për investim ekonomik në shtetin amë (duke përjashtuar remitencat)?
Kam insistuar që ata njerëz mos të konsiderohen të huaj dhe as si “gjah” për interesat e rezidentëve aktivë në vend. Diaspora shqiptare nuk duhet të trajtohet si “resurs i fondeve rezervë”, por gjithmonë si pjesë e barabartë e aktive në proceset e zhvillimit të vendit. Nuk është mirë që njerëzit të konsiderohen se janë të huaj dhe ata atje ku janë të zhvillojne bizneset e tyre. Ata duhet të jenë të barabartë me rezidentët aktivë në vend. Legjislacioni bazë që e ka Kosova e siguron një gjë të tillë.
Si do ta zgjidhnit dhe lehtësonit ju çështjen e të drejtës së votës së bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë kufinjve të shtetit të tyre amë?
E drejta e votës për qytetarët jorezidentë në një formë është përcaktuar. Nuk mendoj se është përmbyllur suksesshëm kjo çështje. Është mirë të studjohen përvojat e sukseshme të vendeve të tjera.
Ku do të jetë gjenerata e re e mërgatës, nëse nuk do të përkrahet nga dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova?
Është dhembje e jona. Përkrahja duhet të shtohet. Ata njerëz duhet të njohin më shumë vendin e vet. Karshi integrimeve aktive që në një aspekt nuk janë të dëmshme, po aq duhet shtuar intensitetin e punës sonë në ruajtjen e identitetit të tyre. Fryma e globalizmit, me të gjithë të mirat që mund t’i ketë, ajo edhe përpinë popujt dhe në rradhë të parë njerëzit e shkëputur nga trungu etnik.
Shpeshherë më ka rënë të degjoj se brezat e mërgatës, sidomos nga brezi i tretë “hyjnë në zonën e rrezikut” për humbje të identitetit. Ka edhe shembuj të tillë. Investimi i institucioneve të specializuara për të mbrojtur identitetin, gjuhën dhe kulturën si bërthamë e tij, është i nevojshëm në vazhdimësi.
Gjuha shqipe dhe ruajtja e saj. Cili do të ishte çelësi kryesor, që do të hapte dyert e ruajtjes së gjuhës sonë, gjeneratë pas gjenerate?
Gjuha shqipe, me gjithë sfidat që i ka pasur, është qëndrestare e shekujve. Është e vjetër dhe ka kapërcyer në stade të ndryshme të zhvillimit të saj. Megjithatë, ajo deri më tani, e edhe kur e ka pasur shumë vështirë, ka qëndruar. Shikoni gjuhën e ruajtur tek arbëreshët në Itali, atë te shqiptarët e shumtë në Turqi, arvanitasit në Greqi, por edhe vende të tjera. Çelës magjik nuk ka. Por është e rëndësishme që të ketë projekte të shumta e të vazhdueshme në këtë drejtim. Më vjen mirë kur dëgjoj për organizimin e qendrave kulturore edhe të shkollave shqipe në diasporë.
Shembulli i talentëve të rinj në muzikë, art, sporte të ndryshme, ku ata të rinj shqiptarë, shumë prej tyre lindur e rritur jasht vendit, ka treguar se ata njerëz mund të shndërrohen paralelisht në ambasadorë të shkëlqyeshëm për kombin dhe shtetin. Ata flasin shqip, ata këndojnë shqip. ( Intervista është pjesë e librit „Vështrim Presidencial mbi diasporën shqiptare“ dhe po publikohet për herë të parë për media)
helveticALforum