Në shikim të parë, fotografia dukej krejt e zakonshme: një fëmijë i ulur në bankë, në ditën e parë të klasës së dytë. Por brenda asaj pamjeje fshihej një histori që prek zemrat e kujtdo.
Klasa ishte mbushur me zhurmën e qeshjeve dhe përqafimeve. Pas disa muajve pushimi, fëmijët po ribashkoheshin me shokët e shoqet e tyre, duke e rifilluar bisedën aty ku e kishin lënë ditën e fundit të klasës së parë. Në derë, mësuesi i priste me përzemërsi, duke u dhuruar buzëqeshje të gjithëve.
Të gjithëve, përveç njërit.
Lisi, i ulur në bankë, me padurim priste shokun e tij, Lianin. Sytë e tij kërkonin derën me ngulm, duke shpresuar se çdo çast do të shfaqej. Por kot… Liani nuk u duk.
Afër mësuesit Edi Kamberi u dëgjua një pëshpëritje: “Liani ka shkuar… familja e tij është bashkuar në mërgim.” Një lajm i gëzueshëm për familjen e Lianit, por i rëndë për zemrën e një fëmije që humbi shokun e bankës.
Kur më në fund ia thashë Lisin: “Liani ka shkuar në Gjermani”, ai më pa gjatë, si të mos e pranonte. Pastaj tha fjalët që ngulën dhimbje në shpirt:
“Thuj mësuesit, po du me ndejt vet në bankë. Po e ruj karrigen për shokun tem, kur të kthehet.”
Një bankë bosh në klasë, por një miqësi që as largësia dhe as kufijtë nuk e zbehin. Sepse shokët e vërtetë mbeten përjetë në zemrat e njëri-tjetrit.
Me emocione të thella këtë ngjarje e ndau me publikun aktorja dhe regjisorja e njohur që jeton dhe vepron në Preshevë, znj. Afeida Boriçi Memeti, duke e shoqëruar me një fotografi prekëse të djalit të saj. Një foto që flet më shumë se fjalët – një realitet i hidhur i shumë fëmijëve tanë, të cilët miqësinë e mësojnë qysh herët, por edhe dhimbjen e ndarjes.
HelveticALforum.ch