Nga kthimi në kufi, te kujtimet që nuk shuhen – rrëfimi i Fadil Asanit, mërgimtarit që e mban vendlindjen në çdo rrahje zemre.

Mëngjesi i së shtunës na gjeti në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Një vijë e hollë gjeografike, por e rëndë në shpirt – aty mbylli faqen e vet kapitulli i pushimeve verore të këtij viti. Megjithatë, dashuria për vendlindjen nuk ka stinë, nuk ka kufij. Ajo mbetet e pashuar, e gjallë në çdo rrahje zemre, si një melodi që nuk hesht kurrë.
Si për të na kujtuar se jeta nuk ndalet, mëngjesi i hershëm i së dielës na zgjoi në vendin ku jetojmë e veprojmë prej vitesh. Valixhet ishin të zbrazura, por zemrat… plot kujtime të çmuara. Kujtime të njerëzve që takuam, të përqafimeve që ndamë, të fjalëve që mbetën në ajër si aromë e mirë.
Dua të dërgoj një falënderim të ngrohtë e të sinqertë për të gjithë ata me të cilët pata fatin të takohem. Për çdo buzëqeshje, për çdo fjalë të mirë, për çdo çast të paharruar.

Për ata që nuk munda t’i takoj, lutem të më kuptojnë – nuk ishte mungesë dëshire, por mungesë kohe. Malli mbetet dhe takimi pret ditë më të qeta.
Një mirënjohje të veçantë ruaj për ata që, me dashuri, mund dhe sakrificë, organizuan manifestime, ndeja dhe mbrëmje të ngrohta vetëm për ne mërgimtarët. Ju latë pas orët tuaja të pushimit, për të na dhuruar orë gëzimi. Falë jush, kthimi ynë ishte më i ëmbël, më i gjallë, më plot jetë.
Për mua, secili prej jush është një copëz e bukurisë së vendlindjes. Ju falënderoj me gjithë zemër dhe e ndjej veten me fat që kam bashkëkombës të tillë.
Deri në takimin e radhës, mbetshi gjithmonë nën mbrojtjen e të Madhit Zot. Derisa të vijë ai çast, le të mbajmë në zemër aromën e atyre ditëve, si një kujtim që nuk shuhet kurrë.
(Fail Asani është veprimtar i njohur jo vetëm në Zvicër, por gjithandej)
SAM24.info