Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Gjenevë, 22 maj 2025- Zemra e Kosovës në Gjenevë – Një vizitë historike mes krenarisë kombëtare, emocioneve të mërgatës dhe mirënjohjes për atdheun

Ditën e dytë të vizitës shtetërore në Zvicër, Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e nisi në kantonin e Thurgaut dhe atë të St. Gallenit – njëherësh vendlindja e Presidentes së Zvicrës, Karin Keller-Sutter. Në këto dy kantone, Presidentja përjetoi nga afër historinë e pasur, kulturën e veçantë dhe inovacionin zviceran, duke e cilësuar Zvicrën si një shembull frymëzues për mbarë botën.

Edhe pse me reshje shiu dhe pas një rruge të gjatë drejt Gjenevës, Presidentja bashkë me delegacionin e saj mbërriti me pak vonesë, por me një energji të plotë për të vazhduar takimet me mërgatën. Kjo vizitë dyditore padyshim do të mbetet historike, sepse përfaqëson edhe respektin e institucioneve të Kosovës ndaj bashkatdhetarëve dhe lidhjen e pazëvendësueshme që mërgata ka me atdheun.

Me ftesë të veprimtarit të njohur medvegjas dhe bamirësit të përkushtuar, z. Fadil Selmani – i cili jeton dhe vepron në Gjenevë – edhe ne nga redaksia e SAM24.info (Swiss Albanian Media Center, me seli në Dietikon) iu drejtuam qytetit të Gjenevës për të takuar Presidenten dhe për të përcjellur nga afër programin e përgatitur me përkushtim e dashuri nga komuniteti shqiptar në Gjenevë, veçanërisht nga Shoqata “Smira” dhe Komuniteti Shqiptar i Gjenevës.

Gjeneva ishte e mbushur me bashkatdhetarë. Fëmijët e veshur me kostume kombëtare, me flamuj në duar dhe me zëra të njomë, provonin me emocion fjalët që do t’i thoshin Presidentes sapo ajo të mbërrinte në oborrin e sallës.

Përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare kishin ardhur për të nderuar këtë moment historik. Z. Rafet Ademi, kryetar nderi i Shoqatës Fricktal në kantonin Aargau, kishte bërë mbi 300 kilometra për të marrë pjesë. Po ashtu, aktivistë si Nasuf Nuhiu, kryetar i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, dhe z. Ramadan Rrahmani nga Shoqata “Smira”, së bashku me kryesinë dhe bashkatdhetarë të shumtë, ndanë emocione të veçanta që sollën një atmosferë të paharrueshme.

Disa banesa përreth sallës ishin zbukuruar me flamuj kuq e zi dhe flamurin e Republikës së Kosovës. Salla, e paraparë për 300 veta, ishte mbushur përplot, madje edhe në koridore prisnin bashkatdhetarë me padurim për të takuar Presidenten. Pasi hyri në sallë, Presidentja Osmani u prit me duartrokitje, përqafime nga fëmijët dhe buqeta lulesh. Ajo, me thjeshtësinë që e karakterizon, merrte telefonët nga qytetarët për të realizuar foto kujtimi, duke mos u larguar pa nënshkrime dhe buzëqeshje për secilin.

Programi filloi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe u moderua me profesionalizëm nga znj. Linda Rexhaj.
Në emër të dy shoqatave bashkorganizatore, Shoqatës “Smira” dhe Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, mirëseardhjen për Presidenten dhe të pranishmit e shprehën përfaqësuesit përkatës, z. Ramadan Rrahmani dhe z. Nasuf Nuhiu. Ata theksuan se prania e Presidentes Osmani është më shumë se një vizitë – është një mesazh i fuqishëm se Kosova nuk e harron kurrë diasporën.

Pas fjalimeve, dy shoqatat i dhuruan znj. Vjosa Osmani dhurata simbolike në shenjë mirënjohjeje dhe respekti.
Programi Artistik – Emocion dhe Krenari
Artistët e vegjël, fëmijë mërgimtarë dhe të rritur dhanë shpirtin në skenë duke përçuar emocione të fuqishme. Programi nisi me një monolog mbresëlënës nga 11-vjeçarja Amelie Rrahmani, e cila, e veshur me veshje kombëtare dhe plis të bardhë dhe dheun në duar, interpretoi me një ndjenjë të jashtëzakonshme që i la të gjithë pa fjalë.

Lotët në sytë e saj gjatë interpretimit dhe mënyra si e ndau dheun në skenë u pritën me duartrokitje të gjata e të sinqerta nga publiku. Një moment që tregoi se gjuha shqipe do të ruhet brez pas brezi dhe arti ynë është i gjallë dhe se një yll i ri po lind.

Pas saj, nxënësit e Shkollës Plotësuese Shqipe në Nyon sollën valle të bukura tradicionale. Pastaj vijoi kënga “Dardania Ime” nga Ejona Bytyqi dhe producenti Elion Krasniqi. Valltarët e Shoqatës “Rinia–Contact”, nën drejtimin e znj. Rrezarta Sejdiu-Shatri, u ngjitën në skenë, duke treguar përkushtimin dhe trashëgiminë shumëvjeçare të kësaj trupe.

