Në vazhdimin e parë të seancës konstituive pas aktgjykimit të ri të Gjykatës Kushtetuese kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e më pas edhe kandidatja tjetër, Donika Gërvalla kanë dështuar t’i marrin votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.
Fillimisht në emër të LVV-së, Glauk Konjufca propozoi për kryeparlamentare Albulena Haxhiun. Në votimin e hapur 57 deputetë kanë votuar për, 56 kundër dhe 3 deputetë kanë abstenuar. Më pas, Konjufca propozoi edhe kandidaten e dytë. Kësaj radhe ishte Donika Gërvalla. Edhe për kandidaten e dytë rezultati ishte i njëjtë: 57 pro, 56 kundër dhe 3 abstenime. Kjo situatë e shtyu kryesuesin e seancës, Avni Dehari që ta ndërpresë seancën dhe vazhdimin e saj ta paralajmërojë pas 48 orësh, transmeton rtk.