Nga Dashnim HEBIBI, MILANO
Vlorë, Dardani, Iliridë e Kosovë Lindore u bashkuan shpirtërisht në një ditë të veçantë, më 2 shtator në Milano të Italisë, në një takim historik e plot emocione me stërnipin e Ismail Beut Qemajlit, Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora.
Ky takim ishte planifikuar prej kohësh dhe pritej me padurim nga veprimtarët shqiptarë në diasporë. Nga Zvicra, me shumë entuziazëm dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, u nisën: z. Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore; z. Met Krasniqi, ish-kryetar i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër dhe njëherit kandidat për kryetar të Gjakovës; si dhe Dr. Dashnim Hebibi (PhD), president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih dhe kryeredaktor i SAM24.info, qendrës mediale shqiptare në Zvicër. Ata u shoqëruan gjithashtu nga veprimtari Arsim Mulliqaj, duke e bërë edhe më të plotë këtë delegacion të diasporës shqiptare.
Takimi ishte i përzemërt, i sinqertë dhe i ngarkuar me emocione të papërshkrueshme. Shkëlqesia e Tij, z. Darling Vlora, ishte i shoqëruar nga publicisti dhe veprimtari i njohur në Itali dhe më gjerë, z.Arsim Mulliqaj i cili dashurinë për Kosovën e pavarur e ka dëshmuar me vepra që nga ditët më të vështira të historisë sonë.
Në këtë takim u dëgjuan rrëfime të paçmuara, fakte dhe histori të panjohura më parë rreth jetës dhe veprës së Babait të Kombit, Ismail Beut Qemajlit. Çdo fjalë e z. Vlora mbante peshë të veçantë, sepse vinte jo vetëm nga trashëgimia e gjakut të një figure kolosale, por edhe nga përvoja e një personaliteti me vlera të larta shkencore e atdhetare.
Delegacioni e përshkroi këtë përjetim me fjalët:
“Morëm bekimin nga stërnipi i Ismail Beut Qemajlit, Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora, për të ecur me besim e siguri në rrugën e historisë sonë. Me amanetin e tij të shenjtë, që udhëton brez pas brezi, edhe ne në diasporë e ndjejmë peshën dhe nderin e kësaj besëlidhjeje. Flamuri kuqezi është drita që na bashkon, është zëri i atdheut që na thërret, është forca që na udhëheq e na bashkërrugëton drejt së ardhmes.”
Në takim u ndanë emocione të sinqerta, deri në lot gëzimi. Z. Vlora, i prekur thellë nga prania e vëllezërve shqiptarë të ardhur nga të gjitha trevat, u shpreh se kjo ditë do të mbetet e paharrueshme për të, duke shtuar: “Sot ndjeva se kam pranë gjithë kombin tim. Këtë ditë nuk do ta harroj kurrë.”
Familja emblematike Vlora, trashëgimtare e një prej kapitujve më të ndritur të historisë kombëtare, do të mbetet përjetësisht simbol i nderit dhe krenarisë shqiptare, për sa kohë të jetojë gjuha jonë shqipe dhe të pulsojë zemra shqiptare.
Në këtë takim, z. Met Krasniqi mori bekimin dhe besën se do të punojë edhe më fort për të mirën e kombit dhe qytetit të tij, Gjakovës, të cilën e sheh të zhvilluar e të ndritur në frymën e qyteteve moderne europiane. “Edhe ne mundemi të bëjmë më shumë për atdheun, që rinia të ketë shpresë dhe motiv për një të ardhme të sigurt,” – u shpreh ai.
Florim Useini e njoftoi Shkëlqesinë e Tij z. Vlora me disa projekte të suksesshme të shqiptarëve në Zvicër dhe përcolli përshëndetjet e miqve afaristë e bamirës që jetojnë e veprojnë jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë.
Ndërkaq, z. Dashnim Hebibi u ndal te situata aktuale në Luginën e Preshevës dhe e ftoi z. Vlora që një ditë të shkruajë për këtë pjesë të kombit dhe të vizitojë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, duke ndjerë nga afër sfidat e shqiptarëve atje.
Në fund, z. Arsim Mulliqaj theksoi me forcë nevojën për më shumë unitet mes shqiptarëve, për të përcjellë të paprekur amanetin e të parëve tanë tek brezat që vijnë.
Ky takim i veçantë, i cili zgjati më shumë se një orë, nuk ishte vetëm një bashkëbisedim i ngrohtë, por një pikënisje për bashkëpunim më të madh në të ardhmen me Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora. Ishte një ditë e historisë së gjallë, ku amaneti i të parëve u ndje si obligim, si frymëzim dhe si thirrje për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.
HelveticALforum.ch