Po ashtu, ansambli “GËZUAR”, me vallen “Rilindja”, nën udhëheqjen e z. Fadil Avdija, solli një performancë dinjitoze dhe tejet emocionuese. Në përmbyllje, Grupi Muzikor “HAREJA”, i drejtuar nga zonja Afërdita Kasniqi dhe me solistin Bardh Ramadani, e mbylli mbrëmjen me këngën “Tumënkuqe”, duke rrëmbyer edhe njëherë duartrokitjet e të gjithëve.

Në foto kujtiimi me organizatorët. Nga ana e majtë Nasuf Nuhiu, kryetar i Komunitetit Shqiptar në Gjenevë dhe në anën e djathtë, Ramadan Rrahmani, kryetar i Shoqatës “Smira”.
Të gjithë të pranishmit i falënderuan për organizimin e mirë edhe pse koha e përgaditjeve ishte shumë e shkurtë.

Edhe ne, nga redaksia Sam24, patëm mundësinë ta takonim shkurtimisht Presidenten dhe ta njoftonim për projektin tonë medial.

Fjalët e Presidentes – Një Mesazh për Mërgatën
Në fund të programit, Presidentja falënderoi mërgatën shqiptare në Zvicër për kontributin e pashoq që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën.

Ajo theksoi:
“Zemra e Kosovës rreh me ritmin e mërgatës. Faleminderit për këtë pritje madhështore, për përkushtimin ndaj gjuhës, traditave dhe atdheut tonë. Le ta ruajmë gjuhën tonë, kulturën dhe miqësinë me shtetin mik zviceran.”

Presidentja Osmani përmendi gjithashtu edhe kontributin e diasporës gjatë Luftës së Kosovës, duke përkujtuar me nderim dhe emocion Heroin e Kombit, Agim Ramadani, i cili nga Zvicra shkoi për të luftuar dhe për të dhënë jetën për çlirimin e vendit.

“Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!”, theksoi ajo, duke mbajtur një moment heshtjeje të thellë.
Në përfundim, pjesëmarrësit u ftuan për një koktej rasti, ku patën mundësinë të bisedojnë nga afër me Presidenten.

Radha për të bërë foto dhe për të falënderuar znj. Osmani nuk u ndërpre për orë të tëra. Në atë takim kishte mërgimtarë nga të gjitha trevat shqiptare – të bashkuar për Kosovën.

Fadil Selmani, një nga aktivistët më të përkushtuar të mërgatës medvegjase, e informoi Presidenten për situatën e rëndë të shqiptarëve në Medvegjë dhe nevojën për më shumë mbështetje institucionale nga Kosova. Presidentja u shpreh e gatshme për bashkëpunim dhe vëmendje më të madhe ndaj asaj pjese të kombit tonë. z. Nuhiu dhe Rrahmani, me fjalët më të mira të mundshme falënderimi për prezencën e presidentes, stafit të saj dhe të gjithë të pranishmëve i thanë organizatorët në një fjalë rasti.

Takimi përfundoi rreth orës 21:00, por emocionet vazhduan edhe më pas. Edhe pse një ditë pune në Zvicër, lodhja nuk dukej në fytyrat e bashkatdhetarëve – sepse krenaria dhe gëzimi e kishin mbuluar gjithçka.
Mesazh për Mërgatën Shqiptare
Ju jeni forca që asnjëherë nuk u shua, edhe në kohët më të vështira. Ju jeni shtylla që e mbajti Kosovën gjallë në luftë, në liri dhe në ndërtim. Krenaria për ju nuk është vetëm e atdheut – është krenari kombëtare! Ta ruajmë gjuhën tonë, traditat, identitetin dhe ta forcojmë lidhjen me shtetin shqiptar. Bashkë, gjithmonë për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të bashkuar me diasporën që s’e harroi kurrë rrënjën! Buzëqeshja e saj, përkëdheljet për fëmijët dhe puthjet që u jepte atyre e bënë të ndjehej si një lidere që jo vetëm udhëheq, por edhe frymëzon.

Përveç delegacionit nga Kosova dhe disa mediave kosovare që kishin ardhur enkas për ta ndjekur këtë ngjarje, ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Kosovës në Bernë, Shkëlqesia e tij z. Mentor Latifi, z. Gjenis Haxhimehmeti, z. Shaban Hoxha, si dhe nga Konsullata e Kosovës në Cyrih – z. Driton Tahiri.
Lavdi dëshmorëve! Nderim mërgatës! Rroftë Kosova jonë! Në mëngjesin e datës 23 maj, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës shtetërore në Zvicër, do të kthehet në Kosovë.

Kjo vizitë dyditore ishte e mbushur me takime të rëndësishme institucionale dhe emocione të veçanta me mërgatën shqiptare në Zvicër. Ajo përfaqësoi një kapitull të veçantë në forcimin e lidhjeve mes shtetit të Kosovës dhe diasporës, duke dhënë një mesazh të qartë: Kosova është gjithmonë pranë qytetarëve të saj, kudo që ata ndodhen.
Me kthimin e saj në Kosovë, Presidentja Osmani merr me vete mesazhet e dashurisë, respektit dhe përkushtimit të mërgatës, por mbi të gjitha – një krenari të thellë për rrënjët tona të përbashkëta.