/ Nga: Dashnim HEBIBI /
Bazel, 19 maj 2025 – Një nga personalitetet më të njohura në fushën e farmacisë dhe industrisë farmaceutike, Prof. Dr. Ylber Qusaj, do të jetë së shpejti në Kosovë për të ndarë përvojën dhe ekspertizën e tij me profesionistët dhe publikun e interesuar.
Më 24 maj 2025, Prof. Dr. Qusaj do të ligjërojë në konferencën profesionale me temën “Përdorimi Racional i Barnave”, që do të mbahet në Prishtinë, nën organizimin e Odës së Farmacistëve të Kosovës.
Ai do të mbajë një prezantim me temën: “Siguria e produkteve farmaceutike – nga prodhimi deri te barnatorja”, ku do të diskutojë mbi standardet, kontrollin e cilësisë dhe proceset që garantojnë sigurinë e barnave, nga prodhimi industrial e deri te përdorimi klinik.
“Faleminderit për ftesën! Jam i nderuar të ndaj përvojën time me kolegët në Kosovë. Për të gjithë ata që duan të mësojnë më shumë mbi inovacionin dhe sigurinë në industrinë farmaceutike – kjo konferencë është një mundësi që nuk duhet humbur,” – thekson Prof. Dr. Qusaj.
Prof. Dr. Ylber Qusaj jeton dhe vepron në Zvicër, ku është pjesë e industrisë farmaceutike ndërkombëtare dhe punon në kompaninë e njohur farmaceutike “Lonza” në Bazel, një nga liderët botërorë në prodhimin e produkteve farmaceutike dhe bioteknologjike.
Pjesëmarrja në këtë konferencë përfaqëson një mundësi të veçantë për profesionistët e shëndetësisë, farmacistët dhe studentët, që të kenë qasje në njohuri të avancuara dhe praktika bashkëkohore nga një ekspert me përvojë ndërkombëtare.
SAM24.info