Xhamia e Bardhë në Aarburg, e njohur si “Qendra Kulturore Shqiptaro-Zvicerane,” organizoi një program kulturor-artistik me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Eventi përfshinte këngë patriotike, recitime poezish dedikuar figurave të mëdha historike si Adem Jashari dhe shprehje dashurie për atdheun dhe gjuhën shqipe. Programi nisi me intonimin e himnit të Kosovës dhe himnit kombëtar, ndërsa moderatori, Adem Halimi, përshëndeti të pranishmit dhe foli për rëndësinë e organizimit të këtij aktiviteti.

Në këtë event të veçantë, nxënësit e xhamisë recituan poezi dhe interpretuan këngë patriotike së bashku me këngëtarin Furkan Jonuzi. Ndër folësit e nderit ishin prof.dr.Mustaf Bajrami dhe prof.dr.Musa Musai, të cilët ligjëruan mbi rolin dhe kontributin e qendrave shqiptare islame në Perëndim dhe rëndësinë e fejes dhe kombit në realitetet aktuale.
Humanisti dhe patrioti Halil Kastrati theksoi domosdoshmërinë e ndihmës për familjet në nevojë në Kosovë, duke nënvizuar se patriotizmi i vërtetë përfshin kujdesin ndaj këtyre familjeve. Dr. Med. Mentor Bilalli, kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, dhe dr. Med. Ibrahim Sejdini, psikiatër i njohur shqiptar në Zvicër, përshëndetën të pranishmit dhe nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare në Perëndim.

Kryetari i Komunitetit Shqiptar Musliman në Zvicër, Hafiz Mehas Alija, theksoi rëndësinë e xhamive në zhvillimin e identitetit kombëtar. Në përfundim, imami Nehat Ismaili falenderoi prindërit dhe nxënësit për angazhimin e tyre dhe protagonistët e mbrëmjes për kontributin e tyre të çmuar.

Eventi përmbante ushqime tradicionale dhe një atmosferë festive që premtuan se viti i ardhshëm do të jetë edhe më interesant dhe i pasur me aktivitet./ Sektori për inforim nga Xhamia e Bardhë në Aarburg




